Një marrëveshje në shërbim të një vendi më të drejtë

Jorida TABAKU

Pas një viti të gjatë të mbushur me takime, negociata, ecejake e mosbesim, Reforma në Drejtësi u miratua me konsensusin e opozitës. Përgjatë një përpjekjeje të lodhshme, arritëm t’i japim vendit një reformë jo në interes të një klike të caktuar individësh; arritëm t’i japim Parlamentit mundësinë për të zgjeruar më tej këtë draft, i cili nuk ia jep pushtetin një individi të caktuar.
I dhamë mundësinë shqiptarëve të ishin dëshmitarë të atyre që punuan realisht për një reformë konstruktive dhe atyre që shpenzuan më shumë kohë për propagandë. Drafti i sotëm është dëshmia më e qartë se opozita nuk ka qenë asnjëherë kundër reformës, megjithëse baltosja e pashfrenuar ka rrekur që ta provokojë këtë mendim.
Deputetët e opozitës nuk ishin dhe nuk janë kundër Reformës në Drejtësi, e nuk ka si të jetë ndryshe kur baza e kësaj reforme ka nisur që prej 2009, kur shumë prej ligjeve përbërëse kanë qenë pjesë e prioriteteve të integrimit në BE në shumë raporte progresi.
I dëshmuam gjithë faktorit ndërkombëtar se përkundrejt asnjë interesi tjetër përpos zbatimit të parimeve të demokracisë, ne ishim jo vetëm në favor të kësaj reforme, por Partia Demokratike e drejtoi atë. Duke qenë të gatshëm dhe të palodhshëm në çdo negociatë pavarësisht dëshirës së palës tjetër për të na përjashtuar, pikërisht në emër të arritjes së qëllimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Prandaj sot jam krenare për punën e kryer, punën që çoi në ndryshimin tërësor të draftit të parë të qeverisë, punën që ekipi i ekspertëve ka bërë gjatë vitit të fundit.
Vota për këtë draft, do t’i japë shqiptarëve një sistem gjyqësor më të ndershëm dhe më të drejtë. Beteja jonë ka qenë ndërtimi i një sistemi sa më pak i kontrollueshëm nga pushteti ekzekutiv dhe sa më shumë i kontrollueshëm nga Kushtetuta dhe konventat europiane. Pa i dorëzuar në asnjë moment këto parime, jemi ulur në çdo takim me faktorin ndërkombëtar dhe palën tjetër, për të sjellë një marrëveshje në shërbim të një vendi më të drejtë.
Sfida e vërtetë tanimë është zbatimi!

Artikulli paraprakÇmimet “turistike”, pushuesit: Më shtrenjtë se jashtë shtetit
Artikulli tjetërKosovë, ushqimet jocilësore rrezikojnë shëndetin e qytetarëve