Kamza ka aplikuar 123 projekte, qeveria nuk ka financuar asnjë

Bashkia e Kamzës ka miratuar dje, paketën fiskale të vitit 2017. Kryetari i Bashkisë, Mziu theksoi se, që prej 3 vite e gjysmë kanë aplikuar me 123 projekte sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Sipas tij, këto projekte janë vlerësuar pozitivisht nga Banka Botërore dhe KfW, por përsëri nuk kanë gjetur mbështetje nga qeveria. Kjo paketë fiskale sipas Mziut si qëllim ka krijimin e të ardhurave për t’i konvertuar ato në investime dhe shërbime, zhdukjen e informalitetit, zhvillimin e biznesit, rritjen e numrit të të punësuarve si dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Në tri vite e gjysmë, me 123 projekte ka aplikuar Bashkia, të cilat kanë bindur Bankën Botërore, KfW-në e të tjerë organizma të huaj, duke i konsideruar konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Dhe kjo ka sjellë pabarazi ndërmjet qytetarëve të Kamzës dhe atyre të bashkive të tjera. Madje, nuk kanë përfituar as qytetarët e majtë të Kamzës”, ka pohuar kreu i Bashkisë, i cili ka vijuar fjalën e tij, duke theksuar se i vetmi instrument që ka ngelur për t’u shfrytëzuar është paketa fiskale.

“Ka pasur një angazhim maksimal për të pasur një paketë fiskale, ka thënë zoti Mziu, jo me qëllimin në vetvete për të krijuar të ardhura, po paketa fiskale në Kamëz, në fakt, për të dhjetin vit me radhë, ka vetëm një qëllim, për ta bërë paketën fiskale stimuluese për zhvillimin e biznesit. Vetëm në këtë lloj mënyre mund t’i jepet zgjidhje asaj çfarë është më kryesorja-punësimit,  por pastaj edhe investimeve dhe shërbimeve. Dhe në referencë të viteve, dua t’ju them që diku nga viti 2007, Kamza dhe Paskuqani gjithsej kishin 500 subjekte, kryesisht ambulantë ose biznes i vogël.

Sot janë rreth 3000 biznese, për shkak të kësaj politike fiskale dhe tendenca ka qenë për të pasur taksa, tatime, tarifa ato çfarë lejon ligji, për të kapur pjesën fundore të intervalit ose në dysheme të saj, për ta stimuluar zhvillimin e biznesit dhe, po të shohësh, numri i bizneseve është rritur, kryesisht në zonën e Kamzës, por që të rritet biznesi nuk është vetëm paketa fiskale, por duhet t’i krijosh edhe infrastrukturë”. Kryetari i Bashkisë Kamëz përsëriti faktin se, buxheti i vitit 2016 nuk ka qenë i mjaftueshëm, megjithë lehtësirat fiskale që sipas tij kanë rritur numrin e të punësuarve , kryesisht në biznesin fason.

“Mos harroni, është qyteti i gjashtë në Shqipëri për numrin e popullsisë në 61 bashki pas ndarjes territoriale. Granti i fillimit të vitit jepet mbi bazën e numrit të popullsisë, madje është referenca kryesore, në fakt ne kemi marrë më pak sesa na takon. Besoj që i dini ju arsyet se përse”, është shprehur Mziu, duke theksuar edhe një herë sjelljen e qeverisë ndaj Bashkisë Kamëz.

Përgatiti:
Edmond DURAKU

Artikulli paraprakMiku i “Xhabaftëve” armë pa leje, 10 mijë euro dhe jelek antiplumb
Artikulli tjetërPadia e re e gjyqtarëve në Kushtetuese