Një histeri anti-opozitë e stisur nga Rama

Enver BYTYÇI

Një histeri anti-opozitë ka nis pas marrëveshjes pozitë-opozitë për ligjin e ri elektoral. Janë përzierë në këtë reagim histerik kundërshtarë “për vdekje” të Lulzim Bashës, demokratë dhe thuajse të gjithë ish-demokratët, socialistë pa numër, por që të gjithë së bashku kanë të njëjtin interes.

E nisa kësisoj reagimin tim jo për t’i atakuar këta njerëz. Madje disa naivëve që janë skeptikë për këtë marrëveshje ju kërkoj ndjesë për kritikën që po bëj.

Dhe që në fillim unë do të them se nuk e di rezultatin e kësaj marrëveshjeje. Për këtë shkak kisha vendosur të hesht. Por kur pashë këtë histeri reagimi kundër marrëveshjes më duhet të shtroj disa pyetje, të cilat përbëjnë paradigmën e procesit:

1.A ishte opozita që bindi Bundestagun gjerman të formulojë kërkesat e saj e t’i shndërrojë ato kërkesa në bindje të shtetit gjerman për reformat në Shqipëri? Këtë e ka pohuar vetë Edi Rama, duke thënë se Bundestagu “është keqinformuar nga opozita”!

Nëse është kështu, çfarë prisnin skeptikët e sidomos kritikët, që opozita t’i kundërvihej një institucioni (Bundestagut), të cilit vetë i kishte kërkuar që Edi Rama të kushtëzohej për hapjen e negociatave?! A është ligji zgjedhor kusht i Bundestagut dhe cila opozitë në botë do të bënte në këtë rast të kundërtën?!

2. Cila është zgjidhja për kritikët? Lufta? Konflikti? Të digjet e përfundimisht të rrënohet Shqipëria, që edhe ata shqiptarë që janë në këtë atdheun tonë t’ia mbathin e të ikin prej këtu? Nëse është kjo, të paktën të jenë të sinqertë e ta thonë. Por jo pak prej këtyre kritikëve të Bashës njihen për bashkëpunimin me Ramën.

3. Kush i pranoi kushtet e kujt? Opozita pranoi kushtet e mazhorancës apo mazhoranca kushtet e opozitës? Më duket se ndodhi kjo e dyta. Mazhoranca pranoi kushtet e opozitës pa asnjë ndryshim.

Por nuk pashë në asnjë reagim ndonjë vërejtje ose kritikë për kushtet e opozitës, të cilat i pranoi mazhoranca. Nëse do ishte kjo, atëherë mund të diskutonim. Por reagimi kaq i ashpër pa ditur se çka ndodhur, thjesht se palët janë pajtuar për diçka, më së paku konsiderohet si miopi.

4. A hoqi dorë opozita nga plotësimi i kërkesave të tjera të Bundestagut? Nuk rezulton se e ka bërë këtë. Atëherë, pse duhen dhe kujt i shërbejnë kritikat paradhënie?! Askujt tjetër, përveçse Edi Ramës.

5. Njerëz me shkollë e madje dhe akademikë po e konsiderojnë marrëveshjen padrejtësi të të dy partive politike. Eshtë hera e parë që dëgjoj, ende pa njohur dhe pa shkruar asgjë për përmbajtjen e një marrëveshjeje, që ajo të konsiderohet si padrejtësi.

6. E vetmja pikë, me të cilën bashkohem, është fakti se manipulimet, vjedhjet, blerjet e votave nuk i ka shkaktuar ligji, por Maliqi i Rilindjes, vetë Naltgjatësia e tij. Dhe a do ta ndalojë këtë manipulim ligji zgjedhor?

Për këtë hajdeni të diskutojmë. Sidoqoftë opozita duhet ta çojë deri në fund luftën për të dënuar dhe ndëshkuar politikanët e implikuar në manipulimin e procesit dhe rezultatit zgjedhor!

Artikulli paraprakPse kjo histeri anti-opozitë pas marrëveshjes?
Artikulli tjetërFaqja e pare