Nga 10 ndeshje Barça fiton 9, ndërsa Siti vetëm 1

Pep Guardiola është i kënaqur dhe i lumtur për faktin që arriti të mposhte skuadrën, që ai e quan më të mirën në botë. Sipas tij, ky triumf nuk do të thotë vetëm 3 pikë, por diçka më shumë. “Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe e luajtur me shpirt nga ana jonë. Barcelona e nisi shumë mirë, por djemtë më pas reaguan. Sigurisht që mund të kishim humbur sërish, por u treguam të saktë dhe ia dolëm të përmbysnim skuadrën më të fortë në botë. Nëse do të kishim pësuar golin e dytë, atëherë ndeshja do të kishte përfunduar. Megjithatë, goli na dha jetë dhe arritëm të fitonim. Në pjesën e dytë bëmë një ndeshje shumë virtuoze dhe të kënaqshme. Mund ta kishim përmbysur më përpara ndeshjen, por luanim ndaj një skuadre që ka shumë kualitete”, tha trajneri i Sitit.
Guardiola shpjegoi edhe disa nga lëvizjet në fushën e lojës. “Ishim duke kërkuar lojën një kundër një me të gjithë lojtarët. Mendoj se çelësi i suksesit ishte De Brujne, i cili e dominoi totalisht Serxhi Roberton dhe na dha shumë gjatësi në fushë. Jam i kënaqur për të dhe të gjithë futbollistët e tjerë. Bënë një ndeshje shumë të mirë ndaj Barcelonës. Mendoj që ndeshja e parë në ‘Kamp Nou’ na mësoi shumë gjëra dhe reaguam mirë”, vazhdoi më tej numri një i “qytetarëve”.
I pyetur për shanset që kanë skuadrat për t’u kualifikuar dhe mënyrën se si do të renditen pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve, Guardiola tha që vendi i parë i takon Barcelonës. “Sigurisht që vendi i parë është për ta. Nëse Siti do të luajë 10 ndeshje kundër tyre, atëherë jam i sigurt që Barcelona do të fitojë 9, ndërsa ne vetëm 1. Këtë herë ishte e duhura që të triumfonim”, tha Guardiola pas ndeshjes. Deklarata e tij për t’u thurur elozhe kundërshtarëve duket se bëhet për t’u shtuar sa më shumë presionin në ndeshjet e ardhshme.

Artikulli paraprakBarça planifikon kthimin e Pep
Artikulli tjetërSanchez rrezikon burgun