Operacioni “fshesa”

Pas një sezoni shkatërrimtar, për kuqezinjtë do të nisë operacioni “fshesa”, një revolucion i vërtetë për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes. Me apo pa kinezët, kjo skuadër ka nevojë të ndryshojë totalisht fytyrë dhe kjo do të nisë me personat që, sipas drejtuesve, nuk kanë bindur.
Madje edhe presidenti Berluskoni është gati të mbështesë ekonomikisht këtë sforco për të rikthyer Milanin në elitë. Ky ndryshim pritet të përfshijë edhe trajnerin Kristian Broki.
Ditët e fundit është përfolur se trajneri i ardhshëm mund të jetë Marko Xhampaolo i Empolit. Sakaq, shumë nga lojtarët nuk bindin, ndërkohë që kontrata u skadon më 30 qershor, ndaj do të largohen.
Milani nuk do të rinovojë kontratën me Mekses, Aleks, Zapata, Boateng e mbi të gjithë me Balotelin. Të gjithë pritet të largohen në fund të këtij sezoni. Drejtuesit duhet të gjejnë një sistemim edhe për portierin Diego Lopez, që përfiton 5 milionë euro në sezon. Shumë për një që qëndron në stol, pasi preferohet i riu Donaruma. Edhe sulmi ka shumë lojtarë që fitojnë shuma të mëdha, ndërsa rendimenti në fushë ka lënë për të dëshiruar.
Nga shitja e sulmuesve Baka, Luis Adriano, Honda e Menez pritet që kuqezinjtë të marrin 50-60 milionë euro, për t’i investuar më pas në merkato. I vetmi nga lojtarët që u skadon kontrata më 30 qershor dhe që pritet të rinovojë me kuqezinjtë është Rikardo Montolivo, që do të jetë edhe sezonin tjetër.
Ndërkohë, betëm një sukses në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit mund të shpëtonte sezonin e Milanit. E ka mëse të qartë diçka të tillë Giacomo Bonaventura, me mesfushorin e kuqezinjëve që ka bindjen se skuadra Brochit do ta gjejë mënyrën për të zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj bardhezinjëve të Alegrit në finalen e Romës.
“Trajneri Brocchi gjatë kësaj periudhe është treguar shumë i ashpër, sepse kërkon të marrë më të mirën nga ne. Unë jam i sigurtë se kundër Juves ne do të zhvillojmë një ndeshje pozitive. Mendoj se kemi shanset tona për të fituar Kupën e Italisë. Mund të ndodhë që ta përgatisim më mirë këtë sfidë që të jemi më agresivë dhe që të kemi më shumë fat se ata për të ngritur në fund lart trofeun. Duhet të besojmë te suksesi ndaj bardhezinjve”.
Bonaventura e njeh shumë mirë forcën e bardhezinjve, por gjithsesi shpreson deri në fund se Milani mund ta mposhtë Juventusin.
“Receta për të fituar është të jemi agresiv që në fillim, të dimë ta rikuperojmë sa më shpejt topin dhe të shfrytëzojmë në maksimum rastet që do të na paraqiten. Fitimi i Kupës së Italisë do t’i jepte një kuptim të madh sezonit tonë. E ardhmja ime? Nuk është momenti i duhur për të menduar për diçka të tillë”.

Artikulli paraprakDe Gea qëndron nëse largohet Van Gaal
Artikulli tjetërBuffon paralajmëron: Kujdes Milanin!