Një problem amerikan me drogën dhe 7.7 milionë dollarët

Bledi KASMI

Me 23 korrik të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara konstatuan si shqetësim në rritje trafikun e drogës dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Vendimi ishte që Departamenti i Shtetit dhe agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit të instaloheshin edhe zyrtarisht në Shqipëri për të qenë pjesë e luftës ndaj krimit dhe trafikut të drogës.
Po këtë ditë, Parlamenti miratoi paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, e cila parashikonte një fond prej mbi 7.7 milionë dollarësh.
Risia e kësaj marrëveshjeje të miratuar nga Parlamenti kishte të bënte me aktorët që do ta zbatonin atë. Sipas atij vendimi marrëveshja do të zbatohej nga Byroja e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin amerikan të Shtetit.
Diplomatë amerikanë thanë në atë kohë se kjo marrëveshje konsiderohej mjaft e rëndësishme dhe madje mund të çonte deri në kufizim të mbështetjes amerikane në rast të dështimit të qeverisë në luftën ndaj trafikut të drogës. Marrëveshja ishte një tregues i qartë i vullnetit të Shteteve të Bashkuara për të asistuar dhe ndërhyrë ligjërisht në luftën kundër trafikut të drogës.
Një vit pas kësaj marrëveshjeje të miratuar në Parlament, realiteti në Shqipëri është më shumë se i trishtë. Qeveria e ka injoruar tërësisht atë marrëveshje dhe vendi sot është i mbuluar me drogë nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim.
Si të mos mjaftonte injorimi i Marrëveshjes nga qeveria, Kryeministri i vendit përmendi me shpërfillje ambasadorin amerikan në Parlament, duke iu drejtuar me një ton arrogant atij, përmes deputetes Topalli, e cila i tregoi Ramës avionin e fundit të drogës të rrëzuar dje në Ishëm; “Atë tregoja ambasadorit amerikan”, ishte përgjigja e Ramës.
Mënyra e reagimit të Ramës ishte mjaft cinike ndaj një përfaqësuesi diplomatik të një vendi që konsiderohet nga të gjithë faktorët politikë si partneri kryesor strategjik dhe ndaj të cilit është ofenduese që të ngrihen alibi të tilla.
Rama sa herë bën zullume ndër më të rëndat, ai kërkon të fshihet pas gishtit dhe me një guxim të tepruar nxjerr si mburojë përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë. Kështu ndodhi edhe me Reformën në Drejtësi. Paketa dhe formula e tij kushtetuese u rrëzua, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme i drejtohej opozitës si të ishte vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara apo i Bashkimit Evropian.
Qeveria dhe faktorët e tjerë, si për shembull ata  ligjvënës, duhen të japin një përgjigje sot për atë Marrëveshje të miratuar në Parlament një vit më parë për paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike. Rama dhe askush tjetër nuk mund të tallet me ato 7.7 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë dhe nuk mund ti konsiderojë ato si tenderat e Sadriut apo koncesionet e Vilmës.
Ato janë para të taksapaguesve amerikanë të dhëna jo për qoka politike, por për një qëllim prioritar të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri sikurse është lufta ndaj krimit dhe trafikut të drogës. “Shqipëria vijon të mbetet një vendburim për marijuanën në tregjet evropiane, si dhe shërben si rrugë transiti për trafikun e kokainës dhe heroinës”, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Mënyra arrogante e komunikimit të djeshëm të Ramës në Parlament dhe përmendja e emrit të ambasadorit amerikan kërkojnë një përgjigje. Rama në mënyrë abuzive po përpiqet të bindë shqiptarët, madje nga foltorja e Parlamentit, se ai ka mbështetjen e partnerëve perëndimorë në shndërrimin e vendit në një plantacion gjigant droge, gjë të cilën Departamenti amerikan i Shtetit e ka dënuar përmes raportit zyrtar.
Duket sikur sot, problemi i drogës në Shqipëri, është një shqetësim vetëm i opozitës shqiptare, por shumë shpejt ai do të jetë një problem që do ti kalojë kufijtë dhe krimi i organizuar i përzier me politikën oligarkëve të Ramës mund të çojë drejt një destabilizimi.
Shqipëria është sot i vetmi vend anëtar i Aleancës së Atlantikut i kthyer në një plantacion gjigant droge dhe për të cilin pak kush po ngre zërin.

Artikulli paraprakMinimumi 20 milionë rrënjë kanabis të mbjella në gjithë vendin
Artikulli tjetërPiloti italin tregon emrat, Tahiri bashkëpunoi me trafikantët