Nxënësit rusë nën presion para protestës

Aleksej Navalni qëndron para kamerës dhe tregon me një pamje serioze se si ka bërë publicitet për vete ose si kanë marshuar të rinjtë me flamujt e tij. Në videon e tij, 41-vjeçari u drejtohet në mënyrë të qëllimshme nxënësve dhe studentëve dhe u bëri thirrje që të dilnin të hënën, më 12 qershor në një protestë në të gjithë vendin kundër korrupsionit.
Momenti për protestat mesa duket u zgjodh i menduar mirë. Është “Dita e Rusisë”, një ditë feste, e cila kujton shpalljen e pavarësisë ruse në vitin 1990. Në disa qytete demonstratat janë lejuar, në të tjera jo. Festimet gjithsesi pritet që t’i vështirësojnë arrestimet e protestuesve.

Medvejevi në shënjestër
Ky është aksioni i dytë i këtij llojit i “Fondacionit kundër korrupsionit” të Navalnit. Herën e parë, më 26 mars, në rrugë dolën mijëra vetë, nga Moska në Vladivostok. Në manifestime morën pjesë veçanërisht të rinj dhe shumë të rinj, gjë që e habiti shumicën e vëzhguesve.
Navalni i mobilizoi mbështetësit e tij para së gjithash përmes rrjeteve sociale dhe platformës së YouTube-t. Në YouTube ai shpërndau një film dokumentar për kryeministrin Dmitrij Medvedjev, të cilin e akuzon se zotëron në mënyrë të fshehur “pallate, jahte dhe punishte vere”. Medvedjevi e përgënjeshtroi. Zëdhënësja e tij e uli rëndësinë e filmit dhe e quajti “retorikë të fushatës elektorale”. Navalni ka shpallur tashmë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale në vitin 2018. Por pjesëmarrja e tij në zgjedhje pritet të dështojë për shkak të një dënimi. Një gjykatë e Moskës i kërkoi para disa ditësh Navalnit që ta fshijë filmin për Medvedjevin. Padinë e kishte paraqitur një oligark shumë i pasur, i cili e akuzon për gënjeshtra opozitarin.

Dëshira për ndryshim
Numri i pjesëmarrësve në aksionin e parë të protestës mesa duket i habiti edhe qarqet qeveritare. Nga Rusia vijnë herë pas here informacione, sipas të cilave mësuesit, docentët e shkollave të larta ose gjykatësit përpiqen që ta bindin rininë që të mos marrë pjesë në protesta.
“Ata më thanë që jam ende shumë i vogël dhe nuk ia kam haberin”, deklaron Dmitrij (emër i ndryshuar nga redaksia) për bisedën e tij para një komisioni të rinisë në një gjykatë moskovite. 17-vjeçari kishte qenë i pranishëm si në protestat e 26 marsit, ashtu edhe në ato të 2 prillit, por jo si pjesëmarrës, por si spektator, thotë ai. Të riun të dyja herët e arrestoi policia, për ta liruar më vonë.
Dmitrij thotë se Navalni është i besueshëm si politikan: “Ai shpesh përshkruan zhvillime objektive, të cilat i mbështet me fakte”. Numrin e madh të moshatarëve të tij në manifestimet e Navalnit ai e shpjegon me dëshirën e të rinjve “për të ndryshuar diçka në vend dhe për të marrë pjesë në ndryshim”.

Ndalim demonstrimi për të miturit
Por qeveria po mendon që ta përjashtojë këtë grup të rinjsh nga protestat politike. Argumentimi i saj është se të miturit keqpërdoren nga politikanë opozitarë si Navalni.
E para që përmendi një ndalim me ligj të pjesëmarrjes së të rinjve në demonstrata ishte në maj kryetarja e fuqishme e Këshillit të Federatës, Valentina Matvijenko. “Të miturit nuk janë as përafërsisht në gjendje që të marrin vendime të peshuara”, tha politikania në një intervistë dhënë një gazete. Mbështetje Matvijenko mori nga e Ngarkuara për të Drejtat e Njeriut, Tatjana Moskalkova. “Njerëzit që ende nuk i kanë të pjekura mendimet e tyre politike nuk duhet të bëhen objekte manipulimi dhe provokimesh”, tha Moskalkova.

Artikulli paraprakUdhëheqësi i opozitës arrestohet para protestës
Artikulli tjetërPaqartësitë politike në Britani për koalicionin e ri