Nën gjurmët e sulmuesit në Berlin

Policia gjermane fajëson një tunizian për sulmet në Berlin, njoftojnë mediat gjermane. Sipas tyre, policia ka gjetur gjurmë konkrete në kamion. Personi apo personat e dyshuar për sulmin në Berlin po kërkohen në mbarë Gjermaninë. Gazetat “Bild”, “Der Spiegel” dhe “Allgemeine Zeitung” shkruajnë se në kamionin me të cilin është kryer sulmi terrorist janë gjetur dokumente konkrete. Bëhet fjalë për dokumentet e një personi me origjinë nga Tunizia, me emrin Anis A. Dokumenti është lëshuar në Kleve të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Deri tani nuk është arrestuar asnjë person, por kjo mund të jetë një gjurmë serioze, thonë burimet e mediave.

Presioni për të gjetur sulmuesin
Autoritetet e sigurisë thonë se gjendemi “fare pranë ndërmarrjes së masave” në këtë land të Gjermanisë, njofton agjencia e lajmeve “DPA”. Ndërsa  “Allgemeinen Zeitung” dhe “Spiegel Online” thotë se i dyshuari ka përdorur dokumente të ndryshme. Sipas tyre, ai është 21 apo 23 vjeç. Në polici është i njohur për përdorimin e dhunës, shkruan “Bild”. Ky person llogaritet si i “rrezikuar” nga ideologjitë ekstremiste dhe është pjesë e rrjeteve të mëdha islamiste. Autoritetet nuk kanë dashur të komentojnë pohimet e mediave.

Më shumë se 500 gjurmë deri tani
Pas sulmeve në Berlin ku gjetën vdekjen të paktën 12 persona dhe u plagosën rreth 50, në polici kanë ardhur më shumë se 500 raportime të ndryshme për sulmuesin e mundshëm. Policia është duke hetuar mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve okularë, por edhe të dhënave të ADN dhe të dhënave nga sistemet satelitore GPS. Autoritetet thonë se ata kanë shumë mundësi për të gjetur dhe kapur ndonjë person të dyshuar. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere ka deklaruar së fundi se hetimet nuk janë në qorrsokak dhe se ka të dhëna konkrete. Ministri tha se ka shumë të dhëna që flasin se kemi të bëjmë me një sulm me sfond islamik.

Artikulli paraprakThellohen kontradiktat mes qeverisë së Kosovës dhe listës “Srpska”
Artikulli tjetërNjë ditë, që do ta ndryshojë Gjermaninë