Me një këmbë në botëror

Kanë përfunduar 2 sfidat e para të fazës Play Off të botërorit, ndërsa Kroacia dhe Zvicra kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt Rusisë. Kështu kroatët kanë fituar me rezultatin e thellë 4-1, në derbin e Ballkanit, ndaj Greqisë. Pjesa e parë ishte vërtetë spektakolare, me Kroacinë që gjeti shumë shpejt avantazhin me anë të kapitenit Modriç.
Grekët kthyen një top te portieri Karnezis, por ky i fundit e kontrolloi keq dhe iu rrëmbye nga sulmuesi kroat Kaliniç. Portieri grek detyrohet të shkaktojë faull dhe gjyqtari italian akordoi penallti për vendasit, të cilën e dërgoi në rrjetë mesfushori i Realit të Madridit.
Vetëm pak minuta më vonë, kroatët dyfishojnë avantazhin me anë të Kaliniç, që gjendet i vetëm në zonë dhe devijon në rrjetë një pasim të ardhur nga Striniç. Grekët zgjohen dhe pas 2 tentativash, arrijnë të gjejnë golin e parë, por vetëm kaq, sepse 2 minuta më pas, Kroacia shënon golin e 3-të me anë të mesfushorit të Interit, Ivan Perisiç.
Në fillimin e pjesës së dytë është sërish mbrojtja greke që gabon në kthimin e topit dhe i dhuron kroatëve golin e 4-t, të shënuar nga Kramariç. Me fitoren 4-1, Kroacia mund ta kthejë në një shëtitje takimin e të dielës në mbrëmje, në Athinë, sepse vështirë se Greqia mund të surprizojë.
Fitore minimale, por shumë të rëndësishme mori edhe Zvicra në transfertën ndaj Irlandës së Veriut. Skuadra e drejtuar nga Petkoviç kontrolloi lojën dhe krijoi disa mundësi shënimi, por golin e gjeti vetëm në minutën e 58’.
Gjyqtari i takimit akordoi një 11-metërsh të kontestuar nga vendasit, ndërsa mbrojtësi i Milanit, Rodriguez u tregua i saktë përballë portierit dhe zhbllokoi rezultatin. Kjo fitore është mjaft e rëndësishme për Zvicrën, që gjithsesi nuk mund të qetësohet deri të dielën në mbrëmje, kur do të presë në shtëpi irlandezët.
Faza Play Off do të vijojë nesër takimin e parë të sfidës Suedi-Itali dhe të shtunën me sfidën mes Danimarkës dhe Irlandës.
58’ – Zvicra gjen avantazhin. Pas një loje mjaft të mirë, zviceranët gjejnë edhe golin e avantazhit. Mbrojtësi i majtë i Milanit, Rodriguez, ekzekuton saktë një penallti të fituar nga skuadra e tij.
49’ – 4-1. Mbrojtja greke gabon sërish dhe sërish kroatët nuk falin. Kramariç shënon golin e 4-t, me portën e boshatisur.
33’ –Është mesfushori i Interit, Ivan Perisiç, që shënon me kokë, pas një krosimi të ardhur në zonën e grekëve.
30’ – Greqia shënon dhe rihap sfidën.
19’ – Kroacia dyfishon avantazhin. Një aksion mjaft i bukur i kroatëve, me Striniçin që zbret nga e majta dhe gjen të zbuluar sulmuesin e Milanit, Kaliniç. Ky i fundit nuk fal, duke goditur me thembër dhe shënuar golin e dytë.
12’ – Modriç kalon Kroacinë në avantazh, nga pika e penalltisë. Grekët kthejnë një top te portieri Karnezis, por ky i fundit e kontrollon keq dhe i rrëmbehet nga sulmuesi kroat Kaliniç.

Artikulli paraprakParatë e drogës, mbipopullim me pallate, ulen çmimet e apartamenteve
Artikulli tjetërMilani me lajme të mira nga infermieria