Barça planifikon kthimin e Pep

Pep Guardiola te Barcelona mund të jetë padyshim një nga rikthimet më të bujshme në historinë e futbollit botëror dhe ky skenar nuk duket shumë i largët. Sipas britanikëve të “Sky Sports”, vizita e katalanasve në Angli për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ka sjellë edhe kontaktin e radhës së klubit me trajnerin, i cili ka fituar gjithçka në “Kamp Nou”.
Pas përfundimit të takimit, në një bisedë shumë miqësore mes palëve, raportohet se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i ka propozuar Guardiolës që të marrë në konsideratë idenë e kthimit përsëri “në shtëpi”.
“Pse jo? Nuk i dihet asnjëherë. Jeta është shumë e gjatë dhe jam i sigurt se Pep ka Barcelonën në zemër. Tani ai është te Siti dhe ka edhe 3 vite kontratë me këtë klub, i urojmë suksese me përjashtim të rasteve kur luan me Barcelonën”, ishte deklarata e mbrëmshme e Bartomeut rreth kësaj teme, duke mos mohuar mundësinë e kthimit të spanjollit. Nuk dihet ende çfarë përgjigje ka kthyer Guardiola pas kësaj ftese, por nëse aventura e tij në Angli nuk shkon siç kishte shpresuar, nuk është çudi që ai të kthehet përsëri në “Kamp Nou”, nga ku është larguar si hero dhe do të pritej përsëri si i tillë.

Artikulli paraprakKandidatët për çmimin “Trajneri i Vitit”
Artikulli tjetërNga 10 ndeshje Barça fiton 9, ndërsa Siti vetëm 1