“Nuk kam bukë në shtëpi”, vrau gruan dhe veten. Ja çfarë thoshte 56-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Librazhd, ku 56-vjeçari Qemal Bici qëlloi mbi bashkëshorten e tij Menderien, dhe më pas vari veten, ndërkohë që ngjarja e rëndë u zbulua nga fëmijët e çiftit, të cilët mbetën të tronditur nga tragjedia.

Pak muaj më parë autori ka dhënë një intervistë në prag të Vitit të Ri, ku ka komentuar gjithashtu edhe situatën e vështirë ekonomike, ndikuar nga pandemia e Covid-19.

“Jam 6 veta dhe jemi të gjithë të papunë, edhe përkrahjen sociale ma hoqën, nuk kam të paguaj as dritat dhe as thesin e miellit, nuk na përkrah askush, qeveria sheh Tiranën nuk sheh Librazhdin, nuk kemi as rrugë dhe as ujë të pijshëm, dhe ujin e vaditjes na e mori centrali, nuk kemi asgjë fare.

Mos të shkojë mendja se i gjithë ky popull këtu ka ardhur për të blerë, por kanë ardhur më shumë për të dalë se u mërzitën duke ndenjur në fukarallëk. Bëj një xhiro nëpër Pazar dhe shiko a gjen njeri me çantë në dorë duke blerë për Vitin e Ri. Nuk kanë asgjë fare. Unë sot kam blerë vetëm letra për të dredhur duhan. Ky është Viti Ri i imi, fukaralliku dhe pa bukë në shtëpi. Nuk kam bukë në shtëpi”, ka thënë Bici 5 muaj më parë.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Dyshohet se krimi i rëndë të ketë ardhur si rrjedhojë e një xhelozie mes çiftit. Mësohet se ata kanë pasur konflikte edhe më parë por që nuk i kanë ndjekur në rrugë ligjore. Autori i këtij krimi pinte shpesh alkool, ndërsa dyshimet i kishte se bashkëshortja e tij e tradhtonte me ish drejtorin e shkollës në Dragostunjë, ky i fundit pas disa konfliktesh ishte transferuar në një shkollë tjetër. Çifti kishte 4 fëmijë, ndërsa ka qenë djali i tyre 18-vjeçar që i ka gjetur të vdekur dy prindërit.

Artikulli paraprakPS po kërkon të kapë edhe Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, Voltana Ademi letër ambasadorëve
Artikulli tjetërZgjedhjet moniste të 2019/ Manjani publikon nenin që i jep të drejtë Kushtetueses që të mos pranojë tërheqjen nga çështja