Dhe një përgjigje Ahmetajt për taksën e sheshtë!

Jorida Tabaku

Qeveria teknike nuk është utopi, por shans për të shmangur atë që mund të vijë si pasojë e zgjedhjeve të manipuluara dhe në mungesë lirie. Ato që e kuptojnë këtë, kanë frikë dhe në mungesë alternativash prodhojnë një ligjërim apokaliptik!
Kjo ndodh sot me qeverinë, që ndodhet në një situatë të plotë kaosi me premtime të pambajtura, me një grevë urie në Zharrës që lihet në harresë me urdhër të qeverisë nga mediat, me një rritje ekonomike të ulët, me 1.5 mld USD taksa të ngritura në katër vjet së bashku, me një borxh publik të çuar në 72%, ndërsa e gjetën 62%, me një ofertë koncesionare për të shitur Shqipërinë që të pasurohen rilindasit. Qeveria duket në ankth sepse e ka të qartë që asnjë prej premtimeve të saj të rëndësishme nuk është realizuar dhe prandaj ka vendosur të prodhojë zgjedhje të manipuluara, kriminalizim të Kuvendit dhe në fund sulm ndaj ofertës së PD.
Për të rrëzuar këtë sulm ndaj taksës së sheshtë unë po paraqes disa të dhëna për taksën progresive: raportohet se numri i çështjeve për falimentim në Gjykatën e Tiranës është rritur me mbi 100% brenda dy viteve të taksave të reja, qytetarët sot nuk përfitojnë rrogën e 13, por sipas INSTAT shpenzojnë mbi 45% të pagës së tyre për ushqime, ndërsa çmimi i ushqimeve është rritur, investitorët e huaj jo vetëm nuk afrohen, por edhe ato që kanë qenë po largohen. Ekonominë në këmbë e mban TAP dhe hidrocentrali i Devollit, raporti i BE shfaq mashtrimin e radhës ku e ashtuquajtura rritje ekonomike më e madhe në 27 vjet ka prodhuar papunësinë më të madhe tek të rinjtë e diplomuar.
Atëherë përse qeveria sulmon taksën e sheshtë?
Sepse taksa e sheshtë do t’i japë mundësi biznesit të investojë më shumë para në përmirësimin e teknologjisë dhe të rrisë pagat e punonjësve apo t’i kualifikojë ato, do të mundësojë uljen e tarifave dhe për rrjedhojë uljen e çmimeve të produkteve dhe rritjen e konsumit, rritjen e kompetivitetit në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Rritjen e investimeve të huaja që do të gjejnë Shqipërinë tonë vendin me taksat e ulëta dhe mundësi për punësim më të madh.
Atëherë përse opozita ka dalë në shesh?
Sepse qeveria, duke dështuar plotësisht në gjithë premtimet e saj dhe përballë një oferte ku është e kuptueshme që do të humbasë ka përgatitur terrenin për të manipuluar vullnetin e qytetarëve dhe për të rikonfirmuar veten jo përmes zgjedhjes, por dhunës. Prandaj dhe sot opozita është në shesh, për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësinë të përzgjedhë i lirë qeverinë dhe jo i detyruar me përdhunë nga arbitrariteti i pushtetit, deputetët e inkriminuar që nesër nuk do të prodhojnë vetëm se më pak liri edhe më të kërcënuar.

Artikulli paraprakFondet për ndihmën ekonomike pritet të ulen më tej
Artikulli tjetërPaloka: Pa qeveri teknike, më 18 qershor nuk ka zgjedhje