Nuk do ketë zgjedhje më 18 qershor

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje se më 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe se zgjedhjet do të bëhen vetëm me një qeveri teknike, e cila do të krijojë të gjitha kushtet për shqiptarët që të votojnë të lirë. Pa u krijuar kushtet që garantojnë votën, zgjedhje në Shqipëri nuk do të ketë. Basha ka paralajmëruar se qeveria teknike duhet të ketë kohën e mjaftueshme për të përmbushur reformat kryesore dhe në asnjë mënyrë të shihet si një zgjidhje e orës së fundit që në mënyrë tinzare të mos i lihet kohë për të bërë zgjedhjet. Basha tha se kjo nuk do të pranohet.
“Nëse mendon se mund ta zgjasësh deri ditë para zgjedhjeve dhe pastaj të ikësh gjoja me një qeveri teknike, që nuk ka kohë as forcë për të zbatuar ligjin për Dekriminalizimin, që nuk ka kohë as këllqe të luftojë kartelet e drogës që drekojnë e darkojnë me ty në atë sallë, që nuk ka as mundësi as vullnet, as kohë që të garantojë që çdo shqiptar të votojë, që askujt, asnjë shqiptari mos t’i mohohet e drejta e votës, duke i marrë kartën e identitetit, duke i bërë presion për vendin e punës, nëse mendon se një qeveri e tillë do të përbëjë alibi për tu lidhur me kauzën që ne kemi ngritur mbi shpatullat, zërin, mbi vendosmërinë e shqiptarëve për një Republikë të Re ku qytetarët janë zot dhe pushtetarët shërbëtorë, atëherë gabohesh rëndë. Koha tashmë po skadon.
Zgjedhjet e 18 qershorit në këto kushte nuk mund, dhe nuk do të mbahen!
Por zgjedhjet parlamentare do të mbahen sepse, qeveria teknike e vullnetit për të luftuar krimin, e vullnetit për të luftuar drogën dhe që do t’i japë mundësinë çdo shqiptari të votojë, e do t’u garantojë garë të lirë, të ndershme e të barabartë partive politike, po vjen dhe do të jetë realitet. Banda pushtetit të lidhur me krimin nuk mund dhe nuk do ta ndalë”, tha Basha.
Kryetari i PD paralajmëroi se orët e Republikës së vjetër janë të numëruara dhe se opozita është e gatshme për çdo betejë që do të garantojë votën e lirë.
“Ne jemi të sigurtë, të vendosur për këtë betejë, sepse e dimë që kjo nuk është beteja e radhës, por beteja e të gjithë betejave. Ne e dimë se mbi fitoren apo dështimin e kësaj beteje, nuk varet thjesht dhe vetëm fati i opozitës apo i PD, apo i disa individëve në politikë, por varet fati i Shqipërisë.
Ose do të kemi një Shqipëri të rrënuar e të zaptuar, ose do të kemi një Shqipëri europiane, ku qytetarët janë zot të fatit të tyre dhe ku pushtetarët ulin kokën, e jo anasjelltas. Kjo është Republika e Re dhe Republika e Re ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme sot dhe mot.
Dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë nevojë për një qeveri teknike, jo vetëm të zbatojë detyrat e shtruara nga populli, por dhe të ketë kohën për t’i zbatuar ato, ashtu siç duhet. Këto janë të vërtetat që kemi shpallur çdo ditë. Kjo është e vërteta që përsërisim sot, për t’i thënë koalicionit të 1 prillit, koalicionit të gënjeshtarëve, koalicionit të mashtruesve, koalicionit që mundohet ta trajtojë popullin e vet si budalla, se budallenj jeni ju, prandaj vejini gishtin kokës. Nuk ka kthim prapa.
Orët e republikës së vjetër janë të numëruara, nuk ka zgjidhje fasadë, nuk ka zgjidhje pazar, zgjidhja e vetme, zgjidhja e vërtetë është qeveria që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është e vërteta e plotë, e pacensuruar e pablerë, e pashtrembëruar dhe në këtë betejë, sot janë bashkuar më shumë se kurrë, më qartazi se kurrë, të gjithë shqiptarët, pa dallim bindje politike. Pa çliruar Shqipërinë nga krimi, pa çliruar Shqipërinë nga droga, as socialistët, as demokratët dhe asnjë shqiptar nuk do të shohë as një ditë të bardhë. Vendimi është marrë, vendimi është shpallur, beteja po shkon drejt fitores së garantuar”, tha Basha.

Ky është një revolucion paqësor

Lëvizja e inicuar nga opozita në Sheshin e Lirisë, e që sot ka marrë mbështetjen e popullit shqiptar ashtu si edhe faktorit ndërkombëtar është një revolucion paqësor që mbart vlera europiane.
“Dje e thashë fare qartë, por sot dua ta përsëris se jo vetëm Shqipëria, por Europa dhe bota mbarë e kanë kuptuar se kjo që po ndodh këtu në këtë shesh, kjo që po ndodh në zemër të Shqipërisë, në zemër të Europës, nuk është thjesht dhe vetëm një lëvizje opozitare, por është një revolucion paqësor për Shqipërinë europiane dhe vlerat europiane dhe euroatlantike.
Vlerë esenciale e kulturës dhe e civilizimit europian është e vërteta.
Ashtu siç është. Dikujt i pëlqen e dikujt jo. Shumë të vërteta i bashkojnë kombet, të tjera i ndajnë në palë të ndryshme me bindje të ndryshme, por e vërteta dhe shpalosja e së vërtetës është themel i qytetërimit europian.
Mbi këtë themel ndërtohet vlera bazë e demokracisë. Demokracia apo qeverisja është një kontratë mes popullit, qytetarëve me të drejtë vote, të cilët delegojnë të drejtën e tyre sovrane, natyrale, hyjnore që e kanë nga Zoti dhe nga asnjë qeveri apo parti politike, tek një grup që merr besimin në bazë të premtimeve dhe programeve.
Pjesa tjetër e kësaj vlere ka të bëjë me postulatin e vetëkuptueshëm se, nëse ai që kërkon dhe merr votën në bazë të programit, dështon të përmbushë pjesën e vet të kontratës, nuk largohet populli, por largohet qeveria, largohet pushteti”, tha Basha.
Kreu i PD ironizoi edhe ditën e 1 prillit, si ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin PS-LSI, ndërsa tha se sot, katër vjet nga ajo marrëveshje shqiptarët kërkojnë largimin e kësaj qeverie si dhe garantimin e votës së lirë.
“Mekanizmi europian, euroatlantik, demokratik është largimi me votë. Gjykimi me votë dhe largimi me votë. Këto ju i dini fare mirë dhe i dinë edhe brezi i ri i shqiptarëve dhe pikërisht këtu qëndron problemi i madh që ka sot kjo qeveri dhe ky kryeministër.
Sot më 1 prill që në Shqipëri njihet si dita e gënjeshtrave, sot më 1 prill dhe katër vjet pas 1 prillit të koalicionit aktual në pushtet, Edi Rama e di fare mirë se me gjykim popullor, me votë të lirë dhe të ndershme është i rënë dhe i larguar një herë e mirë nga qeverisja. Ndaj shpresa e tij e vetme është ta ndalojë dhe ta deformojë këtë gjykim popullor me votë.
Sot nuk është rasti të lexojmë listën e gjatë të premtimeve që u kthyen njëri pas tjetrit në mashtrime. Nuk ka nevojë ta bëjmë, sepse premtimet e kthyera në mashtrime janë fakt, vuajta e përditshme e miliona shqiptarëve këtu, nga jugu në veri është fakt, dhe atje ku i ka larguar halli i madh në emigracion, ku më shumë se 250 mijë sot gjenden si rezultat i shkatërrimit të çdo perspektive për një jetë normale në Shqipëri”, u shpreh kreu i PD.

Një bandë hajdutësh nuk mund të trajtojë shqiptarët si budallenj

Një mesazh të prerë ndaj Ramës përcolli dje Basha nga Sheshi i Lirisë, ndërsa theksoi se një bandë hajdutësh e njëtrajtësuar me krimin e narkotrafikun nuk do të mund të trajtojnë shqiptarët si budallenj.
“1 prilli njihet si dita e gënjeshtrave në Shqipëri, por 1 prilli është një ditë ndërkombëtare. Në anglisht 1 prillit i thonë “fools’ day”, që përkthehet “dita e budallenjve”. Dita e budallenjve, pavarësisht se mekanizmi është i njëjtë, shpiken gënjeshtra, shpiken të paqena dhe këto pastaj trajtohen si shaka në kurrizin e atyre që i hanë dhe kjo me siguri, ndonëse nuk e kam analizuar shkencërisht, duhet të jetë edhe kuptimi i fjalës dita e budallenjve.
Dhe me siguri në paktin e 1 prillit 2013, teksa përpunoheshin gënjeshtrat e mëdha për shëndetësinë falas, për 300 mijë vende pune, bashkautorët kanë qeshur apo nënqeshur, sepse jo vetëm ka qenë dita e gënjeshtrave, por kanë menduar se kjo ka qenë edhe dita për t’i trajtuar shqiptarët si budallenj, që mund t’i gënjesh, mund t’i mashtrosh, mund t’ua marrësh votat dhe pastaj të bësh çfarë të duash me ta.
E pra, sot e tash 7 javë, duke hyrë e 8-ta, shqiptarët janë këtu në këtë shesh me trup, me mendje, me shpirt dhe ne kemi një mesazh për Edi Ramën dhe për koalicionin e 1 prillit; budalla është ai që pranon të trajtohet si budalla dhe shqiptarët kanë vendosur të mos pranojnë më kurrë të trajtohen si të tillë nga një bandë hajdutësh e bërë njësh me krimin e organizuar”, tha kreu i PD.
Basha deklaroi se vetëm fitorja e lëvizjes së popullit shqiptar dhe opozitar për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të mund të ndryshojë kursin e Shqipërisë drejt të ardhmes dhe zhvillimit.
“Asgjë nuk ka për të ndryshuar; as çmimi i naftës, as akciza mbi naftën, as mirëqenia e shqiptarëve, as shëndetësia, as arsimi, as punësimi, as pensionet dhe as ndihma sociale, as çmimi i energjisë, asgjë nuk ka për të ndryshuar në këtë vend, nëse nuk thyejmë cop e çikë aleancën midis krimit dhe politikës, kriminelët në pushtet dhe pushtetarët e bërë njësh me krimin.
Ne e kemi kuptuar këtë fare mirë prej fillimit, ju e dini këtë. Dhe këtij fakti, këtij postulati, këtij vendimi të madh i kemi dhënë forcë me bashkimin e madh popullor të 18 shkurtit që rritet dhe zmadhohet çdo ditë në një konsensus kombëtar, qytetar dhe europian.
Asgjë, nuk ka për të ndryshuar me një grusht oligarkësh hajdutë më pak se gishtat e një dore, që marrin dhe zotërojnë pasuritë e vendit, gjithë tenderat e qeverisë, koncesionet, kontratat e partneritetit publik-privat, paratë e shqiptarëve.
Asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse kjo betejë nuk arrin qëllimin e saj dhe qëllimi është t’i kthejë shqiptarëve të drejtën europiane për të vendosur të lirë, me votë, se kush i qeveris dhe për të shkarkuar të lirë, me votë, ata që keqqeverisin. Kjo është esenca e kësaj beteje të madhe.
Ne duam një Shqipëri të përparuar dhe të zhvilluar, pa krim, me konkurencë, me mundësi për çdo shqiptar sipas aftësive e talentit të tij apo të saj, dhe me mundësi edhe për ata më të pamundurit që të mos mbeten mbrapa, por të jenë pjesë e familjes së madhe kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Por që të arrijmë këtë, duhet dhe do të çmontojmë nga rrënjët koalicionin e 1 prillit, zakonin e 1 prillit, vesin e 1 prillit, trajtimin e popullit si budalla nga një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë”, u shpreh kreu i PD.
Basha shprehu shqetësimin për blerjen e mediave nga Rama dhe censurën që ato po aplikojnë, duke iu nënshtruar diktatit të Ramës dhe kontrollit të plotë të tij.
“Vendimi është marrë dhe sot i shkon për shtat t’i themi se në këtë 1 prill, budallenjtë i kemi pas kësaj fasade që kujtojnë akoma se kjo mund të zgjidhet me pazare, me mashtrime, me lobime, me paratë e narkomafies shqiptare, se mundet akoma t’i hedhin hi syve shqiptarëve, me mediat e 1 prillit. Mediat mashtruese të 1 prillit, të cilat sigurisht nuk e kemi fjalën as për gazetarët, as për operatorët, të cilët meritojnë t’u japim mirënjohjen tonë për gjithçka kanë bërë dhe bëjnë, por e kemi fjalën për ata anëtarë të një korporate, të një çete hajdutësh dhe kriminelësh që kanë futur duart në të njëjtin sahan, ata përfituesit e miliona eurove që i morën nga qeveria.
Po qeveria nga i mori? I mori nga xhepat e shqiptarëve për të blerë median, për t’i mbyllur gojën mediave, për të transformuar të vërtetën.
Dhe sot, le t’i themi mediave të 1 prillit, se asgjë nuk ka ndryshuar në kushtet që ne i kemi vënë kësaj qeverie prej datës 18 shkurt. Nuk ka, e nuk do të ketë asnjë kusht të ri. Por nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kushtet dhe vendimet që shqiptarët shpallën njëzëri në këtë shesh; Qeveri teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të realizojë dhe do të zbatojë dekriminalizimin, që do të luftojë me të vërtetë dhe jo alla-Xhafa drogën, trafiqet e drogës dhe paratë e drogës, që do të sigurojë të drejtën sovrane të çdo shqiptari e shqiptareje për të votuar i lirë, i pashantazhuar dhe i pablerë, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe këtu, gatishmërinë tonë për t’i shkuar deri në fund zbatimit të Reformës në Drejtësi, sipas paktit popullor të 22 korrikut, dhe jo sipas kulisave Rama-Shullazi.
Kjo dhe vetëm kjo është e vërteta nga e cila nuk tundemi dhe nuk ka forcë të na largojë nga ndjekja deri në sukses, deri në fitoren e objektivave të shpallura botërisht”, u shpreh Basha.

Dy taksat e Ramës që rritën çmimin e naftës

Çmimi i lartë i naftës është një ndër problemet që përballen shqiptarët sot. Kreu i PD, Basha u ndal dje tek çmimi i lartë i naftës si dhe cilësi e saj në treg, ndërsa tha se çështja e hidrokarbureve është në listën e gjatë të mashtrimeve të qeverisjes Rama.
“Ju keni zgjedhur sot të diskutoni për një problem të mprehtë që po kështu është pjesë e mashtrimeve të koalicionit të qeverisë së 1 prillit, që është problemi i çmimit dhe cilësisë së hidrokarbureve dhe impaktit që kjo ka për ekonominë kombëtare, për ekonominë familjare dhe fatet e çdo shqiptari.
Këtu, folësit e thanë fare qartë, me gjuhë të thjeshtë dhe popullore, se çmimi i rritur i naftës, çmimi i rritur i gazit, çmimi i rritur i energjisë elektrike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së varfërisë, përmes rritjes së kostos së jetesës, sepse nafta më e shtrenjtë, do të thotë produkte më të shtrenjta, do të thotë shërbime më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Basha.
Kreu i PD solli në vëmendje faktin se çmimi i naftës ndikon në mënyrë direkte në të gjitha çmimet e mallrave të konsumeve. Basha tha se, Shqipëria është vendi me çmimin më të lartë të naftës për shkak të taksave të shtuara ndaj hidrokarbureve.
“Edhe për ata që nuk disponojnë një mjet, një makinë, apo motor që djeg naftë, paguajnë që nga momenti kur hapin sytë në mëngjes e deri sa shtrihen për të fjetur në darkë, qindarkë më qindarkë çmimin e rritur të naftës. Tek buka që blejnë, tek fatura e ujit që paguajnë, tek shërbimet që marrin dhe jo vetëm shërbimi i urbanit që u rrit brenda natës me 33%, ndërkohë që cilësia e ofruar është e njëjta ose më keq.
Tek çdo shërbim, sepse nafta është gjaku i ekonomisë. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet për sa kohë që është i vetmi mjet i vënies në lëvizje të mjeteve të punës në ekonominë moderne.
Pra, është fare e qartë se, çmimi i naftës ka një ndikim të drejtpërdrejt si pakkush në çmimet e jetesës në një vend. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon. Kjo e shtyu para 4 vjetësh kryeministrin aktual të premtonte uljen e çmimit të naftës për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për kategori të veçanta siç janë fermerët. Por ju e dini fare mirë se, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ulur çmimin e naftës.
Sot bredh vend më vend, duke thënë se çmimi i naftës është çmim i bursës. Kjo është një gënjeshtër e trashë. Padyshim tregjet bëjnë punën e tyre dhe çmimi i naftës në tregje financiare nuk caktohet dhe nuk mund të përcaktohet nga qeveria.
Por a nuk ishte Edi Rama që rriti jo një herë, por dy herë akcizën mbi hidrokarburet 120 lekë në fillim të vitit 2014, 120 lekë në fillim të vitit 2015. Sot çdo litër naftë është 240 lekë më i shtrenjtë jo për shkak të tregjeve, por për shkak të mashtruesit, gënjeshtarit kryeministër, i cili rriti akcizën e naftës”, tha kreu i PD.

Artikulli paraprakTrafiku i drogës së drejtorit të Policisë së Vlorës me gomone
Artikulli tjetërNishani: Duhet të garantohen standardet e zgjedhjeve