Një revolucion i heshtur i vërtetë!

Me t’u zgjedhur presidente e partisë, gradualisht Merkel fitoi popullaritet dhe konsensus, por në zgjedhjet e 2002, për të sfiduar Kancelarin në fuqi Gerhard Schröder, u preferua Edmund Stoiber. Mënyra e zgjedhjes për të mos kandiduar lidhet edhe me të famshmin Andenpakt, atë pakt midis eksponentëve të CDU-së, midis të cilëve Roland Koch, Christian Wulff, Friedbert Pflüger, Friedrich Merz, Franz Josef Jung e Matthias Wissmann, që i përkiste kohës ku ishin pjesë e CDU-së së re dhe që parashikonte marrëveshjen për të mos penguar njëri-tjetrin. Merkel e njihte këtë pakt midis meshkujsh, por ia kishte nënvlerësuar forcën dhe kështu që u la mënjanë. Gjithsesi, do ta gjejë mënyrën e rikthimit. Zgjedhja e Unioni ra mbi Edmund Stoiber, lider i CSU-së, partisë binjake bavareze. Strategjia e Merkelit është lineare, por jo të gjithë e kuptojnë deri në fund. Merkel është e vetëdijshme se mundja e Gerhard Schröder do të jetë e vështirë dhe Edmund Stoiber është shumë bavarez sa për të siguruar një konsensus të madh në të gjithë Gjermaninë. Merkel lejon që Stoiber të jetë ai që do të udhëheqë Unionin (CDU/CSU) në fushatë elektorale, ama me kusht që me nisjen e legjislaturës së re, grupi i ri parlamentar të drejtohet prej saj, e cila në këtë mënyrë përgatitet të drejtojë të gjithë trupën e Unionit në Bundestag pa pasur rivalë. Stoiber, në përputhje me projektin merkelian, humbet dhe me këtë humbje Merkel mund ta shtojë viktimën e tretë të shquar në bllokun personal të saj.
Në 2002 u bë Kryetare e Grupit Parlamentar të Federatës CDU–CSU, rol në të cilin u konfirmua edhe në 2003 me 93.7% të votave. E mbuloi këtë rol deri në fund të legjislaturës në 2005, aq sa qe ajo që udhëhoqi opozitën konservatore ndaj qeverisë së qendrës së majtë. Strategjia e saj ka funksionuar për mrekulli. Edhe një herë akoma arrin që të sjellë në avantazh të saj një humbje të partisë (atë në zgjedhjet federale të 2002), që i ka hapur rrugën për t’u bërë kandidate për kancelariatin e qendrës së djathtë në zgjedhjet e radhës. Por rruga që do ta çojë në drejtimin e Gjermanisë është ende e gjatë.
Si lidere e opozitës u dallua për disa pozicione në kontrast të plotë me qeverinë e Schröder. Rreshtohet kundër programit të braktisjes së energjisë bërthamore dhe në favor të pushtimit të Irakut, duke sponsorizuar aksion transatlantik midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. më pas rreshtohet kundër hyrjes së Turqisë në Bashkimin Europian. Qysh nga këto pozicione shikohet Angela Merkel e qeverisë që do të jetë në të ardhmen: europeiste, “atlantiste” dhe nukleariste (të paktën deri në incidentin e Fukushimës).
Gjatë viteve të opozitës fiton rolin e sfidantes së Gerhard Schröder. Më 1 tetor të 2003 mban një diskutim në Deutsches Historisches Museum të Berlinit, falë të cilit i imponohet opinionit publik gjerman, duke i shpjeguar sesi do të donte ta ndryshonte Gjermaninë. “Kapaciteti prodhues i ekonomisë tonë zvogëlohet; institucionet shtetërore janë të cfilitura dhe degjenerojnë në burokraci; shumë palë të vogla lëvizin, por tërësia shënon hapin. Raporti i fundit i FMN-së e paraqet Gjermaninë si një prej vendeve kryesore të frenuara […] Gjermania ndodhet përpara një udhëkryqi: o dorëzi, o rilançim dhe ngritje. Do të doja që të gjitha ata që marrin përgjegjësi në këtë vend t’i dallonin shenjat e kohës. Nuk po përjetojmë as një krizë konjukturale, as vetëm një krizë strukturore […] E mira jonë e përbashkët ka nevojë për liri, solidaritet dhe drejtësi. Jeta jona e përbashkët ka nevojë për një orientim të këtyre tri vlerave në raport midis tyre dhe saktësisht në favor të lirisë […] me qëllim që solidariteti dhe drejtësia të mund të shihen sërish, është e nevojshme që liria të ringrihet masivisht në hierarkinë e vlerave tona”.
Qe një diskutim mjaft i rëndësishëm, pasi Merkel deklaroi hapur se Gjermania kishte nevojë për reforma ekonomike të thella. Faktikisht, në këtë mënyrë kandidohet tashmë për të drejtuar vendin. Veç të tjerash, centraliteti i lirisë do të kthehet disa vite më pas në diskutimin e saj programatik në Bundestag, pak ditë pasi është bërë Kancelarja e parë e Republikës Federale Gjermane.
Vitet nga 2003 në 2005 janë vendimtare për profilin e saj antiSchröder, por edhe për ekuilibrin e pushtetit brenda CDU-së: Christian Wulff zgjidhet President i Saksonisë së Poshtme, Roland Koch konfirmohet President në Assia, Peter Müller konfirmohet President i Saarland dhe Jürgen Rüttgers arrin të marrë një bastion socialdemokrat, North – Rhin Westfalia. Në fakt, të gjithë “gjigantët” kristian–demokratë degdisen në nivel rajonal: prej interesit, bindjes apo nevojës. Angela është gjithnjë e më shumë liderja kombëtare e CDU-së. Rruga për të qenë kandidat kancelare bëhet gjithnjë e më e lirë dhe u bë e qartë se Angela nuk është as targetuese, as lidere kalimtare. Fati i Merkel dhe i CDU-së janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhur midis tyre.

Dueli me Schröder
Një moment kyç është përfaqësuar nga zgjedhjet në North Rhin – Westfalia të 2005, landi gjerman me popullsinë më të madhe. Këtu zgjedhjet janë aq të rëndësishme sa të konsiderohen zgjedhje të vogla federale, pasi rezultati, duke parë madhësinë dhe rëndësinë e landit, ka gjithmonë pasoja në Berlin. Kështu ndodhi edhe në majin e 2005, kur kandidati Rüttgers i CDU-së mundi Peer Steinbrück e SPD-së dhe pushtoi feudin socialdemokrat. Në këtë mënyrë, mazhoranca qeverisëse humbet shumicën në Bundesrat. Kancelari Schröder jep dorëheqjen dhe cakton zgjedhje të parakohshme. Do të duhej të votohej në 2006. Kështu, do të votohet një vit më përpara. Ngjarjet shkojnë në një drejtim që duket se e lehtëson projektin merkelian. Partitë organizohen dhe më 30 maj të 2005 Angela Merkel bëhet kandidatja e qendrës së djathtë për zgjedhjet e parakohshme të shtatorit 2005.
Angela Merkel dhe Unioni e nisën fushatën elektorale si favoritë të mëdhenj dhe me një avantazh të madh në sondazhe respektivisht koalicionit qeverisë të qendrës së majtë (SPD – Të Gjelbër). Më 17 gusht, Merkel paraqiti ekipin e saj, “Kompetenzteam” e saj: Paul Kirchhof (ekspert finance), Wolfgang Schäuble (CDU), Peter Müller (President i Saarland), Dieter Althaus (President i Turingia), Günther Beckstein (Ministër i Brendshëm i Bavarisë), Ursula von der Leyen (Ministre e Përkrahjes Sociale në Saksoninë e Poshtme), Annette Schavan (Ministre e Kulturës në Baden-Württemberg) dhe Gerda Hasselfeldt (CSU). Shumë prej këtyre, siç do ta shohim më pas, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së parë Merkel.
Fushata elektorale ka tone të zjarrta, Kancelari në fuqi Schröder e radikalizoi më tej mbi personin e saj. E dinte se ishte më karizmatik se ajo dhe zgjodhi rrugën e përplasjes së drejtpërdrejtë me Angela Merkel, e cila demonstroi se ishte e papërgatitur dhe e çfazuar respektivisht aftësive retorike dhe forcës shkatërrimtare mediatike të Schröder. Siç kujton Dirk Kurbjuweit në biografinë e tij për Angela Merkel: kontakti me qytetarët nuk është forca e saj.
Gjatë fushatës elektorale të 2005 kam vëzhguar si Merkel, ashtu edhe Schröder. Kandidati i SPD-së e dominonte publikun, shtrëngonte duart, bënte qindra fotografi dhe jepte pafundësisht autografe; sfidantja e CDU-së ishte më e ndrojtur, më e matur, thuajse e paaftë për të një kontakt me qytetarët. Merkel kishte vështirësi në lidhjen e raporteve me votuesit, me popullin. Por me kalimin e kohës edhe është përmirësuar në këtë aspekt, është më pak e akullt. Mund të vërehet komode në një festë të Würstel apo në Oktoberfest.
Shenja e evolucionit komunikues të Merkel mund të shikohet edhe nga pushimet e kohëve të fundit në Ischia. E kthyer bashkë me bashkëshortin në restorantin e preferuar të tyre, kërkoi kamarieren e zakonshme, por ju komunikua se ndërkohë ishte pushuar nga puna. Të zhgënjyer, Kancelarja dhe i shoqi i saj kanë shkuar ta takojnë në shtëpi, duke i bërë një surprizë.
Komunikimi i Angela Merkel ka evoluar falë internetit. Aftësitë komunikuese të saj janë përmirësuar ndjeshëm sot falë një pranie gjithnjë e më të madhe në web (por jo në Twitter) dhe instrumentave novatorë të kontaktit e të komunikimit me qytetarët, si për shembull videomesazhet e shumta. Veç kësaj, Merkel duket shumë më komode në publik ku shpesh arrin edhe të thotë batuta therëse apo të vendosë një raport më dashamirës. Kancelarja ka punuar edhe me imazhin e saj publik, duke e kuruar më shumë edhe detajin më të hollësishëm, e vetëdijshme për rëndësinë e dimensionit estetik në politikën e sotme.
Por le të kthehemi tek sfida me Schröder. Gjatë fushatës elektorale, Merkel bëri disa gafa lidhur me temat ekonomike: propozoi rritjen e TVSH-së për të reduktuar deficitin gjerman dhe zgjodhi si konsulent ekonomiko–fiskal ish-Gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Paul Kirchhof, i cili propozoi një flat-tax e cila u kritikua fuqishëm dhe që e bëri të humbasë vota dhe besueshmëri të mëtejshme sfidantes të ardhur nga Lindja. Në duelin televiziv me Schröder, në mesazhin final të saj, Merkel kopjoi edhe një diskutim të vjetër të Ronald Reagan.
Veç kësaj, Angela Merkel pësoi një sulm nga bashkëshortja e Gerhard Schröder. Si grua pa fëmijë, Doris Kopf e akuzoi se nuk i kuptonte problemet e grave që u duhet të pajtojnë punën me familjen. Siç do të shikohet me rezultatet e dala, vota e shumë grave shkoi për Schröder, pavarësisht se feministja e njohur gjermane Alice Schwarzer kishte shprehur admirim për Angela Merkel.
Në atë fushatë elektorale të parë të saj në të cilën ishte në lojë posti më i rëndësishëm, Merkel nuk dha maksimumin e vetes. Në më pak se një muaj “dogji” pjesën më të madhe të avantazhit të saj. Në zgjedhjet e 18 shtatorit 2005 Unioni (CDU/CSU) i drejtuar nga Merkel dhe SPD-ja e Schröder arrijnë në një kokë më kokë: 35.3% (CDU 27.8; CSU 7.5) me 34.2% (SPD). Një ngritje e bujshme nga ana e socialdemokratëve, por e ndalur pikërisht në momentin më të përshtatshëm. Rezultati i mirë i arritur nga SPD-ja e pengoi gjithsesi Unionin që të qeverisë me një koalicion të qendrës së djathtë bashkë me liberalët (FDP). Si Merkel, ashtu edhe Schröder u shpallën fitues, por në realitet asnjëri prej të dyve nuk mund të qeveriste pa tjetrin. Liderja e Unionit propozoi një koalicion të madh, por Schröder, ndoshta pak edhe për mendjemadhësi, siç thonë më dashakeqësit, në një emision televiziv u përgjigj: “Seriozisht besoni se SPD-ja mund ta pranojë ofertën që të qeverisë me Merkelin si Kancelare? Zonja Merkel nuk do të udhëheqë asnjë koalicion me Partinë Socialdemokrate”.
Siç do ta zbulonte vetë Angela Merkel një vit më pas në ZDF, në atë fazë delikate politike i la gjërat thjesht të ecnin siç duhej të ecnin. Në stilin e përkryer merkelian, vëzhgonte dhe priste. Pas negociatash të gjata, polemikash dhe përplasjesh politike të forta, me 22 nëntor të 2005 Angela Merkel, fizikantja e ardhur nga Lindja, u bë femra e parë në drejtimin e Republikës Federale Gjermane, Kancelarja e koalicionit të dytë të madh të historisë së Gjermanisë, Kancelarja e parë nga ish-Gjermania Lindore dhe, së fundi, me 51 vitet e saj, Kancelarja më e re në moshë e historisë së Gjermanisë: një moment historik. Respektivisht Kohl dhe Schröder, dy paraardhësve të saj, ka djegur etapat duke mos kaluar më parë gavetën e një presidence landi. Bundekanzlerin (në gjininë femërore!) u bë fjala e vitit në Gjermani, siç kujton Evelyn Roll.
Schröder u tërhoq nga politika për të shkuar në krye të Gazprom-it rus dhe SPD-ja siguroi 8 nga 16 ministritë. Midis anëtarëve të kabinetit ishte edhe si Ministër i Financave, Peer Steinbrück, që si për ironi të fatit, pas 8 vjetësh do të sfidojë Merkel në zgjedhjet politike e 22 shtatorit 2013.

“Enigma #merkel. In Europa il potere è donna” i Ubaldo Villani-Lubelli

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPërplasja e gjigantëve: Incidenti Doklam
Artikulli tjetërBasha-Ramës: Laku sa ka filluar të të ngushtohet