Nëse Italia thotë “Jo”

Italia mban sot referendumin për të ndryshuar apo jo Kushtetutën e vendit. Kryeministri i qendrës së majtë, Matteo Renzi ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse elektorati i refuzon propozimet e tij, por sondazhet tregojnë se vota do të jetë e balancuar. Tregjet financiare janë duke shfaqur shenja nervozizmi dhe disa analistë madje sugjerojnë se vota “jo” do të çonte drejt shkatërrimit të eurozonës. Çfarë është në rrezik? Si do të ndikonte për pjesën tjetër të Europës dhe cila është më e keqja që mund të ndodhë?
Matteo Renzi, cili erdhi në pushtet dy vite më parë në moshën 39-vjeçare, kërkon të ndryshojë të gjithë sistemin politik të Italisë në mënyrë që të arrijë të miratojë një paketë reformash ekonomike. Ai kërkon të reduktojë numrin e senatorëve dhe të kufizojë pushtetin e Senatit në lidhje me dhomën e ulët të Parlamentit. Renzi kërkon gjithashtu të reduktojë pushtetin politik rajonal të Italisë.
Janë të paktë ata që e kundërshtojnë faktin e reformat ekonomike janë të domosdoshme. Ekonomia italiane nuk ka ecur gjatë 16 viteve të fundit dhe papunësia është rritur deri 11,5 për qind. Me përjashtim të Greqisë, Italia është vendi me performancën më të ulët të eurozonës pas krizës së vitit 2008.
Megjithatë, reformat politike në Itali që kanë efektin e përqendrimit të pushtetit, anë të detyruara me ligj të vendosen me referendum popullor. Kjo është një trashëgimi e historisë së dhemshme fashiste të vendit në kohën e Musolinit në prag të Luftës së Parë Botërore. Por si pritet të shkojë referendumi?
Përpara se sondazhet të ndërpriteshin më 18 nëntor, ishte projektuar rezultati i parashikuar prej 53,5 për qind me 46,5 për qind në favor të votës “jo”, pra kundër reformës kushtetuese. Ka disa shpresa që 20 për qind e njerëzve që nuk e kanë ndarë mendjen akoma, në fund do të votojnë “Po”. Megjithatë, ky ka qenë viti i votave masive protestuese, që nga Brexit deri tek fitorja e Donald Trump-it në Shtetet e Bashkuara.
Me pak fjalë, Renzi nuk duket në pozicion të favorshëm. Atëherë, çfarë do të ndodhë nëse ai jep dorëheqjen? Natyrisht, qeveria do të rrëzohet, por pyetja e vërtetë është se çfarë do të ndodhë pasi qeveria e tij të rrëzohet. Është e mundur që presidenti italian, Sergio Mattarella, mund të emërojë një tjetër kryeministër dhe mund të vendoset një qeveri teknike për ta mbajtur vendin nën drejtim për pak kohë.
Nëse mbahen zgjedhje të reja në vitin 2017, pritet që Lëvizja me Pesë Yje të fitojë pushtet. Partia aktualisht mban rreth 28 për qind të votave sipas sondazheve, jo shumë larg votave të Partisë Demokratike të Renzit, i cili ka 32 për qind. Dështimi i referendumit mund t’i japë Lëvizjes me Pesë Yje pikërisht atë që i nevojitet për të fuqizuar pozicionin e saj.
Lëvizja me Pesë Yje ka premtuar se do të mbante një referendum për të vendosur nëse Italia dëshiron të largohet nga eurozona. Italia është një vend aq i madh dhe ekonomikisht i rëndësishëm sa shumë ekspertë mendojnë se monedha e përbashkët do të shkatërrohej nëse vendi do të votonte për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, ka shumë etapa të vështira për ta kapërcyer që të arrihet deri në këtë referendum. Në bazë të Kushtetutës italiane, vetë mbajtja e një referendumi për të dalë nga eurozona do të kërkonte një referendum popullor. Dhe sondazhet tregojnë se 67 për qind e italianëve duan të qëndrojnë brenda eurozonës. Problemi është që tregjet financiare përpiqen t’i parashikojnë eventet në periudhën afatgjatë.
Tregjet u destabilizuan në vitin 2012 vetëm sepse dukej sikur Italia dhe Spanja do të zhyteshin brenda borxheve të tyre kombëtare, gjë që do t’i detyronte të hiqnin dorë nga blloku i monedhës së përbashkët që të kishin mundësi të paguanin rrogat e sektorit publik. I njëjti panik mund të rifillojë nesër në rast se referendumi i sotëm dështon dhe tregtarët parashikojnë që vendi po shkon drejt largimit nga eurozona.

Çfarë duhet të presin tregjet nga vota “Jo” e Italisë?
Presioni më i madh do të vendosej në periudhën afatshkurtër mbi bankat italiane, të cilat mendohet se kanë mbi 350 miliardë euro borxhe të këqija, shumë prej të cilave janë të zhvlerësuara. Analistët paralajmërojnë se do të ketë një zhvlerësim të madh të tregut të aksioneve në rast se referendumi humbet.
Një tjetër tregues, i cili është shumë i rrezikshëm është edhe çmimi i bonove të qeverisë italiane. Në rast se referendumi dështon mund të ketë shitje të tyre masive ditën e hënë, duke e vënë në rrezik qeverinë italiane.

Çfarë sjell referendumi për Britaninë?
Britania mund të ketë votuar më 23 qershor për t’u larguar nga Bashkimi Europian, por e ardhmja e saj ekonomike dhe pasurore është ngushtësisht e lidhur me kontinentin. Nëse ekonomia e eurozonës pëson një tjetër goditje nga paniku i ri financiar, kjo do të dëmtonte shumë edhe Britaninë e Madhe duke zhvlerësuar eksportet dhe investimet e brendshme të biznesit.
Kjo ishte pikërisht ajo që pamë pas shpërthimit të krizës së parë të eurozonës. Papunësia do të rritej dhe standardi i jetesës do të ulej. Paundi do të rritej kundrejt euros – gjë që do të favorizonte vetëm ata që planifikojnë të bëjnë pushime në kontinent – por impakti i përgjithshëm mbi ekonominë pas rikthimit të një tjetër krize të eurozonës do të ishin shkatërrimtare jo vetëm për britanikët, por për të gjithë eurozonën.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakEuropa e Merkelit dhe Fillonit
Artikulli tjetërTrump: Mos prisni që të ndryshoj!