Nga “Tokë e Ndaluar” në “Tokë të Premtuar”

Dikur, jo shumë larg, një dekadë më parë Europa ishte një tokë e ndaluar, jo thjesht për shqiptarët që duhej të provonin të shkonin aty me njëmijë e një mënyra, që nga eksodet e deri te blerja apo falsifikimi i vizave, por edhe për skuadrat shqiptare. Humbjet e thella ishin diçka lehtësisht e parashikueshme dhe përballë emrave thuajse anonime si Otelul Galati. Sot, administrativisht apo dhe në politikë, ekonomi e aspektin social ende nuk jemi aty, por futbolli shqiptar është padyshim pjesë e Europës që vlen. Pas një Europiani historik të skuadrës më të dashur të të gjithë shqiptarëve, kombëtares kuqezi, edhe klubet shqiptare po konfirmojnë progresin e futbollit tonë në arenën kontinentale. Pas ndeshjeve të para në Champions apo Europa League, me përjashtim të Teutës, ato janë aty duke luftuar dhe me shanse të hapura për të siguruar kualifikimin.
Partizani me Ferencvaroshin në Champions padyshim që ka një mal të lartë për të ngjitur në Hungari pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, por ai eurogol i Filit dhe paraqitja e të kuqve në kompleks është padyshim shpresëdhënëse për një mision që ende nuk ka përfunduar. E nëse këtyre ju shton faktin se të kuqtë ktheheshin pas plot 23 vitesh në Champions dhe ishin aty për meritë të vendimit të UEFA-s që dënoi Skënderbeun, skuadrën më të kompletuar dhe që vjet bëri historinë, padyshim që për tifozët e 15 herë kampionëve ka më shumë vend për krenari.
Pak vite më parë, vetëm emri Austria e Vjenës do të mjaftonte për të konsideruar një short të pashpresë, por Kukësi tanimë në arenën europiane është një realitet i këndshëm. E vërtetë, në Ernst Happel mund të kishte qenë një rezultat më i thellë pas një pjese të parë të dominuar nga austriakët, por e dyta është baza nga ku verilindorët do të nisen për një përmbysje të madhe në takimin e kthimit.
Pas 90 minutave të para, Austria e Vjenës nuk është më aq e frikshme për një skuadër që pak vite më parë endej në Kategoritë Inferiore të futbollit shqiptar. Ç’mund të thuash për Shkëndijën e Tetovës, është një kënaqësi e vërtetë ta shohësh teksa komandon lojën e qarkullon topin për bukuri në “Bakcell Arena” të Azerbajxhanit përballë Neftchi Baku. Përfundoi pa gola, por me kuqezinjtë që pas asaj ndeshje duhet të jenë 100% të bindur se pasi bënë historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e dytë të Europa League në ndeshjen e kthimit mund të shtrojnë rrugën për të vazhduar më tej në Europë. Partizani, Kukësi dhe Shkëndija janë aty, duke luftuar e ndezur emocionet e një vere futbollistike të nxehtë, Europa nga një tokë e ndaluar sot për futbollin shqiptar është një Tokë e Premtuar.

Artikulli paraprakTrajneri i ri i Ukrainës
Artikulli tjetërBota e shokuar nga masakra në Francë