Nën akuzë për krime lufte, serbi arrestohet në Suharekë

I dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviç, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.
Avokati i tij, Dejan Vasiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviçit, që ndërlidhen me krime lufte gjatë vitit 1999.
Mitroviç ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës.
Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
I pandehuri Mitroviç, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, më datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin Mitroviç dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë.
“Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet e tjera të çfarëdolloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t’i pasur të gjitha të dhënat e sakta”, ka thënë Blakaj.
Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime lufte me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviç.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se, Mitroviç duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi.
Sadikaj tha se Bogdan Mitroviç ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.
“Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person, i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe Prokurorinë dhe të vërë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje”.
“Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen”, thotë Sadikaj.
Ndërkohë, avokati i Mitroviçit, Dejan Vasiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviçit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër).
Ai ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm.
“Atë, një fqinj i tij e ka cilësuar si person që ka marrë pjesë në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1999”, ka thënë Vasiç.
Por, sipas tij, ky dëshmitar nuk ka arritur ta vërtetojë se e ka parë vetë atë që ka ndodhur, por më shumë ka dëshmuar në bazë të atyre që ka dëgjuar.
“Kjo për mua nuk mund të ketë ndonjë peshë të rëndësishme”, ka thënë avokati Vasiç.
Sidoqoftë, ka nënvizuar ai, edhe kjo dëshmi ishte cilësuar e mjaftueshme që në këtë fazë të ngritët procedura hetimore.
Megjithatë, ai ka shprehur edhe habinë e tij se si dëshmitari, Xheladin Sadiku gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur, edhe pse është takuar me Mitroviçin dhe ka vendosur që të dëshmojë në gjykatë pas 18 vjetësh.
Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me probleme pronësore, pasi që Mitroviç, ka thënë ai, ishte afër procedurës për largimin e Sadikut nga lokali, të cilin ai thotë se e kishte uzurpuar.
Megjithatë, Xheladin Sadikaj thotë se prona e Bogdan Mitroviç është e lirë dhe nuk është e uzurpuar.
“Prona është e hapur, le të kthehet kur të dëshiron, askush nuk mund t’i thotë që nuk është prona e tij. Askujt nuk i ndalohet e drejta e kthimit. Kosova është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të kthehen, të cilët nuk kanë kryer krime, madje edhe atyre që përballen me drejtësinë”, thekson Sadikaj.
Bogdan Mitroviç po mbahet nën masën e paraburgimit. Pritet që organet e drejtësisë të vendosin rreth masave të mëtutjeshme.

Artikulli paraprakKush do t’i fitojë zgjedhjet lokale në Maqedoni?
Artikulli tjetërMasakrat në Burma, atje ku bota nuk ekziston