Nga po vjen sinjali negativ për çmimet

Ringjallja e sektorit të ndërtimit në sektorin e banesave këtë vit ka nisur t’i bëjë çmimet e lëndëve të para më të shtrenjta.
INSTAT raportoi sot se, ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim, për tremujorin e tretë 2017 është 0,5%.
Indeksi i grupit “shpenzime të tjera” u rrit me 1,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasuar nga grupi “shpenzime për paga” dhe “shpenzime materiale”, përkatësisht me 1,6% dhe 1,3%.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin “shpenzime transporti” me 1,4%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0,3%.
Në tremujorin e tretë 2017, ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, rritje ka shënuar grupi “shpenzime materiale” me 0,2%.
Ndërsa grupet “shpenzime për paga”, “shpenzime makinerie”, “shpenzime transporti” dhe “shpenzime për energji” nuk kanë ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Ndërtimi kontribuoi në 45% të vlerës së shtuar bruto në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT ekonomia u rrit me 4.06% në tremujorin e dytë të vitit, teksa 1.84 pikë përqindje i dedikohet sektorit të ndërtimit. Kjo peshë e ndërtimit në rritjen ekonomike ishte më e larta që nga viti 2011.
Banka e Shqipërisë analizoi se nga ana e prodhimit, zgjerimi i rritjes reale të ekonomisë, u mbështet kryesisht nga aktiviteti ndërtues dhe ai i shërbimeve, ku kontributin kryesor e dha sektori i ndërtimit.
Ky sektor e ka zgjeruar ndjeshëm peshën në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë, duke e çuar në mbi 1.8% nga 1% që ishte në tremujorin e parë 2017.
Nga të dhënat e INSTAT shihet se, pesha e sektorit të bujqësisë u reduktua ndjeshëm në tremujorin e parë, duke kontribuar vetëm 0.16 pikë përqindje në rritje nga 0,27 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit. Gjithashtu sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pasur ecuri të ngjashme.

Artikulli paraprakPër 10 muaj fitimi i bankave arrin në 75.7 milionë euro
Artikulli tjetërPuç kushtetues me hapat për drejtësinë