Europa e Merkelit dhe Fillonit

Camille Pecastaing

Vitin e ardhshëm, francezët dhe gjermanët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin dhe liderët e tyre të rinj. Kandidatët më të mundshëm për momentin janë François Fillon, ish-kryeministër i Francës, i cili fitoi zgjedhjet paraprake brenda partisë së tij fundjavën e kaluar për të qenë kandidati i qendrës së djathtë për presidencën franceze dhe kancelarja e pamposhtur e Gjermaninë, Angela Merkel, e cila kohët e fundit deklaroi zyrtarisht se do të kandidonte për një mandat të katërt.
Të dy politikanët do të përballen me detyra tepër të vështira. Ata mund të vendosen së shpejti në timonin e drejtimit të Bashkimit Europian përmes krizës së Brexit, teksa vazhdojnë të përballen vazhdimisht me agresivitetin e Rusisë. Pa Mbretërinë e Bashkuar dhe me një administratë të re të paparashikueshme në Shtetet e Bashkuara, Merkel dhe Fillon do të jenë gjithashtu në krye të menaxhimit të marrëdhënieve të reja të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.
Dy politikanët do të duhet të përpiqen shumë për të shpëtuar edhe marrëveshjen e shumëdebatuar të Partneritetit Trans Atlantik të Tregtisë dhe Investimeve që Donald Trump e ka kundërshtuar, si dhe Marrëveshjen e Parisit mbi çështjet e ndryshimit të klimës, të sfiduar gjithashtu nga presidenti i ri amerikan. Detyrat e tjera që do të përfshihen në axhendën e tyre janë edhe menaxhimi i situatës së tensionuar me Turqinë dhe ribashkimi potencial me Qipron.
Edhe pse sfidat e ardhshme të politikës së jashtme janë tepër të rrezikshme dhe të rëndësishme, janë në fakt çështjet e brendshme ato do të shqyrtohen më shumë dhe në varësi të tyre, votuesin do të zgjedhin kandidatin e tyre të preferuar, si në Francë ashtu edhe në Gjermani. Franca vuan nga një ekonomi strukturalisht e dobët dhe papunësia e madhe dhe të gjitha zgjedhjet e fundit kanë mbetur peng të premtimeve të paplotësuara kurrë për të zgjidhur këto probleme. Sulmet dramatike terroriste i kanë bërë votuesit edhe më të ndjeshëm për çështjet e sigurisë dhe për asimilimin e dobët të një komuniteti masiv emigrantësh myslimanë.
Në të kundërt, Gjermania është viktimë e vetë sukseseve të saj ekonomike, gjë që e ka kthyer në destancionin kryesor dhe të preferuar të mijëra e mijëra azilkërkuesve dhe ka inatosur së tepërmi një segment të madh të elektoratit gjerman. Këto trende kanë nxjerrë në sipërfaqe partitë ksenofove si Fronti Kombëtar në Francë dhe Partia Kombëtare Demokratike në Gjermani. Ata kanë filluar të marrin pjesë në debatin politik dhe pritet të luajnë role të rëndësishme në zgjedhjet e të dy vendeve vitin e ardhshëm.
Kundër këtyre ekstremiteteve, Fillon dhe Merkel personifikojnë të dy vlerat e qendrës së djathtë të moderuar. Elektorati i tyre kryesor janë konservatorët socialë dhe europianët e vërtetë që mendojnë se Europa është hapësira e vlerave kristiane. Si liberalë për çështjet ekonomike, ata favorizojnë tregtinë dhe tregjet e lira, por pa i kthyer shpinën rrjeteve të sigurisë që garantojnë drejtësinë sociale.
Në Gjermani, themelet e këtij modeli janë vendosur fillimisht nga paraardhësi i Angela Merkelit, Gerhard Shroder, i cili ka qenë kancelari i vendit deri në vitin 2005 dhe ishte gjithashtu arkitekti i reformës që mundësoi rritjen e jashtëzakonshme ekonomike. Kombinimi i specializimit industrial dhe konkurrencës globale ka funksionuar për mrekulli në Gjermani. Papunësia ka qenë një trend në rënie për vite e vite me radhë dhe vendi e asimiloi shumë mirë krizën ekonomike globale të vitit 2008, gjë që e lejoi Merkelin të krijonte një kapital mjaft të mirë nga suksesi ekonomik gjatë mandatit të saj.
Franca ka mbetur shumë pas Gjermanisë për sa i përket ciklit të reformave. Politikat e tregut të lirë të punës dhe reformat për të përmirësuar konkurrencën janë miratuar vetëm pas vitit 2014, kur socialisti Manuel Valls u emërua si kryeministër dhe Emmanuel Macron u bë ministër i Ekonomisë, Industrisë dhe Çështjeve Dixhitale.
Të dy këto politikanë francezë pritet të jenë kandidatë potencialë të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, por reformat Valls-Macron kanë qenë tepër modeste për të nxitur ndonjë rritje domethënëse ekonomike. Paradoksi është që liberalizmi ekonomik i socialistëve ka sjellë përçarje dhe kontradikta të shumta ideologjike për të majtën franceze, kontradikta që nuk do t’i ndihmojnë aspak në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Me Partinë Socialiste tashmë të destinuar për ta humbur pushtetin, Fillon ka dalë si një kandidat tepër i fortë i së djathtës, duke promovuar vlerat kristiane dhe duke mbajtur pozicion të patundur për çështjet e sigurisë. Pikërisht ky qëndrim pritet që t’i risjellë Fillonit elektoratin tradicional konservator të tërhequr nga Marine le Pen.
Ndryshe nga Le Pen, Fillon mbështet fuqimisht Europën dhe globalizimin dhe propozimet e tij radikale për ta bërë Francën më konkurruese në ekonominë globale pritet të tërheqë shumë vota të liberalëve. Duke bashkuar këto dy blloqe të mëdha të elektoratit francez, Fillon do të duhet të fitojë pa shumë mundim, por fitorja në kutitë e votimit mund të mos t’i ofrojë atij mandatin e ndryshimit radikal.
Paraardhësit e tij socialistë dhe reformatorë patën fatin të kenë një periudhë me paqe sociale në një vend ku reformat shpesh i nxjerrin njerëzit në rrugë për të protestuar, duke e paralizuar ekonominë për javë të tëra. Për të bindur popullin francez që të mbështesë platformën e tij dhe programin e tij ambicioz të ekonomisë, Fillon do të ketë nevojë për një kapital politik të jashtëzakonshëm, të cilin për momentin nuk e ka.
Sfidat e kancelares gjermane, Angela Merkel janë ndryshe nga ato të Fillon, por edhe asaj i nevojitet kapitali politik. Rrjeti bujar i sigurisë gjermane është vënë përpara vështirësive të mëdha nën peshën e rëndë të një numri të papërballueshëm refugjatësh, të cilët Merkeli i ka mirëpritur si detyrim moral. Në teori, prurjet e mëdha të fuqisë punëtore në vend, do të mund të kompensojnë rënien demografike me të cilën përballet prej kohësh Gjermania, por është e rëndësishme që refugjatët të përshtasin aftësitë e tyre për punë në mënyrë që të angazhohen brenda ekonomisë gjermane.
Aktualisht, Gjermania pritet të trashëgojë të gjithë bizneset që do të largohen nga Mbretëria e Bashkuar pas Brexit – një preferencë e shprehur qartë nga kompanitë që kanë marrë pjesë në disa sondazhe. Nëse gjithçka shkon mirë, mandati i ri i Angela Merkel do të sjellë një rritje akoma më të madhe të motorit të jashtëzakonshëm ekonomik të Gjermanisë. Por vendi mund të fillojë të bëhet më i diversifikuar dhe më kozmopolitan, kundër dëshirës së popullsisë autoktone që është shfaqur veçanërisht armiqësore ndaj ndryshimit.
Në frontin e politikës së jashtme, epërsia e dukshme ekonomike e Gjermanisë sjell shumë përfitime për Merkelin, por Franca ka një peshë të rëndë ushtarake dhe diplomatike mbi supe falë armëve bërthamore, vendit të saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ushtrisë së vogël që dërgohet vazhdimisht me misione nëpër botë. Testi më kryesor i aleancës së ardhshme Merkel-Fillon do të jetë pa dyshim marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Si francezi Fillon, ashtu edhe gjermania Merkel janë treguar aq të matur sa i lejon diplomacia kundrejt presidentit të ri të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe qëndrimi i tyre për administratën e re mund të evoluojë në unison. Por mund të jetë Rusia ajo që arrin t’i përçajë.
Gjermania është kthyer kohët e fundit në protektoren de fakto të vendeve lindore anëtare të Bashkimit Europian kundër agresionit të mundshëm rus. Si një politikan i pasionuar pas Charles de Gaulle, Fillon beson se Franca duhet ta zotërojë vetë politikën e saj të jashtme, se Europa është një instrument i pushtetit francez, jo pushteti përpara të cilit Franca duhet të japë llogari. I pandikuar aspak nga thirrjet e shumta për të treguar qëndrim më të rreptë për fqinjët europianë të Rusisë, Fillon argumenton se zbutja është ajo që mund të kufizojë vërtet sjelljen e Moskës në rajonin që e rrethon.
Merkel dhe Fillon e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Për pesë vite të trazuar, ai ka qenë kryeministër i Francës, në një kohë kur ajo ishte kancelare e Gjermanisë. Të dy së bashku ata i bënë ballë invazionit rus të Gjeorgjisë dhe krizës së euros. Në atë kohë Fillon ishte figura e dytë e vendit, pas presidentit të Francës Nicolas Sarkozy, i cili përveç se tentoi, pa sukses, të bindte kancelaren Merkel që të mbështeste ambiciet globale të Francës, nga ana tjetër i vinte pas fijes edhe dëshirave të presidentit rus, Vladimir Putin.
Ishte presidenti socialist François Hollande, i cili, duke reaguar kundër konflikteve në Ukrainë dhe Siri, u bashkua me kancelaren Merkel për të ndjekur politikën e përbashkët të “shpërblimeve dhe ndëshkimeve” kundrejt Moskës. Edhe pse kancelaren gjermane e kanë akuzuar herë pas here se ka mbështetur kapriçot e Putinit, e vërteta është se ajo e ka kundërshtuar dhe i ka bërë ballë më shpesh se pala tjetër franceze. Merkel ka arritur me sukses të balancojë qëndrimin e partnerit të koalicionit të qeverisë së saj, Partia Social Demokrate, me nevojat e vendeve të Europës Lindore që i kanë kthyer sytë nga Gjermania për ndihmë.
Dinamika franko-gjermane ka qenë elementi më i rëndësishëm dhe kryesor i ndërtimit të Europës që në vitet 1950. Kjo është arsyeja përse çdo zgjedhje në secilin prej këtyre vendeve ngre gjithmonë dyshime apo shqetësime të një ftohjeje të mundshme ndërmjet tyre. Nga ana e temperamentit dhe ideologjisë, Merkel dhe Fillon duken si një çift tepër i përshtatshëm.
Programi liberal ekonomik i Fillonit i përgjigjet më së miri kërkesave të përhershme të Gjermanisë për rritjen e konkurrencës së palës tjetër, por nëse Franca tërhiqet për çështjet që lidhen me Rusinë në vitin 2017, veçanërisht në rast se Shtetet e Bashkuara shkojnë po në të njëjtin drejtim, kjo do të ishte vula finale e aprovimit të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe do të përbënte avantazh të dukshëm për regjimin e Bashar al-Assadit në Siri.
Bashkimi Europian i ditëve të sotme, shtrihet nga Irlanda në Letoni, por nëse situata në Lindje të rajonit do të përkeqësohej edhe më shumë, pa mbështetjen e nevojshme nga ana e Francës, Gjermania mund të detyrohet të bëjë një zgjedhje të vështirë ndërmjet Europës Lindore dhe asaj Perëndimore. Presidenti i ardhshëm francez dhe kancelari i ardhshëm gjerman do të funksiononin më mirë nëse do të ishin në sintoni me njëri-tjetrin. Rajoni dhe bota do të funksiononin më mirë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakLufta hibride sipas Putinit
Artikulli tjetërNëse Italia thotë “Jo”