Obligacionet në rënie, kuponi për muajin prill zbriti në 2.25%

Interesat e obligacioneve 2-vjeçare të qeverisë shqiptare ranë edhe në ankandin e muajit prill. Sipas Bankës së Shqipërisë, kuponi i obligacioneve, ra në 2.25%, nga 2.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në ankandin e zhvilluar këtë javë, nga 5 miliardë lekë obligacione të shpallura nga Ministria e Financave, kërkesat e paraqitura në ankand arritën vlerën e 5.85 miliardë lekëve. Pikërisht kërkesa më e lartë e tregut për të investuar në letrat e borxhit qeveritar është arsyeja kryesore e rënies së interesave në pjesën e parë të këtij viti. Një prirje e ngjashme po vërehet në tre muajt e fundit edhe në ankandet e bonove të thesarit. Tregu duket të ketë shumë më tepër likuiditete të lira krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Kjo po rrit kërkesën për bono dhe obligacione, duke qenë se kreditimi ngelet i zbehtë, çka është pak a shumë e zakonshme në muajt e parë të vitit. Një faktor me ndikim të konsiderueshëm mund të jetë edhe rritja e mbështetjes së tregut me likuiditet nga Banka e Shqipërisë, për të stabilizuar tregun e titujve qeveritarë në lekë, pas zhbalancimeve të regjistruara në fund të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, pikërisht rritja e interesave në tremujorin e fundit të vitit 2016 ka mbështetur rritjen graduale të kërkesës për të investuar në instrumentet e borxhit qeveritar. Për momentin, cikli i ri në ulje i interesave të bonove dhe obligacioneve, i mban të kontrolluara presionet për rritjen e interesave të depozitave dhe të kredive bankare.

Artikulli paraprak40 milionë euro kostoja e shkarkimeve politike nga puna
Artikulli tjetërKreditë e fshira, afro 40 miliardë lekë në dy vjet