Nuk është e vërtetë, por e besoj

“New Scientist”

Në nëntor Donald Trump ka hedhur poshtë sondazhet, duke u bërë Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Pak muaj më parë votuesit britanikë kishin vendosur ta nxirrnin Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Europian. Lëvizjet populiste rriten në të gjithë Europën, por sipas kundërshtarëve të tyre sigurojnë konsensuse duke e deformuar apo duke e injoruar të vërtetën. Politikanët i shmangen thelbit dhe thonë gënjeshtra. Gjithmonë ka qenë kështu dhe deri diku, është pasoja natyrale e një kulture të lirë dhe demokratike. Megjithatë, mesa duket sot jemi në një fazë të re, erën e “politikës të pas së vërtetës”, në të cilën gjëja e vetme është truthiness, sipas përkufizimit të komikut amerikan Stephen Colbert: një gjë që duket e drejtë, edhe pse nuk është e bazuar mbi faktet, dhe për të cilën njerëzit duan të besojnë sepse konfirmon parakonceptet e tyre. Gjatë viteve të fundit psikologë dhe politologë na kanë bërë të shikojmë se deri në çfarë pike jemi të gjithë viktima të truthiness, që na çon në një vizion të polarizuar të fakteve, nga siguria e vaksinave tek ndryshimet klimaterike të shkaktuara nga qeniet njerëzore. Problemi është se faktet i influencojnë më pak nga sa do të pritej opinionet e një specieje që quhet Homo Sapiens dhe duket se gjërat po përkeqësohen. Për të na hequr përvazat nga sytë, shkencëtarët po kërkojnë të kuptojnë kur dhe pse zgjedhim të kemi një vizion të pjesshëm të informacioneve.
Para së gjithash, le të sqarojmë një gjë: faktet janë një e mirë. Mund të jenë jokomodë apo tronditës, por vetëm duke përdorur zgjidhje racionale e të bazuara mbi faktet mund të shpresojmë që të përparojmë si shoqëri. “Diskutimet tona duhet të jenë të bazuara mbi një tërësi faktesh të pranuara dhe të ndarë, përndryshe është e vështirë që të krijohet një debat demokratik i dobishëm”, thotë Brendan Nyhan nga Dartmouth College. Në një botë empiristësh dhe racionalistësh, faktet dhe një vlerësim i kujdesshëm i provave empirike duhet të vendosin se çfarë premisash mund të pranojmë apo të refuzojmë. Fatkeqësisht, jemi sektarë. Në botën reale, të përbërë nga qenie njerëzore në mish e kocka, arsyetimi nis shpesh nga ide të krijuara dhe bën rrugëtimin e kundërt, në kërkim të “fakteve” që të konfirmojnë atë që tashmë mendojmë se dimë. Dhe ku ka fakte që i kundërshtojnë bindjet tona, gjejmë mjeshtërisht mënyrën për t’i injoruar.

Ndryshime klimaterike
Psikologët e quajnë “arsyetim i motivuar”. Le të marrim për shembull ndryshimet klimaterike. Këtu shkenca është pa ekuivoke: ndryshimet klimaterike ekzistojnë dhe janë shkaktuar nga aktiviteti i qenieve njerëzore. Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht rreziqeve për ata që do të vijnë pas nesh, shumë njerëz vazhdojnë ta mohojnë se ato po ndodhin. Motivi kryesor, sidomos në Shtetet e Bashkuara, është ideologjia. Një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, Pew Research Center ka botuar një studim mbi qëndrimin e ndryshëm të votuesve republikanë dhe demokratë karshi ndryshimeve klimaterike. Sipas studimit, republikanët janë më pak të bindur të besojnë se shkenca ka gjetur përgjigje ndaj ndryshimeve klimaterike: se u ka sqaruar vërtet ekzistencën. Për më tepër, republikanët besojnë se kërkimi është influencuar dhe nga opinionet politike e mania e bërjes karrierë e shkencëtarëve. Për demokratët shkaku i këtij qëndrimi është mungesa e kulturës shkencore. Sikur të ishte kështu.
Studimet e Dan Kahan nga Yale University tregojnë se, në kundërshtim nga sa ndodh me votuesit demokratë, konservatorët më skeptikë lidhur me ndryshimet klimaterike janë pikërisht ata që kanë një kulturë më të madhe shkencore. “Radikalizimi i debatit lidhur me ndryshimet klimaterike nuk i detyrohet paaftësisë për t’i kuptuar problemet”, thotë Kahan. “Ata që janë më shumë në gjendje të interpretojnë informacionet shkencore janë edhe më radikalët”. Sipas Kahan, ky paradoks i dukshëm i detyrohet arsyetimit të motivuar: kush është në gjendje të lexojë informacionet shkencore ka më shumë instrumente për t’i forcuar bindjet e tij dhe të kalojë në heshtje të vërteta jokomode. Në rastin e mohuesve të klimës, studimet tregojnë se shpesh motivacioni është promovimi i ideologjisë së tregut të lirë, që shtyn të rreshtohen kundër rregullimit publik të aktivitetit të nevojshëm ekonomik për të kundërshtuar ndryshimet klimaterike. Edhe demokratët i deformojnë faktet. Le të marrim armët e zjarrit. Kërkojnë ligje më shtrënguese për posedimin e armëve, pasi arsyetojnë se në qoftë se ka më pak armë, do të ketë edhe më pak krime të lidhura me armët. Republikanët përgjigjen se në qoftë se në qarkullim ka më pak armë, atëherë njerëzit nuk mund të mbrohen dhe kriminelët veprojnë, ja hedhin pa u ndëshkuar.
Pavarësisht përpjekjeve të kriminologëve, të dhënat në fushë janë kontradiktore. Gjithsesi, Kahan vëren se demokratët dhe republikanët reagojnë në të njëjtën mënyrë përballë të dhënave statistikore lidhur me efikasitetin e kontrollit të armëve: pranojnë ata që konfirmojnë bindjet më të përhapura të grupit të tyre politik referues dhe likuidojnë si të papërfillshme gjithçka tjetër. Kahan shton: “Sa më shumë të jesh i zoti me numrat, aq më shumë është i deformuar perceptimi i të dhënave”. Temat për të cilat kemi përvaza janë të shumta, nga legalizimi i drogave, duke kaluar tek fracking dhe emigracioni. Një prej rasteve studimore më emblematikë lidhur me forcën deformuese të arsyetimit të motivuar është vota për Brexit në Mbretërinë e Bashkuara. Duke analizuar përgjigjet e më shumë se 11000 përdoruesve të Facebook, kërkuesit e Online Privacy Foundation kanë vërejtur se si mbështetësit e Brexit, ashtu edhe kundërshtarët e tij qenë në gjendje t’i interpretonin me korrektësi informacionet statistikore kur bëhej fjalë për të vlerësuar nëse një krem i ri për lëkurën shkaktonte irritime lëkurore. Ky familjaritet me llogaritjet në fakt i braktiste kur gjendeshin përballë statistikash që vinin në diskutim themelet e pozicioneve të tyre, për shembull të dhënat mbi korelacionin midis emigracionit dhe rritjes apo rënies së kriminalitetit. Me fjalë të tjera, faktet nuk i bënin t’i rishikonin bindjet e tyre mbi bazën e provave empirike.
Stephan Lewandowsky, psikolog nga Bristol University, nënvizon një problem tjetër: sharmin e teorisë së komplotit. Në temën e ndryshimeve klimaterike “është e vështirë të theksohet se të gjithë shkencëtarët gabohen, është shumë më e lehtë të thuash se të gjithë janë të korruptuar” thotë Lewandowsky. Praktikisht, nga kërkimet e tij rezulton se shumë njerëz refuzojnë të besojnë tek ngrohja globale, pasi e konsiderojnë komplot dhe tentojnë që t’u besojnë edhe teorive të tjera të komplotit. Por ideologjia nuk shpjegon gjithçka. Gënjeshtra midis autizmit dhe vaksinës trivalente kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, që shumë e konsiderojnë një fiksim të majtë, në realitet është transversal në politikë. “Kundërshtimi ndaj vaksinave është një fenomen transversal që nuk u detyrohet përgjithësimeve më të lehta”, thotë Nyhan. “Nuk ekziston një faktor demografik që na ndihmon të parashikojmë se kush është më i prekshëm ndaj propagandës antivaksina”. Kështu, është e qartë se të gjithë kemi përvaza. Por si kemi arritur në pikën ku faktet nuk kanë më pothuajse asnjë vlerë? Ndoshta ka të bëjë mënyra me të cilën i sigurojmë lajmet. Menjëherë pas zgjedhjes së Trump, Mark Zuckerberg, administratori i deleguar i Facebook, është kritikuar pse ka menaxhuar atë që në fakt është një makinë gjiganteske informacionesh (ndoshta më e madhja e botës) pa vëmendjen e duhur kur ekziston kjo lloj përgjegjësie.
Në Shtetet e Bashkuara pothuajse 2/3 e njerëzve informohen nëpërmjet Facebook, që është ndërfutur për ta bërë të shikojmë lajme të ngjashme me ato që tashmë i kemi lexuar. Nuk është e vështirë të kuptohet sesi e gjitha kjo mund të amplifikojë efektet e arsyetimit të motivuar dhe ndoshta nuk është rastësi që raporti ynë tashmë i vështirë me faktet të përkeqësohen më tej me shpërthimin e rrjeteve sociale. Por eliminimi i “filtrit” të rrjeteve sociale dhe të detyruarit për t’u ndeshur me të vërteta shumë më jokomode nganjëherë nuk mjafton. Nga një studim me 1700 pacientë të realizuar nga Nyhan dhe Jason Reiler nga Exeter University del se mesazhet publicitare të bazuara tek faktet si ato të përdorura në fushatat e shëndetit publik nuk funksionojnë. Përkundrazi, nganjëherë kanë efekt të kundërt me atë të dëshiruar. Për shembull, mesazhet që zhbëjnë mitin e korelacionit midis vaksinave dhe autizmit praktikisht kanë ndihmuar që të bëhet qartësim, por kanë zbehur përdorimin e vaksinës trivalente tek prindërit që kishin një qëndrim tashmë armiqësor ndaj profilaksisë. Në të njëjtën mënyrë pamjet e fëmijëve të prekur nga sëmundjet që vaksina trivalente parandalon i kanë skeptikët akoma edhe më shumë skeptikë sesa më parë.
Kjo nuk do të thotë se zhbërja e miteve është një humbje kohe. Nyhan dhe Reiler vërejnë se më 2014, gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, fact checking ka kontribuar që të zvogëlohet hendeku midis pozicioneve të votuesve dhe realitetit të fakteve. Demokratët i rishikonin pozicionet e tyre kur pohimi i një politikani demokrat kundërshtohej dhe e njëjta gjë ndodhte në rreshtimin republikan. Studimet e Emily Thorson nga George Washington University në Washington arrinin konkluzione të ngjashme. Sipas Thorson, mjafton një mohim zyrtar për të zhbërë klishetë për shumë tema, nga arritja e borxhit publik amerikan në duart e Kinës në limite të presupozuara kohore për të rishkruar prezantimet e sistemit welfare. Problem është mbi tema më të diskutuara apo të rëndësishme zhbërja e miteve nuk mjafton. “Funksionon më mirë me temat neutrale mbi të cilat ka më pak motive preokupimi”, shpjegon Nyhan.
Në disa raste, forca bindëse e fakteve varet nga mënyra sesi janë ekspozuar. Në një dokument jo të botuar, Nyhan dhe Reiler vërejnë se informacionet e paraqitura nëpërmjet grafikëve i ndihmojnë njerëzit që të formojnë opinione më të sakta mbi një argument sesa informacionet e shkruara. Rezultati nuk ndryshon edhe kur kush vëren grafikun do të kishte motive ideologjike për t’i refuzuar konkluzionet. Sipas një teorie tjetër, njerëzit i refuzojnë faktet sepse kërcënojnë identitetin që kanë ndërtuar rreth vizionit të tyre për botën. Nëse është kështu, ndjenja e kërcënimit mund të theksohet duke forcuar vetëvlerësimin. Kur Nyhan dhe Reiler i kanë kërkuar një kampioni njerëzish për të rilexuar dhe për shkruar vlera që i konsideronin të rëndësishme – një ushtrim për të rritur vetëvlerësimin e quajtur vetafirmim – kanë zbuluar se truku funksionon, edhe pse efektet nuk janë njëlloj për të gjithë. Për shembull, votuesit republikanë që identifikoheshin më pak me partinë tentonin që të ishin më pak armiqësorë ndaj idesë së ngrohjes globale. Kurse për atë që identifikohej fuqimisht me partinë, vetafirmimi nuk kishte efekte apo deri forconte bindjet fillestare.
Deri pak kohë më parë kërkuesit nuk kishin hasur tipare të veçanta të personalitetit që e zbusnin arsyetimin e motivuar. Megjithatë, në vitin 2015 Kahan ka bërë një zbulim interesant për njerëzit që kërkojnë dhe konsumojnë informacione shkencore për kënaqësinë e tyre vetjake, një tipar i quajtur “kuriozitet shkencor”. Kahan dhe grupi i punës i tij kanë verejtur se, në ndryshim nga alfabetizimi shkencor, kurioziteti shkencor është i lidhur me një pranim më të madh të ndryshimit klimaterik të shkaktuar nga qeniet njerëzore, pavarësisht nga orientimi politik. Mbi një seri argumentesh, nga qëndrimi ndaj pornografisë tek legalizimi i marijuanës, nga emigracioni tek fracking, kurioziteti shkencor bën që të konvergojnë si progresistët, ashtu edhe konservatorët, në pozicione më të afërta me realitetin e fakteve.
Gjë ndoshta akoma më shumë inkurajuese, grupi punës i Kahan ka zbuluar se njerëzit më kureshtarë nga pikëpamja shkencore janë edhe më të hapurit ndaj tezave që janë në kontrast me ato të palës së tyre politike. Stimulimi i kuriozitetit shkencor dhe ndoshta rritja e influencës së njerëzve me këto karakteristika mund të kontribuojë në çtensionimin e grindjeve midis fraksioneve të kundërta. Kahan shikon shenja të tjera shprese. Njëra mund të stimulimi i atij që quhet “dualizëm konjitiv”, domethënë aftësia për të pasur dy opinione dukshëm kontradiktorë në të njëjtin moment. Është një fenomen i vërejtur në një studim të fundit të Pew Research Center lidhur me ndryshimet klimaterike: vetëm 15 për qind e republikanëve me orientim konservator pranon që ndryshimet klimaterike janë shkaktuar nga qeniet njerëzore, ama 27 për qind bie dakord për faktin se nëse do t’i ndryshonim zakonet për kufizimin e anhidridit karbonik, do të bënim një hap përpara në luftën kundër ngrohjes globale.

Siguracione
I njëjti dualizëm konjitiv kapet midis fermerëve amerikanë. Një sondazh i vitit 2013 midis fermerëve të Mississippi-t, North Carolina, Texas dhe Wisconsin ka treguar se vetëm një pakicë e të intervistuarve i pranonte ndryshimet klimaterike si të dhënë faktike. Por në të gjitha shtetet shumica e tyre ishte e bindur se ndryshimet klimaterike i kishin shtrënguar shumë fermerë që ta linin biznesin dhe se të tjerëve do t’u duhej që të ndryshonin mënyrën e të punuarit dhe të siguroheshin kundër efekteve negative të ngrohjes globale ndaj të mbjellave. Shumë e kanë bërë tashmë duke blerë kultura gjenetikisht të modifikuara ose duke blerë siguracione specifike. Shkaqet psikologjike e kësaj “gjendjeje mendore kuantike”, siç e quan Kahan, janë misterioze, por janë të rëndësishme sepse demonstrojnë që njerëzit raportohen me faktet në mënyrë shumë të ndryshme, mbi bazën e asaj sesa tema në fjalë është e lidhur me identitetin e tyre. Sipas Kahan, të pyesësh dikë se çfarë mendon për ndryshimet klimaterike e shkaktuara nga qeniet njerëzore është si ta pyesësh: “Kush je? Në cilën anë qëndron?”. Është për këtë që identiteti politik i influencon kaq shumë përgjigjet. Nëse në fakt fillohet e flitet për ndryshimet klimaterike në nivel lokal dhe personal, atëherë tema e humbet konotacionin e saj politik dhe bëhet një çështje më pragmatike. “Nuk ka pasur kurrë ndonjë epokë të artë të demokracisë në të cilën faktet mbizotëronin në opinionin publik apo debatin politik”, thotë Nyhan. “Por ja kemi dalë njëlloj”. Domethënë nuk ka më shpresë për faktet? Rivendosja e rolit të tyre nuk do të jetë e lehtë. Por pavarësisht vështirësive, Nyhan fton që të mos dekurajohemi. “Nuk duhet të nënvlerësojmë diferencat midis të sotmes dhe të kaluarës, kur ekzistonin mënyra të reja qarkullimi të dezinformacionit”, thotë ai. Edhe pse nuk kishte lajme çdo 24 orë në ditë dhe nuk kishin lindur akoma rrjetet sociale, politikanët ja arrinin njëlloj me sukses ta ndotnin debatin me informacione false.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakLajpcigu mposhtet sërish
Artikulli tjetërKush ishte mësuesi shpirtëror i Ertugrul