Një revolucion popullor, e vetmja rrugë për të çliruar Shqipërinë nga krimi

Një kryengritje mbarëpopullore sipas ish-Kryeministrit Berisha është e vetmja zgjidhje për shkuljen e krimit nga pushteti dhe kthimin e tij në duart e qytetarëve. Berisha reagoi dje ashpër në lidhje me dorëheqjen e detyruar të kreut të SHISH Visho Ajazi, ndërsa solli në vëmendje dosjet e SHISH që dokumentojnë lidhjet e qeverisë me bandat dhe trafikun e drogës.
“Në kulmin e krizës, në një kohë kur çështja e kanabis u ndërkombëtarizua në mbarë botën, në një kohë kur shqiptarët dhe bota mori gjithë dokumentacionin e antimafies italiane, se trafiqet në Shqipëri i drejtonte vetë ministri i antitrafikut, pra Saimir Tahiri, në një kohë kur në ekzekutivin shqiptar kishte vetëm një zë të fuqishëm kundër kanabisit, trafiqeve dhe krimit të organizuar dhe ky ishte Shërbimi Informativ Kombëtar, në vend se të qërrohet Haki droga, largohet nga detyra shefi i SHISH për fajin e vetëm sepse, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës i raportoi me dhjetëra dhe qindra herë kryetarit të shtetit, por dhe vetë Noriegës, për narkoshtetin dhe zhvillimin e tij në Shqipëri. Kjo lëvizje in ekstremis përbën revanshin më të fuqishëm të narkoshtetit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur tek skandali i radarëve, Berisha kujtoi se nga shtatë radarë në të gjithë vendin katër prej tyre u bllokuan për t’u lehtësuar rrugën bandave të trafikut të drogës. “Qeveria e Noriegës bllokoi radarët. Nga shtatë radarë vetëm tre në funksion. Dhe nga e gjithë ajo që kemi denoncuar, ditën që narkoministri fliste këtu, trageti nga Durrës nisej i shoqëruar para dhe mbrapa nga dy skafe, të cilat kapeshin për bukuri në radarë, por nuk shiheshin nga sytë e mendjes të atyre që ishin përpara, sepse urdhri ishte ‘t’i lëmë të kalojnë’. Njëri u kap në brigjet italiane, ai që kishte tre tonë nuk dihet se ç’u bë”, tha Berisha.
Berisha i kërkoi Ramës të japë llogari para shqiptarëve për të gjitha megaaferat në katër vitet e qeverisjes së tij, ndërsa ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e borxhit në nivelin stratosferik prej 85%.
“Jep llogari para shqiptarëve për vjedhjet monstruoze që bën me check up-in. Praktikë unike hajnie kjo. Jep llogari për borxhin që e ke ngritur në 85% dhe po e çon në 90%. Sot po diskuton për buxhetin, ky është buxheti më diskriminues në historinë e popullit shqiptar, që kur është bërë buxheti i parë e deri sot. Nuk ka një buxhet që të përjashtojë pothuajse totalisht shqiptarët nga Miloti deri në Tropojë, nga një urrejtje patologjike racore e njeriut që thotë se po më akuzojnë prokurorët tropojanas. A ka racizëm më të shpëlarë e më primitiv se sa ky? Sipas tij, origjina krahinore është përcaktuese nëse mund të hetojnë apo jo Noriegën e shqiptarëve dhe të akuzojnë zyrtarët e tu të korruptuar. Çfarë fryme sjell ti me këto qëndrime dhe fjalë? Ti me buxhetin tënd mbjell përçarjen më të madhe”, tha Berisha.
Gjithashtu ish-Kryeministri Berisha theksoi se ajo që ndodhi 2 javët e fundit në Shqipëri u paralajmërua 4 vite me radhë nga opozita shqiptare në Parlament, në platformën e saj në Partinë Demokratike, në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë.
“Ajo që ndodhi 2 javët e fundit në Shqipëri u paralajmërua 4 vite me radhë nga opozita shqiptare në Parlament, në platformën e saj në Partinë Demokratike, në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. Por çdo fjalë, çdo kritikë, çdo fakt i paraqitur këtu për ministrin e Brendshëm që drejtonte trafiqet, kryeministrin që e mbronte dhe e mbulonte atë me të gjithë fuqinë e pushtetit ekzekutiv, nuk patën efektin që duhej të kishin në çdo vend të lirë. Përkundrazi, revanshi i krimit vazhdoi. Në Shqipëri u mbollën në vitin 2016, 8 milionë rrënjë kanabis, në Shqipëri u magazinuan në tunele, magazina shtetërore e vila mbi 10 mijë tonë kanabis. Dhe ajo shifër që thuhet, 1.3 miliardë është vetëm dora që ka dalë në qarkullim. Shqipëria kishte plantacionet më të mëdha të kanabisit në Europë dhe në botë, ndërsa Adriatiku ishte autostrada kryesore e trafikut të kanabisit në një flotilje të përgatitur që shkon gjatë këtyre viteve në dhjetëra e dhjetëra gomone, skafe dhe mjete të tjera transporti”, u shpreh Berisha.

Artikulli paraprakEdi Rama po prish shtëpitë e himariotëve, që të ndërtojë vëlla Olsi
Artikulli tjetërKarteli dhe mbreti i ri i drogës në Europë me 1.3 miliardë euro në vit