Olympiakos shkarkon Besnik Hasin, pritet vetëm zyrtarizimi

Humbja e Olympiakosit 3-2 në derbin përballë AEK-ut të Athinës i ka kushtuar shtrenjtë Besnik Hasit. Sipas mediave greke, disfata në derbi, në një kohë kur skuadra nga Pireu ishte në avantazhin e dy golave në pjesën e parë shkaktoi një reksion zinxhir, me krerët e klubit që vendosën të prishin bashkëpunimin me trajnerin shqiptar.
Humbja me përmbysje në derbi ishte ajo që vendosi vulën, pasi krerët e Olympiakosit dhe tifozët janë shfaqur të pakënaqur me ecurinë e skuadrës, që në pesë ndeshjet e fundit ka pësuar dy humbje me Sportingun në Champions dhe AEK-un, ka barazuar me Ksanthin dhe Asterasin, ndërsa me këta të fundit ka regjistruar fitoren e vetme në Kupë. Sipas mediave greke, sapo ekipi të kthehet në Pire, drejtuesit e klubit do të takohen me Besnik Hasin për t’i dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin.
Në fakt, gjatë javëve të fundit, për shkak të rezultateve të papritura në kampionatin grek, është folur shumë për një prishje të kontratës, por dështimi në derbin ndaj AEK-ut, duket se vulosi gjithçka. “Unë nuk mendoj për të ardhmen time, por për të ardhmen e ekipit. Kemi humbur një ndeshje që e kemi kontrolluar, kjo më zhgënjen më tepër”, ka thënë Hasi, pasi është pyetur nga gazetarët për largimin nga Olimpiakosi pas humbjes kundër AEK-ut.
Hasi u emërua në krye të stolit bardhekuq gjatë verës, duke realizuar objektivin madhor të Olympiakosit, duke e kualifikuar skuadrën në fazën e grupeve të Championsit. Por, vetëm kjo arritje nuk ka mjaftuar, pasi paraqitjet larg pritshmërive në startin e edicionit në Superligën greke e kanë vendosur shpeshherë trajnerin në qendër të kritikave.

Artikulli paraprakDe Biazi prezantohet te Deportivo Alaves
Artikulli tjetërReali me mungesa