Në luftën e Lindjes së Mesme i humburi është Riadi

Na ishin një herë sheshet arabe, lavdia dhe mallkimi i satrapëve lokalë. Të bëra pluhur nga shpërbërja e botës sunite, kjo ikonë nuk funksionon më, thotë Gilles Kepel: as si spektër i unitetit transkombëtar të ngritur kundër Perëndimit, as si e kundërta revolucionare e tij e manifestuar në vitin 2011. Islamisti i famshëm sapo ka botuar në Francë librin e tij të ri “La fracture” (shtëpia botuese Gallimard) dhe arsyeton për ndryshimet në zhvillim në bregun jugor të Mesdheut, një tërmet nga efektet e të cilin nuk do të qëndrojë e imunizuar Europa.

– Do të shpërthejë së fundi shumë e evokuara luftë midis sunitëve dhe shiitëve?
Çka ka ndodhur vitet e fundit në Lindje të Mesme ka rikthyer në skenë konfrontimin midis sunitëve dhe shiitëve në një nivel të tillë sa të tejkalojë atë tradicional midis Izraelit dhe botës arabe myslimane. Në udhëtimin tim të fundit në Izrael kam qenë në kufirin me Sirinë, 40 kilometrat e mbetur të qëndrueshëm deri më tani. Sot aty ekzistojnë 3 kufij: në veri ndodhet ushtria e Damaskut dhe Hezbollahu, në qendër ndodhet Al-Nusra, domethënë Al-Qaeda, kurse në jug është Daeshi. Janë të gjithë në luftë me njëri-tjetrin dhe asnjë nuk e sulmon Izraelin, që herë pas here ua hap dyert të plagosurve për të pasur informacione.

– Precedenti i vërtetë i kësaj përplasjeje është bota arabe sunite?
Deri më tani gjeopolitika shiite në rajon kishte lëvizur sipas aksit Teheran, Bagdad, Bahrein dhe më pas Damask, me një çikë mbështetjen e rusëve që nuk kishin zgjedhje tjetër. Nga ana tjetër ishte blloku sunit, domethënë arabët, plus Turqinë e Vëllazërisë Myslimane. Pas shkatërrimeve arabe, siç i quaj unë revoltat e 2011, ky bllok i dytë ka ardhur duke u shpërbërë nën shtytjen e Vëllazërisë Myslimane, atëherë fituese në Turqi, në Katar, në Egjiptin e Morsit, në Tunizi dhe pjesërisht në Libinë e Belhaj. Kur Vëllazëria ka rënë në Egjipt dhe është tërhequr në Tunizi, ku, njëlloj si në Marokun e Benkirane, kanë kuptuar se nuk mund të bëjnë pa borgjezinë laike dhe të francezizuar, Afrika Veriore ka marrë një rrugë të ndryshme nga ajo e Lindjes së Mesme, nga njëra anë marokenë e tunizianë dhe nga tjetra turq, kataras dhe mërgimtarët egjiptianë që në Europë, sidomos në Francë, po çojnë përpara një ofensivë të fortë kulturore mbi të rinjtë. Në mes është ripozicionimi i Egjiptit, vendi më i madh sunit, që si prej urrejtjes së Presidentit Al-Sisi ndaj Daeshit dhe Vëllazërisë Myslimane, po kthehet nga Irani: konfirmimi ka ndodhur kohët e fundit në Baku, ku në një kuvend të madh të islamit passovjetik dhe shiit ka marrë pjesë Universiteti Al-Ahzar i Kajros.

– Ngjarjet i pëson Irani apo ka një plan ekspansionist për to?
Neokonët amerikanë, të obsesionuar nga përgjegjësia saudite më 11 shtator, kanë mbështetur shiitët në Irak, duke e spostuar ekuilibrin në kampin shiit. Ka qenë goditja e parë ndaj fuqisë sunite dhe dhurata e pavetëdijshme e neokonëve për armikun e përbetuar të tyre iranian. Në fakt, humbja e revoltës sunite në Irak nuk është varur edhe aq nga ndërhyrja ushtarake e koalicionit sesa nga presioni i masave shiite të mbështetura nga Hezbollahu, që pasi u ka lënë sunitëve zonat pa naftë, kontrollojnë bashkë me kurdët Irakun e leverdisshëm. Është këtu që nis ekspansioni iranian. Në Bahrein popullsia shiite është “iranizuar” pas revoltave të 2011 të shtypura me ndihmën e ushtrisë së Riadit (që kaloi urën midis dy shteteve të hënën për të shmangur ngecjen e tankeve në trafikun e sauditëve që shkonin drejt bordeleve të Manamas). Presioni i Iranit mbi gadishullin arabik është real, por manifestohet në një kontekst të saktë.

– Çfarë vendi ka në këtë kontekst lufta në Jemen?
Njëherë e një kohë në Jemen kishte sunitë në jug, në veri, në male, ekzistonte zaidizmi, një sekt i tipit sunit, por i afërt me sunitët, në pikën që falen në të njëjtat vende. Gradualisht presioni i wahabizmit në veri i ka shtyrë zaidët në krahët e Iranit, duke i dhënë kështu jetë shiitizimit të sektit që më pas ka marrë emrin e familjes më të rëndësishme të tij, asaj Houthi. Sot houthitë janë një lloj Hezbollahu jemenas që përdor të njëjtat taktika “godit dhe largohu” për të sfiduar jo Izraelin, por Riadin. Princi saudit Bin Salman ka tentuar që ta ndërtojë legjitimitetin e tij me një aksion kundër houthive dhe tani aty ka një luftë të injoruar nga masmedia, por të tmerrshme. Kur më pas Al-Sisi ka ardhur në pushtet, Riadi ka shpresuar se mos imitonte Nasser dhe dërgonte ushtrinë në Jemen, por Presidenti egjiptian ka refuzuar.

– A korrespondon kriza e botës sunite me krizën e Gjirit?
Me rënien e çmimit të naftës, situata e brendshme në Arabinë Saudite është rënduar, kriza e fundit në sektorin e ndërtimeve ka parë të pushohen nga puna të huaj, por edhe sauditë. “Sistemi Gji”, që nga viti 1973 e ka pasur qendrën tek Riadi duke shërbyer si motor ekonomik i botës sunite, tani ka një problem shpërndarje të ardhure me të cilën është i lidhur edhe prapakthehu egjiptian. Besoj se nafta nuk do të kthehet kurrë në kuotën e 100 dollarëve, e vetmja me të cilën sauditët mund ta vinin në lëvizje mekanizmin. Sot Riadi shikon t’i largohen nga njëra anë Afrika Veriore dhe nga ana tjetër Vëllazëria, e përqendruar mbi Ankaranë dhe Dohan. Ikona e humbjes së pushtetit të sunitëve është Alepi. Rënia e Alepit do të jetë konsakrimi i humbjes saudite. Në sfond shfaqet një tjetër sfidë e madhe: “Vizioni 2030” i Bin Salman që synon të modernizojë vendin duke krijuar një borgjezi punëtore ka një limit të madh. Reformat e tij janë substanciale dhe është e vështirë që t’i bëjë të përkojnë me qëndrimin e wahabizmit. Domethënë drama e madhe e Lindjes së Mesme është copëzimi i sunizmit nëpërmjet axhendës së Vëllazërisë Myslimane, rënies së çmimit të naftës, nacionalizmit kurd, mendjemadhësisë së re amerikane ndaj sauditëve që i detyrohet naftës shistore. Situata është e rëndë, ama kujdes. Pavarësisht se sunitët po humbasin, masa demografike afatgjatë është sunite.

– Çfarë loje bën Turqia?
Për arsye jo të qarta, Ankaraja po kthehet nga Rusia. Sunizmi turk ka lëvizur gjithmonë mbi dy akse: atë të Erbakanit, që nuk e përfshinte borgjezinë dhe ajo përzierje Vëllazëri dhe jo Vëllazëri e përfaqësuar nga Erdogan dhe Gülen, që në fakt ka sjellë në pushtet AKP-në. Por tani Erdogan dëshiron ta eliminojë Gülen dhe për ta bërë ka rishpluhurosur aleancën midis Vëllazërisë dhe nacionalizmit turk. Si? Me çështjen kurde, pasi nga njëra anë shumë gülenistë si Said Nursi janë kurdë dhe nga ana tjetër tema e çimenton nacionalizmin. Për këtë arsye, për Erdoganin kurdët janë sot prioriteti absolut, shumë më tepër sesa rënia e Al-Assad. Thuhet se kthesa ka ndodhur në muajin mars, kur shërbimet sekrete turke kanë zbuluar se armët e dhëna nga Amerika për kurdët sirianë u kishin kaluar kurdëve të PKK-së dhe kanë vendosur të orientohen nga rusët.

– Aksi midis Riadit dhe Moskës është vetëm taktik apo mund të jetë edhe strategjik?
Asgjë nuk është e thënë, pasi ka një konvergjencë midis rusëve dhe sauditëve lidhur me çmimin e naftës. Të dyja vendet janë bërë aleatë kundër amerikanëve. Për sa i përket frontit të brendshëm të saj, Moska ka shfrytëzuar më së miri dobësitë e Perëndimit, Europën e përçarë, Francën pa President, Italinë konfuze, Brexit, opinionin publik perëndimor të “magjepsur” nga “putinizmi”, po në fund të fundit PBB-ja ruse është e barabartë me atë spanjolle, më e ulët se ajo franceze dhe italiane. Putini është lojtar, por në periudhë afatgjatë themelet ekonomike dhe politike nuk janë. I mbetet aleanca me Iranin që gjithsesi e ka një bazë të sajën, pasi armiku islamik i Putinit është Çeçenia sunite, spektri rus.

– Po Europa çfarë bën, rri duarkyq?
Sfida më e madhe e viteve të ardhshme është rindërtimi i Europës. Europa ka funksionuar gjithmonë me motorin franko–gjerman. Ardhja e Britanisë së Madhe në njëfarë mënyre ka qenë jofunksionale. Kushedi nëse Brexit mund të shërbejë për ta rivënë në lëvizje motorin. Pastaj është Lindja e Mesme, ku do të duhet të kuptohet se dobësia e Arabisë Saudite do të përkthehet në një ridimensionim të mendimit salafit. Ky i fundit është një çështje që ka të bëjë me Lindjen e Mesme, por edhe me ne, pasi kjo mënyrë të menduari islamin që refuzon përzierjen me shoqërinë europiane është e tmerrshme, sidomos në Francë, ku përzihet me frustrimin social të periferive, duke gjeneruar një rivendikim të ri, të cilin unë e quaj “islamo-majtizëm”.
(Nga “La Stampa”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMësime të hidhura nga situata e Alepos
Artikulli tjetërKoreja e Veriut mund të shfrytëzojë vakumin e pushtetit