Nuk bëjmë kompromis me drogën

Sali BERISHA

Ulur këtu në këtë çadër, duke dëgjuar miqtë e mi, shikuar anash më erdhi në mendje viti ‘90. Më erdhi në mendje viti kur këto ishin pallatet e krimit, ndërsa ne ishim në rrugë, luftonim, përpiqeshim për Shqipërinë tjetër, për Shqipërinë e lirive dhe të votës së lirë. Sot duhet ta themi haptas, përsëri kemi dy botë, kemi ata, të cilët me sakrifica të jashtëzakonshme po lajnë këtë shesh me sakrificën dhe idealet e tyre, për vete dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, ndërsa përballë përsëri pallatet e krimit, pallatet e drogës, pallatet e dhunimit të votës. Edi Rama, këto kohë, i braktisur totalisht nga shqiptarët, ka dalë me moton “Shqipëria e karriges sime”. Ajo që ai shkruan prapa shpinës së tij “Shqipëria që duam” nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria që do ai vetëm për karrigen e tij. Çdo ditë ai është i njëjtë, një dhe vetëm një. Para se t’u thotë shqiptarëve mirëmëngjes, ai lëshon një gënjeshtër. Kudo ku shkon, në çdo vend, në çdo rrugë, në çdo shesh e në çdo sallë mashtron, mashtron dhe vetëm mashtron. Dje po inauguronte një spital, të cilin katër vjet më parë e ka inauguruar Ilir Meta. Para disa kohësh bëri gati të inauguronte tunelin e Elbasanit.
Mania e gënjeshtarit të humb mendjen, fillon e beson gënjeshtrat e tua. Kjo është Shqipëria e karriges. Premtoi 300 mijë vende pune. Mashtron shqiptarët e iu thotë se kam krijuar 230 mijë vende pune. Banka Botërore i deklaron Ballkanit dhe botës se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku nga viti 2010 deri më 2016 kanë krijuar gjithsej 235 mijë vende pune. Për Ramën nuk ka rëndësi sa vende pune janë krijuar, rëndësi ka mashtrimi që lëshon në treg dhe që ai mendon se shqiptarët e besojnë.
Edi Rama premtoi autostrada, korridore, premtoi Korridorin Blu, Korridorin Veri-Jug, por s’ka përfunduar dot as 1 km rrugë, se Shqipëria e karriges është Shqipëria që ai e vjedh nga mëngjesi deri në darkë. Shqipëria që ndërtohet është Shqipëria e punës, Shqipëria e transparencës, ne nuk e duam këtë Shqipëri, ne duam Shqipërinë e votës së lirë, ne luftojmë për Shqipërinë e votës së lirë.
Shqipëria që do Edi Rama është Shqipëria e karriges së tij. Pasi ai, për karrigen e tij, krimin e ka derë, e ka lavdi, e ka shtyllë kryesore të pushtetit, sepse me krimin ai emëron rektorët, sepse me krimin ai i thotë kryetarit të opozitës mbylle gojën se të heq kokën, sepse me krimin ai vjedh kasafortat më sekrete të shtetit, sepse me krimin fut tmerr dhe neveri njerëzve të pambrojtur, ndërsa ne duam Shqipërinë e votës së lirë dhe jemi të bindur se kjo është rruga për Shqipërinë europiane. Edi Rama do Shqipërinë e drogës, sepse ajo është Shqipëria e karriges së tij.
Por dhe ne e dimë që droga është para, por e dimë që droga është krim, është shkatërrim, e dimë që asnjë vend nuk është zhvilluar nëpërmjet drogës, e dimë që pasojat e saj janë katastrofale për një komb. Ndaj dhe ne qëndrojmë të palëkundur në Shqipërinë e votës së lirë sepse kjo është Shqipëria që i çon shqiptarët drejt Europës. Ne nuk bëjmë kompromis dhe s’do të bëjmë kurrë me drogën, sepse ne, me një akt të tillë kemi kthyer krimin në të ardhmen e shqiptarëve dhe kjo do të ishte ndëshkimi më i madh.

Artikulli paraprakÇadra ndan dy botë
Artikulli tjetërEnrike duartroket Juventusin