“Ndeshja e Paqes”, show nga Maradona dhe Totti

Në stadiumin “Olimpico” të Romës u zhvillua ndeshja e bamirësisë “Të bashkuar për paqen”. Një event i kërkuar nga Papa Françesku, për të ndihmuar zonat e Italisë, të goditura nga tërmetet e 24 gushtit të kaluar. Gjatë pasdites së të mërkurës Papa foli për paqen dhe i dhuroi protagonistëve të ndeshjes nga një medalje me simbolin e ullirit. Edhe pse spektatorët e pranishëm ishin vetëm 10 mijë, protagonistët në fushë nuk zhgënjyen.
Mbi të gjithë spikatën dy emra të mëdhenj si Francesco Totti dhe Diego Armando Maradona, të dy të rreshtuar në ekipin blu dhe të dy që mbanin në shpinë numrin 10. Përkrah tyre luanin edhe Cafu, Candela, Burdisso, Di Natale dhe Mauri, ndërsa ekipi i bardhë me kapiten Ronaldinho-n kishte në përbërje edhe Veron, Davids, Bojan e Abidal. Në stol dy trajnerë si Capello e Karanka.
Ndeshja e bamirësisë përfundoi me rezultatin 4-3 për të bardhët, që fituan kupën, ndërsa për blutë mbeti vetëm kujtimi i golit të Totti-t, pas asistit të Maradonës. Një festë që nuk u zbeh as nga tensioni ndërmjet Veron dhe Maradonës, me Totti-n që e cilësoi “Pibe de Oro” si “mishërimin e futbollit”, sepse “për të qenë Diego nuk do të mjaftonin të gjithë futbollistët e botës”.

Artikulli paraprakRregulla të reja për lundrimin në det
Artikulli tjetërSurprizat e Euro ‘16