Një 7 Mars pa mësuesin!

Nga Luçiano BOÇI

7 Marsit të sivjetshëm i mungon mësuesi.

Mos u habisni!

Mësuesin e kanë vrarë…

Ai sot është diku, duke bërë sikur, ose duke qeshur hidhur.

Ose është për forcë tradite duke festuar, por me revoltën e pathënë brenda tij.

Sepse Mësuesin, pushteti i sotëm e ka shembur, e ka poshtëruar.

Çfarë nuk ka bërë ky pushtet, për t’i zhvatur atij dijen, misionin.

Është përpjekur ta zhveshë nga fisnikëria, nga respekti dhe vlerësimi.

E ka sulmuar me qindra marifete, ligje, akte, udhëzime idiote, për ta shndërruar me dhunë në një aparatçik të rëndomtë.

Ka tentuar ta barazojë me zhigolotë politikë, me banditët e votave, me dhunuesë banalë.

Po mësuesi vetë?!

Ai vazhdon lufton…

Lufton me padijen e injorancën në krye.

Lufton me absurdin e një shoqërie që tenton rrëshqitjen drejt antivlerave.

Ai vazhdon misionin e vet hyjnor.

Mësuesi ende vazhdon të dhurojë me modestinë e tij lapidare, shërbesë, përkujdesje e dashuri.

Madje do thoja që 7 Marsi sot, as festë nuk është më.

Nuk është, jo se nuk e duan mësuesit apo nxënësit, por se qeveritarët tanë e kanë shndërruar atë thjesht në një rast.

Nga ato rastet që poeti Ali Asllani do e quante deli rast, gjatë të cilit çakejtë e qeverisë, me jargavitjet e tyre, kërkojnë të rrëmbejnë simpatinë e mësuesve me detyrim, pasi i kanë kafshuar e rrëmbyer çdo gjë tjetër.

Rastin do e shfrytëzojë Besa, me sintaksën e saj çudibërse që të tromaks me njohuritë e gjëra për arsimin.

Fjalinë më të bukur, të bërë ndonjëherë ka atë: “Fajin e ka opozita”.

Rasti s’do t’i shpëtojë as Ramës, i cili ka që dje që po zgjedh në raftin e marrëzive të tij, batutën më shpëtuese.

Mund të tentojë dhe ndërtimin e ndonjë situate me ngjyra melankolie, si ajo e kongresit të fundit.

E në delirin e pushtetit dhe të pushtuar nga padija, ato harrojnë që Mësuesi nuk vdes!
Ai di dhe të heshtë me stoicizëm.

Di dhe të flasë me gjuhën e Ezopit.

Di dhe të revoltohet me zemërimin e arsyen e Prometeut.

Di dhe të fitojë me mençurinë e drejtësinë e Hamletit.

Mësuesi është më i fortë se çdo pushtet.

Ai është vetë dija!

Gëzuar të dashur mësuesë ditën tuaj të bukur!

Artikulli paraprakKoronavirusi/ Rama “sulmon” mjeken që i kërkoi drejtoreshës maska, doreza dhe dezinfektim
Artikulli tjetërPrapë ky palla? Ramës i ngel në gojë fjala që përdoret nga të gjithë ndaj tij