Ndërtimet pa leje, shkarkohet shefi i Policisë në Komisariatin 2

Një lokal që po ndërtohej pa leje u bë shkak për furtunën në Komisariatin Nr.2, në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas paralajmërimit të kreut të Policisë së Shtetit për neglizhencë në punën e ndërtimeve pa leje nga strukturat bazë të policisë, shefi i Komisariatit Nr.2, Ylli Doda, u shkarkua nga detyra.
Një agjent i Policisë Kriminale të këtij komisariati, Roland Skënderi u arrestua në flagrancë për ndërtim pa leje. Bashkë me të u arrestua edhe specialisti i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës, Shyqyri Gega. Shefi i policimit në komunitet, inspektori i Policisë Kriminale dhe ai i Rendit u shkarkuan nga detyra dhe ndaj tyre nisi procedimi disiplinor.
Shkak për furtunën në Komisariatin Nr.2, është bërë një ndërtim pa leje nga vëllai i agjentit të Krimeve, Roland Skënderi në rrugën “Muahmet Gjollesha”.
Hetimet nisën pas një ankese në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, për punimet që kryheshin në këtë lokal nga një grup personash. Për këtë shkak, fillimisht është njoftuar Inspektoriati i Mbrojtjes së territorit të Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë marrë masa për prishjen e punimeve. Këto të fundit po kryheshin nga Roland Skënderi dhe vëllai i tij. Për këtë shkak, Skënderi u arrestua bashkë me specialistin e Bashkisë, Shyqyri Gega, ndërsa furtuna shkoi deri në majën e Komisariatit Nr.2.

Artikulli paraprakKonflikti për pronën, plagos me thikë xhaxhain dhe i vë zjarrin shtëpisë së tij
Artikulli tjetërMerr flakë “Benzi” ndërsa lëvizte në Lungomare