Padia e re e gjyqtarëve në Kushtetuese

Pas Vettingut, një tjetër ligj pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, mbërrin në Gjykatën Kushtetuese. Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të ankimojnë në Kushtetuese ligjin për “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që hyri në fuqi me datë 22 nëntor 2016.
Përfaqësues të Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve, thanë për “Neës 24” se ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën, e për rrjedhojë duhet shfuqizuar.  Në padinë që pritet të dorëzohet gjatë kësaj jave, thuhet ndër të tjera se ligji krijon vakum institucional dhe cenon hapur mundësinë e promovimit në karrierë të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit.
Në padi theksohet se, nga zbatimi i këtij ligji mund të krijohen situata kolapsi në mënyrën sesi do të funksionojnë institucionet e drejtësisë.
Për këto arsye dhe të tjera, gjykatësit do të kërkojnë edhe pezullimin e ligjit, me qëllim që ai të mos japë efekte, pasi sipas tyre do të shkaktojë pasoja të pariparueshme në të ardhmen. Hyrja në fuqi e këtij ligji, është shoqëruar me “ngrirjen” e funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk mund të emërojë, transferojë apo promovojë gjykatësit.

Artikulli paraprakKamza ka aplikuar 123 projekte, qeveria nuk ka financuar asnjë
Artikulli tjetërRevolta e qytetarëve për deputetët e inkriminuar