Nga po vjen skenari për trazira sociale

Kastriot Islami

Kultivimi i kanabisit është një çështje që prej disa ditësh merr vëmendjen kryesore të politikës e medias shqiptare, por jo vetëm. Shërbimet e ndryshme deri ato inteligjente vendase e të huaja kanë përgatitur raportet e tyre, kancelaritë partnere e kanë të gjithë informacionin mbi tavolinat e tyre; media perëndimore ka filluar të shkruajë intensivisht.
Fillimisht mendova se ndoshta do të ishte e tepërt të mbaja një fjalë për një çështje kaq të trajtuar. Por vendosa të flas sot për dy pasoja që lidhen me këtë dukuri, së pari, ndikimi i saj në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe së dyti, ndikimi i kësaj dukurie në stabilitetin e sigurinë e vendit dhe në rolin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s.
Ky shqetësim është ngritur nga një ekspert amerikan që merret me çështjet e NATO-s, të sigurisë, të terrorizimit, të shërbimeve inteligjente dhe të operacioneve speciale. E gjithë fjala ime do të synojë të ndriçojë publikun shqiptar pikërisht përmes analizës dhe shqetësimeve që ngre ky ekspert që dëgjohet me vëmendje nga publiku amerikan dhe politika amerikane…
Nga leximi i shkrimit të këtij eksperti arrihet në disa përfundime:
Kultivimi i kanabisit, në mënyrë të paligjshme për një vend si Shqipëria me ekonomi të brishtë, me shqetësime të konsiderueshme sociale, me institucione të dobëta, me nivel të lartë korrupsioni, me drejtësi ende të pangritur, me lidhje të fuqishme krim-politikë si në qeverisje ashtu edhe në Kuvend është një dukuri me shumë pasoja negative për një vend anëtar të NATO që mund të kthehet në një hallkë të dobët të Aleancës…
Një dukuri e tillë mbart rreziqe të konsiderueshme në periudhën afatmesme për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor aq më tepër që Shqipëria ndodhet në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Në periudhën afatgjatë një dukuri e tillë e shtrirë në të gjithë vendin, e përhapur në nivel kapilar dhe për më tepër pjesë e një strategjie politike për manipulimin e zgjedhjeve, do të cenonte fillimisht rëndë sigurinë dhe eventualisht edhe mund të çonte në trazira sociale e destabilitet të vendit. Kjo ka ndodhur edhe gjetiu, konkretisht në Ukrainë, por edhe në Shqipëri në vitet 1996-1997.
Kultivimi i kanabisit në nivel kaq masiv dhe implikimi i shtetit, më konkretisht i rrjetit të policisë, s’është një çështje që mund të fshihet apo maskohet apo mohohet.
Këtë e ka thënë troç e qartë eurodeputeti Kukan: të gjithë e dinë se ç’ndodh me kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Kukan është një politikan serioz, që s’ka interesa personale në Shqipëri dhe s’ka asnjë lidhje as ideologjike dhe as personale me politikën shqiptare. Dhe si për të konfirmuar këtë, tha Kukan, ditët e fundit ka pasur shkrime shumë të forta për vërtetësinë e tyre edhe gazeta zvicerane “Le Matin”, edhe media italiane, por edhe media “Hill” nga SHBA…
Unë gjykoj se nuk është as serioz dhe dinjitoz për ne debati lidhur me ekzistencën apo jo të kultivimit të kanabisit të Shqipëri. Kjo është një e vërtetë e patjetërsueshme. Madje edhe implikimi i policisë është i padiskutueshëm. I padiskutueshëm është e synimi i aplikimit të kësaj dukurie për qëllime elektorale, gjë që e vërtetuan zgjedhjet në Dibër… Por nuk po i futem sot këtij debati…
Do t’i përgjigjem disa pyetjeve që shtrohen nga publiku përmes përgjigjeve që ka dhënë eksperti amerikan…
Por para se të bëj këtë gjë dëshiroj të qetësoj të gjithë qytetarët e ndershëm dhe ata që kanë një arsyetim të shëndoshë që eksperti amerikan është i pavarur dhe nuk ka asnjë lidhje personale apo partiake me Shqipërinë, e thënë më troç, qëndrimi i tij është invariant nga çdo grup politik apo lider politik është në pushtet në Shqipëri. Ai flet vetëm për interesat strategjike të SHBA dhe meqenëse jemi në këtë pikë me duhet të evokoj edhe diçka që shqiptarët ndoshta e dinë…
Partneriteti strategjik SHBA–Shqipëri është rezultat i rezonimit të interesave të përbashkëta… Ato s’varen nga cili është në pushtet në SHBA apo Shqipëri. Ato kanë qenë dhe do të mbeten strategjike. SHBA gjithnjë ka pasur për synim të ndihmojë Shqipërinë të stabilizohet përmes demokratizimit.
Tani të kthehem te pyetjet e publikut dhe përgjigjet e ekspertit amerikan.

– Çfarë mendojnë në SHBA për kultivimin e kanabisit në Shqipëri?
Përgjigjja e ekspertit: Në Uashington, kohët e fundit kthimi i Shqipërisë në një strehë droge, është jashtë fokusit së politikës dhe ka nevojë për vëmendje të menjëhershme.

– Përse kjo çështje është e mprehtë për SHBA?
Përgjigjja e ekspertit: Së pari se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Dhe së dyti, Shqipëria ka filluar të duket si një Meksikë dhe Kolumbi në Ballkan.

– A po hesht SHBA, përse? Dhe kur do të merret seriozisht?
Përgjigjja e ekspertit: Menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit në SHBA… por kjo nuk ka lidhje as se kush do të zgjidhet dhe as kush është në pushtet në Tiranë…

– Vetëm SHBA ka dijeni për këtë dukuri? Dhe për çfarë tjetër stigmatizohet Shqipëria?
Përgjigja e ekspertit: Këto dhe të tjera raporte, e përcaktojnë Shqipërinë jo vetëm si një prodhues të madh të drogërave të paligjshme, por edhe si vend tranzit të drogës që vjen nga Azia dhe më pas kalon në të gjithë Evropën.

– Çfarë të këqijash ka kultivimi i marijuanës dhe tranzimit i drogave të forta? Përse mos të jetojnë më mirë shqiptarët duke shitur këtë bimë magjike përderisa përdoruesit janë në Perëndim?
Përgjigjja e ekspertit: Shqipëria është kthyer në një bazë nga e cila grupet kriminale kontrabandojnë heroinë, kokainë, kanabis dhe substanca të tjera të paligjshme në pjesën tjetër të Evropës, sipas Agjencisë së Drogërave të Evropës.

– A është kjo një dukuri që vjen si reagim spontan i qytetarëve për shkak të varfërisë apo prapa kësaj dukurie është shteti? Cili është implikimi i shtetit në këtë dukuri?
Përgjigjja e ekspertit: Disa raporte lidhin Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me familjarë të tyre të angazhuar fuqishëm në biznesin e drogës.

– Cili është rreziku më i madh që shqetëson në këtë rast Perëndimin?
Përgjigjja e ekspertit: Mediat në Mbretërinë e Bashkuar kanë shkruar se simpatizantë të ISIS kanë marrë kontrollin e plantacioneve të kanabisit në Shqipëri.

– Po Shqipërisë vetë çfarë rreziku i kanoset?
Përgjigjja e ekspertit: Korrupsioni mund të jetë shkaktar që udhëheqësit e lartë të qeverisë mbyllin njërin sy për tregtinë e drogës, duke bërë që i gjithë sistemi i sigurisë dhe i zbatimit të ligjit në Shqipëri të rrezikohet.

-Po pasoja, rreziku për vendet e tjera të Europës paraqet kjo gjendje e Shqipërisë?
Përgjigjja e ekspertit: Në një kohë që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është i rëndësishëm, transformimi i saj në një strehë droge është i papranueshëm. Lidhjet e drogës në Shqipëri nuk janë një shenjë e mirë për sigurinë afatgjatë të partnerëve tanë evropianë.

– Çfarë mund të bënte SHBA apo marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me qeverinë amerikane janë të tilla që heshtja është zgjidhja e artë?
Përgjigjja e ekspertit: Gjithçka do të nisë pas zgjedhjeve të nëntorit në SHBA. Kongresi dhe autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit duhet të shikojnë më thellë në këtë mjedis të rrezikshëm, duke përfshirë një hetim ndërkombëtar të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare të lidhur me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe veprimtaritë terroriste. Vetëm nën udhëheqjen e fortë të SHBA një hetim i tillë mund të jetë i suksesshëm.
Si përfundim: Kultivimi i kanabisit pas kriminalizimit të Parlamentit dhe administratës publike dhe pas Reformës në Drejtësi për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar që kanë marrë peng shtetin është çështja e tretë madhore që shqetëson Perëndimin dhe rrezikon rëndë Shqipërinë. Këtë e dinë të gjithë. Heshtja është e përkohshme dhe për arsye rrethanash të momentit. Rruga më e qartë është e ajo e angazhimit serioz amerikan, e cila besoj shumë që do të japë rezultatet e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Konkretisht bëhet fjalë për hetim ndërkombëtar të lidhjeve të politikës dhe politikanëve shqiptarë me korrupsionin, krimin dhe kultivimin e kanabisit.
Kjo është rruga që me shumë gjasa të ndodhë dhe përmes këtij diskutimi do të ftoja të gjithë deputetët e ndershëm dhe të arsyeshëm të këtij Kuvendi të reflektojnë thellësisht.
Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për nevojën e veprimit të tyre aktiv.
Përndryshe vendi do të rrezikohej nga futja në rrugë me shumë të papritura dhe pasiguri, ose drejt një regjimi autoritar me pasoja për sovranitetin dhe integritetin e vendit ose drejt trazirave sociale.
Unë shpresoj shumë në reflektimin e politikës dhe qytetarëve për të vijuar rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore liberale…

Artikulli paraprakZbardhet gjobvënia e Shullazit, arrestohen dy ushtarët e tij
Artikulli tjetërVendi po rrëshqet drejt destabilizimit