Olympiakos i Hasit fiton me përmbysje

Olympiakos vazhdon formën e mirë nën drejtimin e gjakovarit Besnik Hasi, duke fituar 2-1 me përmbysje ndaj Rijekës. Grekët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer dhe dominuan kundërshtarët, por e mbyllën pjesën e parë në disavantazh.
Në pjesën e dytë Olympiakos rriti presionin dhe arriti të shënojë dy herë, duke e mbyllur me fitore ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Champions League. Fitore 2-0 arriti edhe Napoli i Elseid Hysajt, ndaj francezëve të Nice. Shkodrani zhvilloi 90 minuta të mira, ndërsa italianët hodhën një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Në ndeshjet e tjera, rezultate pozitive arritën Celtic, që mundi 5-0 Astanën dhe Sevilja, e cila triumfoi 1-2, ndaj Basaksehirit të Cikalleshit, me sulmuesin kavajas që qëndroi në stol.
Mbrëmje me dritëhije për shqiptarët në ndeshjet e para play off të Champions League. Elseid Hysaj hodhi një hap të madh bashkë me Napolin e tij drejt fazës së grupeve pas triumfit të pastër 2-0 ndaj Nice në “San Paolo”. Mbrojtësi shqiptar u aktivizua titullar në këtë ndeshje ku u aktivizua për 90 minuta duke u konfirmuar një nga elementët kyç të formacionit të Maurizio Sarrit. Fitore arriti edhe trajneri Besnik Hasi edhe pse me shumë vështirësi. Hasi udhëhoqi Olympiakos nga stoli në fitoren 2-1 të arritur ndaj kampionëve të Kroacisë, Rijeka. Ishin kroatët që kaluan fillimisht në avantazh, por ekipi nga Pireu dominoi ndeshjen duke kthyer disavantazhin në pjesën e dytë me një gol në kohën shtesë. Fitorja 2-1 e mban në lojë ekipin bardhekuq që do të kërkojë të sigurojë kualifikimin pas një jave në Rijeka. Ndërkohë, Sokol Cikalleshi nuk u aktivizua për asnjë minutë në humbjen 2-1 që Basaksehir pësoi në Stamboll nga Sevilja.
Ndërkohë, Valon Behrami edhe zyrtarisht është lojtari i skuadrës së Udineses në Serie A. Mesfushori Valon Behrami ka lënë Watfordin për t’u rikthyer në Itali te skuadra e Udineses. Lajmi është konfirmuar nga të dy skuadrat, ndërsa Behrami ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. “463 ndeshje në karrierë, 224 prej tyre në Itali, përvojë ndërkombëtare në Premier Ligë, Bundesligë, kupat e Evropës dhe ekipin kombëtar të Zvicrës, 32-vjeçari pritet të jetë vendimtar në kampionat, ky është Valon Behrami, që është tani lojtari i ri i Udines”, thuhet në njoftimin e Udineses.

Artikulli paraprakReali i pandalshëm
Artikulli tjetërDybala besnikëri për Juventusin