Nga 1 prilli, dy variantet sesi do të mblidhet taksa e pronës

Fillimisht, informacioni që u dha nga zyrtarët e Ministrisë së Financave ishte se taksa e pronës, që nga 1 prilli do të përllogaritet mbi bazën e vlerës së tregut dhe sipas sipërfaqes siç ka qenë deri më tani, do të mblidhej tek fatura e energjisë elektrike. Por zhvillimet e fundit tregojnë për ndryshim të formës së vjeljes së saj. Do të jenë Këshillat Bashkiakë që do të përcaktojnë mënyrën sesi do të bëhet pagesa, duke hedhur kështu poshtë variantin për arkëtim të saj nga OSHEE.
Në Fletoren Zyrtare, ku është botuar vendimi i qeverisë për formën e re të taksimit të banesave dhe ambienteve të bizneseve theksohet se, “Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës”.

Dy janë variantet në tryezën e diskutimit, teksa mbeten edhe pak ditë nga 1 prilli, afati kur taksa hyn në fuqi: vjelja e saj tek fatura e ujit për konsumatorët dhe grumbullimi nga inspektorët tatimorë vendor për bizneset. Këto dy variante konfirmohen si më të mundshmit nga burime në Ministrinë e Financave. “Do të jenë këshilltarët bashkiakë ata që do të vendosin për mënyrën sesi do të mblidhet. Aktualisht, përderisa taksa mblidhet tek fatura e ujit, predispozita më e lartë është që të vazhdojë të mblidhet në këtë formë. Pra, qytetarët ta paguajnë taksën e banesës tek fatura e ujit, por me vlerë tjetër, pasi metodologjia ka ndryshuar. Ndërsa për bizneset, varianti më i mundshëm është që të mblidhet nga zyra e tatim-taksave vendore”, shprehen burimet e mësipërme.
Ekspertët e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur gjithashtu, se taksa për qytetarët do të shpërndahet në 12 muajt e vitit, ndërkohë që edhe bizneseve do t’iu ofrohet mundësia e pagesës së saj me këste, sipas mundësisë financiare që do të kenë.
Më shumë taksë do të paguajnë familjet që jetojnë në zonën e ish-Bllokut, pasi aty është çmimi më i lartë referencë për metër katror. Ndërsa apartamentet e ndërtuara para ’93, në rast se nuk është kryer asnjë shitblerje, taksa do të llogaritet me 70 për qind të vlerës së shtëpisë. Taksa për shtëpitë është sa 0,05 për qind e vlerës së shtëpisë.
Për dyqanet, taksa do të jetë sa 0,2 për qind e vlerës së dyqanit. Çmimi i dyqanit do të llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal të shtëpisë. Kush disponon një dyqan në zonën e Ali Demit, me sipërfaqe 40 metra katrorë, do të paguajë taksë për dyqanin 19,600 lekë në vit. Në zonën kadastrale të Ali Demit, që korrespondon me zonën 1/1, çmimi është 98,000 lekë/ m2.
Në këtë rast, çmimi për biznesin do të jetë 196,000 lekë/m2, kurse taksa sa 0,2 e çmimit fiskal. Për këtë zonë kush disponon një garazh me sipërfaqe 15 m2 do të paguajë 2,058 lekë në vit. Çmimi fiskal i garazhit do të jetë sa 70 për qind e çmimit të sipërfaqes së apartamentit.

Artikulli paraprakËshtë bërë keq për lekë, por euro ka me shumicë; zbret afër 130 lekëve
Artikulli tjetërNdoka, qeveria po shantazhon bashkitë e opozitës