Një jetë me “Rilindja Demokratike”

Dr. Fatmir TERZIU

Plaku që mbahej fort pas Rrapit të moçëm të Bezistanit, në sheshin qendror të Elbasanit, dukej sikur shkulte me tërë forcën e tij inatin që kishte nga brenda vetes për të arritur në krye të turmës së madhe që shtohej e shtohej për të blerë gazetën e vetme të lirë pas disa vitesh. Ai ishte Kristo Mema, njeriu që kishte ëndërruar këtë ditë, pikërisht 5 janarin e vitit 1991, ditën kur doli në qarkullim numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazeta e parë e lirë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, kishte ëndërruar vite të tëra nga errësira e burgjeve të diktaturës. Dhe ja pas disa minutave, gazeta e parë “Rilindja Demokratike” ishte më në fund në duart e tij… Duart i dridheshin dhe lotët bënin punën e tyre. Por më në fund u afrua me ngadalë dhe foli: “Është nder ta kem sot këtë dhuratë nga Zoti në dorën time, pasi në këtë datë, por në një vit më të largët, 1876 lindi Konrad Adenauer, politikani gjerman, Kancelar i Gjermanisë që emrin e të cilit në vitin 1967 e pashë për herë të fundit në dosjet e hetuesisë së egër, kur më thoshin se pse duhej të ‘shkarravisja e të hamendësoja emra gjermanësh të tillë'”.
Dhe kaq u desh që errësira dhe drita që më vinte nga emra të tillë të demokracisë dhe lirisë të bëheshin një kalvar i gjatë. Por sot e shoh ndryshe. E lexoj ndryshe këtë shpresë që vjen nga fundi i një errësire të gjatë… Pastaj në një bisedë të gjatë me Lul Mirakun, Aqif Selimin dhe më tej me Emin Haxhiademin, Tomor Kazazin, Sali Dardhën biseda shkoi në një kënd tjetër. Atë ditë ishte ditëlindja e shtypit të lirë dhe “Rilindja Demokratike”, “fëmija” i sapolindur, kërkohej dhe u kërkua gjatë e gjatë, që gjithkush ta kishte në dorë, ta përkëdhelte e të përshpirtej me të…
Atë vit isha një ndër ata që nga larg do të bëhesha pjesë e gëzimit të një udhe të gjatë, një udhe që e kërkonte vetë liria e fjalës së lirë… Dhe ashtu ndodhi, mjaft shpejt u gjenda në radhët e kësaj gazete, në radhët e së cilës, kalova vite e vite me një përkushtim e ndershmëri, aq sa kolegët, drejtuesit dhe tërë ata që kishin në gjak këtë gazetë, do të shumëzonin urimin e gazetarit më të mirë të kësaj gazete në një vit mjaft të rëndësishëm, në një vit sikur ishte viti 1996-të. Dhe puna e përkushtimi më shtuan akoma më shumë të ndjej dashurinë për shkrimin e më së shumti të ndjej lotët që më dukej se më shoqëronin tërë ato vite, kur udhëtoja në të gjitha pjesët e Atdheut, ku më dukej se më shoqëronin ato lotë të Kristo Memës dhe përvuajtësve të tjerë të diktaturës…, që kërkonin të ktheheshin në diamante jete, në shpresa jete.
Me gazetën “Rilindja Demokratike” vërtet kishte filluar një shkollë e re e gazetarisë shqiptare. Dhe këtu ishte mjaft ndjeshëm e gjitha që shkruhej, e gjitha që servirej “ndryshe” nga ajo që ishte lexuar deri atëherë. Kështu që natyrshëm në një shkollë të re, të tillë si “RD”-ja kishte dhe ditë që shkonin përtej asaj që vërtet mund të bëjë një “shkollë”. Një shkollë sado e fuqishme të jetë, kurrë nuk mund të bënte aq sa bënte “RD”-ja me një staf normalisht të kufizuar gazetarësh. Por arriti të bënte atë që një institucion i tërë, i mirorganizuar mund ta bënte. Ndodhte dhe kështu. Mjaft lajme pasonin njëri-tjetrin dhe ditës tjetër zyrtari i etur për ta parë emrin e tij në të gjitha faqet e gazetës, të acarohej kur shihte se i ishte përmendur një herë. “Dje kam pritur dhjetë delegacione”…, – më tha një ditë, ish-kryetari i Këshillit të Rrethit, Ibrahim Pajenga dhe ti…, ti më shkruan vetëm një artikull, emrin tim e ke fshirë fare. Një herë tjetër ishte ndryshe. Kryetari i Komunës së Gostimës, Ilmi Plaka, pasi më dha një dosje të madhe me sekuestrimet dhe burgosjet masive në zonën e tij, me cilësimet “Kulak”; “armik i klasës” etj; duke m’u lutur më tha: “Lutem të paktën disa rreshta le të shkruhen për këta të përshpirtur…” dhe lotët e bënë punën e tyre. Pas dy ditësh ai thuajse nuk pushoi së lotuari mbi gazetën “RD” që kishte një faqe të plotë për krimet e bëra nga diktatura në një zonë të tillë si Shtërmeni, Gostima, Shtëpanja e më tej…
Me gazetën “Rilindja Demokratike” nën sqetull fshehurazi shikoje ndonjëherë dhe anëtarë të devotshëm të krahut opozitar të asaj kohe, që në jo pak raste kërcënonin nën dhëmbë dhe në disa raste uleshin dhe të informonin se çfarë ndodhte brenda partisë së tyre, ku lufta e dikurshme e “bërrylave” bënte herë shakanë e herë absurdin e vazhdimësisë. E gjitha pasohej ndonjëherë me forma të ndryshme, deri në atë formatin që të habiste se si kishin ekzistuar dhe ende ekzistonin formate të atilla që e shpërfytyronin njeriun. Sidoqoftë të punoje me gazetën “Rilindja Demokratike”, sidomos pas asaj që ndodhi në vitin 1997-të, kur thuajse vetë strukturat e PD-së në shumicën e rasteve ishin përfjetur, dukej qartë se ishe një “guximtar” në një betejë të llahtarshme, në një betejë që vetëm Fatosi, miku im i mirë, shoferi i “RD”-së e di mirë se si mund të përkufizohet. Dhe rasti me Fatosin ishte vetëm dy-tre herë, por me miq të tjerë, me Ahmet Shyqyriun që bëhej copë nga Gramshi, me miq të tjerë në Librazhd, në Peqin, në Korçë e gjetkë? Sidoqoftë ishte dhe mbeti ajo që duhet të ketë një gazetar, si të njohë një histori të mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për një gazetar – apo dhe për një gazetari në tërë kuptimin e saj. Dhe këtë e kërkoi dhe kërkonte “RD”-ja.

Artikulli paraprakEditoriali i parë i RD më 5 janar ‘91
Artikulli tjetërKur të nderojnë edhe ata që nuk të duan