Paloka: Më 30 qershor Rama dështoi në të gjithë skenarët e tij, data e zgjedhjeve nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e opozitës

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, në bërë një analizë të plotë të 30 qershorit, në një intervistë për “Koha Jonë”. Paloka ka folur për skenarin e hartuar nga edi Rama, për qendrimin e ndërkombëtarëve ndaj farsës dhe po ashtu, edhe për 13 tetorin, datën e zgjedhjeve lokale të dekretuar nga Presidenti.

Zoti Paloka, Partia Socialiste thotë se në 30 qershor u bënë zgjedhje normale. Ambasadat në Tiranë, pothuajse i njohën edhe pse OSBE/ODIHR, nxori një nga raportet paraprake më kritike për proceset e zgjedhjeve në Shqipëri. Çfarë ishte 30 qershori për opozitën?

Më 30 qershor Rama dështoi në të gjithë skenarët e tij. Zgjedhjet si koncept ranë që në momentin kur opozita vendosi të mos merrte pjesë. Më 30 qershor nuk pati as votime moniste. Rama ja doli që dhe votimet që i organizoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë dhe administroi vetë, ti degjeneronte në një tjetër kompleks krimesh elektorale, penale dhe kushtetuese. E çfarë është më e rëndësishme, pretendoi me të drejtë opozita, u pasqyrua që në raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it.

Praktikisht të ashtuquajturat “zgjedhje” të 30 qershorit u rrëzuan që më 1 korrik nga ky raport. Nga moria e konstatimeve të raportit, unë do merrja vetëm një pikë që mjafton për të rrëzuar farsën e Ramës. Raporti evidenton faktin se Presidenti dekretoi një datë tjetër zgjedhjesh dhe i vetmi institucion që mund ta shqyrtonte dhe ta hidhte poshtë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese. Mjafton kjo pikë për të bërë nul çdo farsë megjithëse raporti rreshton një mori me probleme të rënda.

Është e njëjta situatë si tek ajo anektoda me hierarkun e lartë të kishës që pyeti se pse nuk ra këmbana për nder të tij kur hyri në fshat. Prifti i fshatit u përgjigj se kishte 11 arsye pse nuk ra këmbana; arsyeja e parë është se nuk ka këmbanë. Kështu është dhe çështja e 30 qershorit; arsye pse nuk mund të quhen zgjedhje ka me dhjetra por e para është që ligjërisht zgjedhjet janë dekretuar për 13 tetor. Në fakt këtë pikë Rama e kishte të qartë po prapë kërkoi ta çonte deri në fund skenarin e tij. Ai shpresonte në një përplasje të dhunshme më 30 qershor. Për këtë arsye rimobilizoi të gjitha bandat, në gjithë qytetet kryesore.

Një e dielë e mbushur me viktima do bënte që të gjitha zullumet ku është zhytur Rama deri më sot, të kalonin në plan të dytë e mbase dhe të liheshin në hije. Për këtë arsye, qëndrimi i opozitës e kapi Ramën në befasi. Ai ishte përgatitur për përplasje e dhunë por opozita kaloi në pozicion thjesht monitorues të farsës. Kështu, Rama që ishte përgatitur të dilte përpara kutive të thyera, qendrave të djegura e madje dhe përpara viktimave njerëzore e të deklaronte se populli e donte dhe e votonte por ishte opozita e dhunshme që nuk lejonte popullin të votonte, u kap gafil.

Papritur ju desh të ndryshonte skenarin por e kapi me vonesë. Kutitë nuk u prishën dhe qendrat nuk u dogjën, përkundrazi atmosfera ishte më e qetë se në çdo proces tjetër. Votoi kush deshi, hodhën letrat në kuti dhe ata që u kërcënuan me bukën e gojës por dhe ata që u paguan për të votuar. Rama e kuptoi që në fund, e gjithë farsa do kishte dhe një rezultat dhe rezultati do e nxirrte zbuluar. Ai që deklaronte çdo ditë se opozita nuk merrte pjesë në zgjedhje se nuk kishte vota për ta mundur, u gjend papritur përballë situatës që farsa e organizuar nga ai, do diskretitonte pikërisht atë vetë.

Megjithëse blerjet e votuesve, kërcënimet ndaj administratës për të votuar me gjithë familjen, se ndryshe do fluturonin nga puna e kërcënimet ndaj bizneseve për hakmarrje, në mbyllje të procesit kutitë ishin bosh. Atëherë u urdhërua masakra pas mbylljes së procesit. Se çfarë ndodhi, tani është në sy të gjithë shqiptarëve. Aq trashë e bën gjënë, sa në vend që të vinte vetulla nxorri dhe sytë. Nëse nuk do të sulej të mbushte kutitë pas orës 19:00, për të treguar që ai realisht ishte i votuar, vërtetë procesi do ishte nul por nuk do vërtetonte kaq hapur gjithë akuzat që i ishin bërë deri tani. Sot kushdo e ka parë se Rama jo vetëm është minorancë e minorancës (sepse nuk e kanë votuar dhe mjaft socialiste) por edhe kur është i vetëm në zgjedhje, nuk heq dorë nga vjedhja dhe manipulimi. Sa për qëndrimet e ambasadave, ato deklarohen se mbështesin raportin e OSBE-ODIHR dhe raporti në fjalë e rrëzon që në fjalitë e para farsën e 30 qershorit.

Nga 1 korriku harta elektorale e të zgjedhurve vendorë ka vetëm një ngjyrë: vishnje! Përveç Kuvendit, tashmë edhe në parlamentet lokale, opozita nuk është më e përfaqësuar. Bojkoti ka rezultuar me çmim të lartë por çfarë do të ndodh më 8 korrik, do jenë shqiptarët edhe më shumë pranë opozitës?

Në linjën politike të opozitës nuk ka ndryshuar asgjë. Është shtuar vetëm një tjetër kusht i panegociushëm, që është mosnjohja e farsës së 30 qershorit. Ndërkaq është shpallur një tjetër protestë kombëtare të hënën më datë 8 korrik. Opozita nuk ka rrugë tjetër, veç protestës dhe revoltës, po tashmë kjo nuk është çështje vetëm e opozitës politike por e gjithë qytetarëve shqiptarë. Unë e kam deklaruar mëse një herë, edhe përpara konfirmimit të 30 qershorit, se mbi 80% e shqiptarëve kërkojnë sot largimin e Ramës. Është koha që kjo shumicë absolute të kalojë nga protesta pasive si ajo e 30 qershorit, në lëvizje aktive. Sot është e qartë për këdo se vetëm një grup i vogël njerëzish, aleancë e Ramës me disa oligarkë dhe bandat kriminale, kërkojnë të sundojnë shumicën e shqiptarëve duke i vjedhur e duke i dhunuar. Është koha që shumica ti marri frymën bandës sunduese.

Në fjalimin pas 30 qershorit, kryeministri Rama falenderoi edhe faktorin ndërkombëtar, për rezistencën e palëkundur. Ka pasur dhe a ka ende opozita një mbështetje nga të huajt në kauzën e saj? A ju kanë dëgjuar sa duhet?

Shpesh propaganda e Ramës përpiqet të krijojë perceptimin se “Rama ka mbështetjen e ndërkombëtarëve”. Të jem i sinqertë në shumë raste ja ka dalë ta krijojë një perceptim të tillë. Në fakt, ata që quhen në grup si “faktori ndërkombëtar” nuk janë ata burokratët që bëjnë deklarata apo japin intervista sa herë i duhet Ramës.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, që evidenton se Rama e ka kthyer Shqipërinë në qendër operacionale të krimit të organizuar që po cënojnë dhe interesat e vetë SHBA, nuk më duket si mbështetje për Ramën. Fakti që Rama ka 6 vjet në qeveri dhe nuk ka mundur të bëjë asnjë hap përpara në integrimin e vendit, që nga marrja e statusit të vendit kandidat, frut i punës së qeverisë së PD.

Hapi tjetër, hapja e negociatave ka mbetur në llucën e krimit dhe korrupsionit. Madje sot ka vende si Holanda e Zvicra, që mendojnë së shqiptarëve duhet t’ju bllokohet lëvizja e lirë. A mund të quhet kjo mbështetje ndaj Ramës? Po qëndrimet e qarta të partisë më të madhe qeverisëse në Gjermani? Fakti që Kongresi i Autoriteteve lokale të Këshillit të Europës, nuk pranoi të vëzhgonte farsën e 30 qershorit, a është mbështetje për Ramën? Pa futur një faktor determinant siç është ai i mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, që tanimë e kanë nxjerrë lakuriq regjimin kriminal të Ramës përpara gjithë opinionit botëror. Atëherë ku qenka kjo mbështetje ndërkombëtare? Bota demokratike ka parime dhe parimet nuk mund ti ndryshojnë disa burokratë me interesa të dyshimta.

A jemi më pranë zgjidhjes së konfliktit politik apo jemi afruar përplasjes së radhës?

Nuk kemi më një konflikt politik, që presupozon përplasje midis krahëve politike. Sot kemi një bandë në pushtet që është në konflikt me mbi 85% të shqiptarëve, të cilët nuk janë pjesë vetëm e opozitës. Unë si shumica e shqiptarëve, uroj që të mos shkohet në përplasje të dhunshme por kjo nuk varet vetëm nga ne. Mendimi im ka qenë dhe mbetet që për të ndaluar rivendosjen e diktaturës në Shqipëri, asnjë sakrificë nuk eshte e tepërt duke patur parasysh pasojat që do të kishte rivendosja e diktaturës.

A është data e propozuar nga Presidentit 13 tetor, një mundësi për përsëritjen e zgjedhjeve vendore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme?

13 tetori është data e dekretuar nga Presidenti për zgjedhjet lokale por kjo nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e opozitës. Ne kërkojmë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri e për këtë kemi përcaktuar dhe pikat që i realizojnë këto kushte./Intervistoi: Redjon Shtylla

 

Artikulli paraprakHenze: Calavera e Rama të paguajnë nga xhepi dëmshpërblimet për 40 mijë ankimuesit në Gjykatën e Lartë
Artikulli tjetërKryemadhi thirrje shqiptarëve: Ky është moment, më 8 Korrik të gjithë bashkë për…