Ngjarja e ndodhur në Linzë, ishte vrasje apo vetëvrasje?

Një 69-vjeçar në Tiranë u gjet dje i vdekur në Linzë dhe Policia e Tiranës raportoi zyrtarisht se ishte vetëvrarë, pasi pranë trupit të tij u gjet një pistoletë. Viktima Gani Çela kishte lënë edhe një letër për fëmijët e tij, ku shkruante se nuk është e nevojshme që policia të hetojë, dhe u kërkonte të kujdesen për mamanë e tyre.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit jepet një informacion kontradiktor, ku raportohet se pistoleta e viktimës u gjet në brezin e tij, ndryshe nga njoftimi i djeshëm i Policisë së Tiranës që thuhej se arma u konstatua pranë trupit.
“Më datë 22.09.2016, në rrugën për në fshatin Linzë, është gjetur i vdekur shtetasi G.Ç, vjeç 69, banues në Tiranë, ku dyshohet se është vetëvrarë me pistoletë, e cila u gjet në brezin e viktimës. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim”, thuhet në njoftimin e faqes online të Policisë së Shtetit.
Sipas këtij detaji, lindin dyshime se 69-vjeçari nuk mund të jetë vetëvrarë nëse pistoleta ka qenë në brez, por mund të jetë qëlluar nga persona të tjerë.
Miku i Gani Çelës, 69-vjeçarit të gjetur të vdekur me një plumb në gojë në Linzë është shprehur se e njihte Çelën si një njeri familjar dhe pa asnjë problem. Ai ka rrëfyer bisedën e fundit me viktimën, me të cilën kishte pirë edhe kafen e fundit atë mëngjes. Miku i viktimës e përshkruan Çelën si njeri të qetë e familjar dhe sqaron se për momentin ka qenë i papunë.
Ai thotë se nuk ka vërejtur ndonjë shenjë apo shqetësim të 69-vjeçarit, kur e takoi në mëngjes, përveç ankesës që nuk po i kalonte gripi. “Kam 7 vjet që e njoh. Ishte njeri i qetë dhe pa probleme”, tha ai.

Artikulli paraprak2 miliardë lekë për një rrugë të papërfunduar dhe pa standarde
Artikulli tjetërZbardhet ekspertiza e vdekjes së shqiptarit në Greqi: Nga mjete të forta