Nipi i Ruçit po ndërton HEC në zonën e mbrojtur nga UNESCO

Hidrocentrali në lumin Seta në Dibër po ndërtohet nga nipi i kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Edhe pse kanioni mbi lumin Seta është monument kulture dhe i mbrojtur nga UNESCO, aty kanë nisur punimet për ndërtimin e një hidrocentrali. Banorët e zonës bëjnë të ditur se ky hidrocentral po ndërtohet në kundërshtim me ligjin nga kompania “Al-Building” që menaxhohet nga nipi i Gramoz Ruçit. Banorët e zonës shprehen se, pronari i kësaj firme mburret duke u shprehur se, “jam nipi i Gramoz Ruçit dhe askush nuk mund t’i ndalojë punimet për ndërtimin e hidrocentralit.
Prej ditësh, banorët kanë ngritur shqetësimin për shkatërrimin e kanionit të Setës, por mesa duket kompania që po ndërton hidrocentralin ka mbështetje direkt nga qeveria. Një banor iu drejtua me një mesazh portalit “Nisma Thurje” ku shkruan se Kompania Al-Building që po ndërton hidrocentralin zotërohet nga një nipi i Gramoz Ruçit.
“Dua të shpreh një shqetësim timin edhe të bashkëfshatarëve të mi. Në një fshat të Dibrës i quajtur Çidhën e Epër deri në Njësinë Administrative Arras, në lumin Seta, po ndërtohet një vepër e paligjshme i quajtur hidrocentral. Kjo vepër është në kundërshtim me ligjin, sepse zona është e shpallur monument kulture.
Gjithashtu, kur është projektuar kjo vepër nuk është bashkëbiseduar me asnjë fshatar të fshatit tim. Askush nuk ka ardhur të na njoftojë për projektin. Po ju nis foto të lumit dhe natyrës si ishin dhe si janë bërë mbas ardhjes së pushtuesve. Kompania quhet Al-Building dhe në fshat thuhet se zotërohet nga një nipi i Gramoz Ruçit, ose të paktën kështu prezantohet.
Ju lutem bëjeni publike këtë problem tonin si fshat, sepse po shkatërrohet vepra më e bukur e Shqipërisë që ka në përbërje Sopanikën, vendin më të bukur që kemi në Dibër”, shkruan banori nga Dibra.
Ndërtimi i hidrocentralit në kanionin e Setës në Dibër ka hedhur në revoltë banorët e zonës. Ata shprehen se ndërtimi i këtij hidrocentrali do të çojnë në shkatërrimin e kanionit më të madh dhe më të bukur në vend i mbrojtur edhe nga UNESCO. Seta është një nga kanionet më të bukura në Dibër, 2 mijë metra mbi nivelin e detit. Ky kanion është një nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend. Fillon nga lumi Drin dhe përfundon tek liqenet e Lurës.
Faqet shkëmbore arrijnë deri në pesëqind metra lartësi. Këtu janë me qindra burime ujore dhe ujëvara. Por kjo vepër momument kulture dhe i mbrojtur nga UNESCO po shkatërrohet nga qeveritarët. Banorët shprehen se ndërtimi i Hec-ve në këtë zonë do të rrezikojë shkatërrimin e këtyre kanioneve, të cilët aktualisht janë një thesar natyror jo vetëm i Dibrës, por i gjithë Shqipërisë.
Banorët po kundërshtojnë fuqishëm projektin Seta 4, i cili sipas tyre shkatërron dhe zhduk kanionin. Bëhet fjalë për një Hec, i cili do të fusë në tubacion për rreth 1,2 km gjithë sasinë e ujërave të kanionit dhe për rreth 800 metra me tunel. “Ju lutemi aman, të gjitha forcave dhe të gjithë njerëzve, nëse doni që ta zhvilloni turizmin malor në këtë zonë, ju lutemi ndaloni”, shprehet një prej banorëve. “Prej tre vjetësh vazhdojnë përpjekjet tona për të ndaluar ndërtimin e një vepre shkatërrimtare për këtë zonë”, shprehet një tjetër. “Ky vend është strategjik, historik, arkeologjik. Në këtë vend janë strehuar gjatë luftërave me serbin afro 12 mijë vetë me 9 fshatra”.
Banorët nuk janë kundër investimeve, por janë kundër këtij projekti, i cili nuk është konsultuar me banorët e zonës, ku firmat janë mbledhur nëpër kafene. “Qysh atë ditë, kur janë vendosur i ka firmosur letrat këshilli i komunës, i ka firmosur në lumin e Setës, matanë komunës, nuk i ka firmosur në Zije”, thotë një banor. Me vendim të qeverisë në vitin 2002, në këtë kanion u shpallën 2 monumente natyre të mbrojtura; shpella dhe burimi i Sopanikës, dhe gryka e ngushtë e Setës.

Artikulli paraprakMasakra në Lushnjë, autorët kishin mbështetje nga policia
Artikulli tjetërSkandal/ Do të 5 fishohet edhe taksa për banesat në Tiranë