Në shtëpinë e “kreut” të puçit ushtarak, Gylen: Si u transformua Erdogan

E gjithë bota është fokusuar këto ditë te grushti i shtetit në Turqi. Si koka e grushtit të shtetit nga qeveria turke, njihet imami Fethullah Gylen. Megjithatë ky i fundit akuzon Presidentin Erdogan për një skenar të mirorganizuar. “Der Spiegal” ka vizituar Gylenin në shtëpinë e tij të ndodhur në malet e Pensilvanisë.
Fethullah Gylen qëndron në sallën e pritjes, ku afër ka një ventilator dhe një gotë ujë. Ai është veshur modestisht dhe bëhet gati të thotë diçka.
“Jam i gatshëm të gjykohem nga një komision ndërkombëtar”, thotë ai. “Nëse ata më shpallin të fajshëm, jam i gatshëm të kryej dënimin. Por kjo nuk do të ndodhë. Sepse unë s’kam bërë asgjë”.
Prej 1999 imami i njohur për Lëvizjen Hyzmet jeton në ekzil në malet e Pensilvanisë, Saylorsburg, ndërsa në Turqi ka shumë armiq, ku edhe zyrtarisht është shpallur organizatë terroriste. Lëvizja Hyzmet ka në pronësi media, shkolla dhe organizata të shpërndara në gjithë botën.
“Unë e kam thënë prej kohësh se jam kundër çfarëdolloj dhune, për përfitime politike”, vijon më tej imami. “Mbështes demokracinë në Turqi dhe mohoj grushtin e shtetit”.

Shumë kërcënime për vdekje
Për të vizituar 75-vjeçarin është mjaft e vështirë. Ka kontrolle të shumta policore dhe prej kohësh FBI e ka paralajmëruar Gylenin për kërcënime të shumta anonime. Në vendbanimin e tij ka shumë dhoma ku mund të falen besimtarët, ndërsa mediat praktikisht nuk kanë leje hyrjeje. Ne u futëm në sallonin e pritjes duke hequr atletet, ndërsa gratë duhet të vishnin mbulesën. Në dhomën e pritjes ka shumë flori, zbukurime dhe sure Kurani të ngjitura në mur. Në regal qëndron Enciklopedia Islame, më tej ka një glob, ndërsa nga dritarja ka në sfond parkun e gjelbëruar.

Çfarë thotë për Erdoganin
Ai duket pak i lodhur, është i sëmurë me zemër dhe ka diabetin, thotë ndihmësi i tij. Flet turqisht ngadalë, por përgjigjet janë shumë të gjata si një kryetar shteti. Ai flet për Erdoganin, të cilin e njeh mjaft mirë.
Në fillimet e pushtetit të Erdoganit ata ishin miq, që i bashkonte besimi i fortë. Tani urrehen. Gyleni mendon se Erdogani është kthyer në tiran, që dëshiron të mbyllë zërin e opozitës. “Erdogani erdhi nga një pozitë e varfër, ndërsa tani jeton në shumë pallate. Suksesi dhe pushteti e kanë helmuar atë”.

Në dhomën e fjetjes të Gylenit
Organizatat e tij kanë përfitime milionëshe në ditë, megjithatë Gyleni pretendon se nuk disponon pasuri personale. Të gjitha janë pjesë të ndjekësve të tij. Në dhomën e tij të vogël, fle në një krevat modest, ndërsa afër qëndron një tavolinë, më tej shikohen shumë libra, shishe të shumta me vaj, orendi osmane, flamuri turk dhe një foto me Xhaminë Al Aksa, Jeruzalem.
Dhoma hapet vetëm me kartë, ndërsa del jashtë saj vetëm kur ka kontrolle mjekësore.
Gylen është shumë introvers. Mezi mund të zbulosh diçka prej tij. “Erdogani mund të ketë skenuar grushtin e shtetit, për të përforcuar pushtetin”, thotë ai, por pa dhënë argumente.

Intriga, propagandë dhe lufta për pushtet
Në këtë histori është vështirë të zbulosh se kush gënjen, kush ka të vërtetën pas ose kush thotë qoftë edhe pjesë të së vërtetës. Politika turke prej kohësh është e zhytur në intriga, propagandë dhe luftë për pushtet. Gjatë vizitës sonë mund të konstatojmë se ka pak mundësi që Gyleni të jetë pjesë e grushtit të shtetit dhe aq më pak terrorist. Por a mund të jemi të sigurtë? Si do të shkojë më tej?
Erdogani kërkon ekstradimin e tij nga Turqia, ndërsa Gyleni mendon se SHBA nuk do të bindet nga faktet e Erdoganit. “Sistemi i drejtësisë në SHBA funksionon. Amerikanët nuk do të më dorëzojnë, nëse nuk kanë fakte”. Plus kësaj ai ka leje qëndrimi dhe ndjehet mirë. Gjithashtu ai përzihet edhe në politikën amerikane. “Hillary Clinton është grua e mirë”, thotë në fund imami 75-vjeçar. “Ajo është e ardhmja e këtij vendi”.

Artikulli paraprakUEFA përcakton arbitrat për ekipet shqiptare
Artikulli tjetërKu po shkon Turqia?