Në shtator mbyllen 163 qendra shëndetësore në fshatra

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka denoncuar dje vendimin e qeverisë për shkrirjen e qendrave shëndetësore në fshatra. Vokshi deklaron se duke filluar nga muaji shtator do të mbyllen 163 qendra shëndetësore, kryesisht në zonat rurale. Sipas saj nuk do të ketë më qendër shëndetësore, s’do të ketë pranë mjekë e infermierë. “Që nga shtatori, shumë zona rurale nuk do të kenë më qendër shëndetësore, s’do të kenë pranë mjekë e infermierë… s’do të kenë mundësi për shërbim shëndetësor… Plot 163 qendra shëndetësore do të mbyllen në vjeshtë. Ja pra shëndetësia falas e qeverisë Rama 2”, ka shkruar Vokshi. Premtimet për të çuar shërbimin mjekësor falas deri në skajet më të largëta të vendit po zëvendësohet me projektet për ta hequr këtë shërbim edhe nga zonat rurale, duke e përqendruar atë në ambulancat dhe spitalet e qyteteve e të rretheve. Kryeministri ka në tavolinë një projekt për të pakësuar numrin e qendrave mjekësore në ish-¬komuna. “Shënjestra” e mbylljes së ambulancave të fshatrave, në të cilat nuk do të ketë më mjekë, mami e infermierë, për shkak të një skeme të re “rilindëse” të shërbimit mjekësor në Shqipëri. Sipas kësaj skeme, afro 60% e qendrave të banuara në zonat rurale, të cilat deri tani e kanë nga një qendër shërbimi mjekësor, nuk do ta kenë më. Në gjithë Shqipërinë, projekti parashikon të mbyllë 163 qendra të tilla mjekësore të grup¬fshatrave ose fshatrave të mëdha! Shkak është varfëria buxhetore e shtetit për të përballuar pagat dhe shpenzimet mjekësore për këto qendra! Thuhet se për çdo 2 komuna në kufi me njëra-tjetrën, do të ketë vetëm nga 1 mjek dhe nga 1 infermier, të cilët duhet të përballojnë gjithë nevojat e zonave, gjë që nuk mund të realizohet as me shkuarje 1 herë në javë në çdo fshat e lagje të banuar fshatrash.

Artikulli paraprakNgec punësimi në sistemin financiar
Artikulli tjetërAsgjësohet grupi shqiptar që trafikonte drogë në Mykonos