Në prag fushate, 80 milionë dollarë nga bankat gjatë muajit shkurt

Banka e Shqipërisë raportoi se në muajin shkurt u tërhoqën mbi 10 miliardë lekë depozita nga sistemi bankar. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të BSH, totali i depozitave që biznesi dhe individët kanë të mbyllura në banka nga 1 trilionë e 13 miliardë lekë që ishte në muajin janar zbriti në 1 trilionë e 3 miliardë lekë në fund të shkurtit. Rënia ka ardhur si nga depozitat në lekë ashtu dhe ato në valutë. Në fakt depozitat në lekë kanë patur një tendencë rënëse gjatë viteve të fundit si pasojë e uljes dramatike të interesave. Por ajo e shkurtit është një rënie e pazakontë, pasi jo vetëm që është në përmasa të mëdha, por ka prekur edhe kursimet në valutë. Fenomeni i pazakontë ndodh në prag të fushatës elektorale, një periudhë, e cila edhe në vitet e shkuara është shoqëruar gjithmonë me dalje të parave nga bankat. Ekspertët thonë se shumë nga këto para përdoren për të financuar shpenzimet informale të fushatës elektorale, veçanërisht blerjen e votave, një fenomen masiv veçanërisht gjatë viteve të fundit. Blerja e votës nga qeveria nuk është një fenomen i panjohur në Shqipëri. Në zgjedhjet lokale të Korçës, anëtarët e Partisë Socialiste u filmuan duke blerë vota kundrejt pagesës 2 mijë lekë, ndërkohë që kjo dukuri u përsërit edhe në zgjedhjet e Dibrës dhe ato të Kolonjës. Opozita prej më shumë se 40 ditë është në protestë duke kërkuar garantimin e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike. Por teksa opozita proteston për zgjedhje të lira, në terren mund të ketë filluar blerja e votave.

Artikulli paraprakBorxhi tatimor rritje rekord me 330 milionë euro më 2016
Artikulli tjetërUlja e numrit të deklarimeve të të ardhurave