Nuland-Basha: Tani në axhendë, zgjedhjet e lira

Tani në axhendën politike të Shteteve të Bashkuara dhe të opozitës shqiptare është një çështje e përbashkët; garantimi i zgjedhjeve të lira. Kryetari i PD, Basha ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretaren amerikane të Shtetit, Nuland për Reformën në Drejtësi dhe hapin e ardhshëm që janë zgjedhjet e lira në Shqipëri. Basha i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara një angazhim po aq impenjativ sa Reforma në Drejtësi në realizimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Përgjigja që ka marrë nga Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Nuland ka qenë se “SHBA do të jenë garante të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Në të gjitha bisedat e fundit të zhvilluara si me zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit ashtu edhe me Komisionerin për Zgjerim, kreu i opozitës ka vendosur në axhendën politike të Shqipërisë zgjedhjet e lira. Kjo do të duket një sfidë politike shumë herë më e vështirë dhe që do të kërkojë një angazhim të madh.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve do të jetë faktor determinues për stabilitetin e vendit. Krimi i organizuar në qeveri dhe shndërrimi i vendit në një Kolumbi të drogës paralajmërojnë zhvillime të forta politike. Rama u detyrua që të lëshojë Reformën në Drejtësi pas presioneve të forta të opozitës, Komisionit të Venecias dhe partnerëve kryesorë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, tani vëmendja e opinionit është e përqendruar tek sfida e zgjedhjeve të lira.

Nuland: Basha tregoi lidership

SHBA dhe BE po flasin me të njëjtën gjuhë politike. Pas Komisionerit për Zgjerim në BE edhe Ndihmë Sekretarja amerikane e Shtetit, Nuland flet për lidershipin e treguar nga Basha. “Ky sukses i Reformës në Drejtësi nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga zoti  Basha”. Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland, e cila shprehu përgëzimet e saj për arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij, iu drejtua Nuland Bashës. Ndihmës Sekretarja amerikane më tej theksoi se, ky sukses nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga zoti Basha. Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën vendimtare të zonjës Nuland për arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij. Basha shprehu vlerësimin e jashtëzakonshëm dhe mirënjohjen për ambasadorin Donald Lu, i cili ka luajtur një rol kyç në këtë proces të gjatë, të mundimshëm dhe të vështirë. Basha theksoi se ky proces historik u mbyll me sukses dhe duke garantuar standardet më të larta pikërisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që edhe një herë iu gjendën në krah Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në ngjarjet e tjera madhore që nga shtetformimi, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës. Sfida e ardhshme e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë po kështu një angazhim dhe mbështetje të madhe të SHBA theksoi kryetari i opozitës. Nuland e garantoi Basha për mbështetjen e SHBA për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha-Lajçak: Pas drejtësisë, sfida e zgjedhjeve të lira e të ndershme

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, që mban aktualisht presidencën e BE-së, Miroslav Lajçak.  Lajçak e përgëzoi Bashën për angazhimin me përgjegjësi të lartë dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes së konsensusit, si një kontribut madhor për vendin dhe qytetarët. Zbatimi me sukses i Reformës në Drejtësi është i një rëndësie të madhe për integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë theksoi zoti Lajçak. Beteja e Partisë Demokratike në procesin e Reformës në Drejtësi ka qenë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet europiane të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nënvizoi zoti Basha. Basha shprehu vlerësimin e tij për përkrahjen dhe mbështetjen që BE i ka dhënë këtij procesi. Sfida më e madhe që Shqipëria ka tani përpara janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi Basha. Lajçak e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e vendit të tij dhe të presidencës aktuale të BE-së, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Enton DOCI

Artikulli paraprakArrestohet nga policia e më pas lirohet kunati i Tahirit, shkarkohen 7 policë
Artikulli tjetërKompanitë kanë filluar të përballen me kostot e Brexit