Nga 2013 në 2018, tarifat për studimet e larta janë rritur 45%

Tarifat e studimit në arsimin e lartë janë rritur në mënyrë të dukshme gjashtë vitet e fundit me shumë se 40% për të gjitha nivelet e studimit, por rritja më e fortë është aplikuar për tarifat master. Sipas të dhënave zyrtare në vitin akademik 2012-2013, një master shkencor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës kushtoi 174,720 lekë, ndërsa në vitin akademik 2018-2019 kushtoi 252,000 lekë. Rritja e tarifës është 44%. Po në këtë masë, tarifat janë rritur për të gjithë masterët shkencorë dhe profesionalë në të gjitha fakultetet.
Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, tarifat e masterit shkencor janë rritur me 44% në raport me vitin akademik 2012-2013. Për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tarifat janë rritur me 40%, në Fakultetin e Drejtësisë me 44%, në atë të Politeknikut me 57%. Tarifat në Universitetin Bujqësor në Tiranë janë rritur me 23%. Në nivele të ngjashme, tarifat janë rritur edhe për studimet master.
Shqipëria renditet ndër vendet europiane me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në vitin 2016. Sipas Eurostat, të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin 30% e mesatares së të ardhurave për frymë të BE, duke e renditur vendin tonë të fundit në Europë si për nivelin e të ardhurave dhe konsumit. Nga ana tjetër, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të larta për arsimin në Europë. Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve europiane në vitin 2017.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë – Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Për Kukësin, qarkun më të varfër të vendit, duket se shpenzimet për arsim rëndojnë më shumë se në qarqet e tjera të vendit.
Për familjet kuksiane, shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.
Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana, me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve. Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim. Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3% të totalit të shpenzimeve të tyre.
Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Për nivelin e studimeve master, viti akademik për gradën e Masterit Profesional është 72 mijë lekë (studimet e plota 144 mijë), ndërsa për Masterin Shkencor është 105 mijë lekë (dy vite 210 mijë lekë). Në universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro, në 3500 euro.

“Monitor.al”

Artikulli paraprakE paimagjinueshme, Edi Rama shkel haptazi Kushtetutën! Ish-ministri skanon ligjin…
Artikulli tjetërProtesta që edhe Rilindjen do ta shpëtojë nga dhimbjet e një modeli që po vdes