Ndërron jetë gazetari Agim Nezaj

Ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme gazetari i njohur, pedagogu i shkencave të komunikimit dhe mjeshtri i marrëdhënieve me publikun, Agim Nezaj. Për më shumë se një vit u përballua me një sëmundje të rëndë deri sa dha shpirt në moshën 53-vjeçare në Nju Jork.
Agim Nezaj ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Prej 25 vitesh, ai punoi si gazetar, pedagog i komunikimit dhe këshilltar për komunikimin në zyrat më të larta të shtetit.
Fillimet si gazetar i kishte në gazetën “Alternativa SD”, ndërsa deri para dy vitesh kur nisi betejën me sëmundjen e rëndë ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. Përgjatë kësaj periudhe ai shkruajti artikuj dhe analiza politike tek “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, ndërkohë që nga 1997 ishte për disa vite korrespondent i televizionit britanik, “Sky News” etj.
Por pasioni i madh i Agimit ishte njohja e Shqipërisë për të huajt. Në vitin 1991, ai botoi guiden e parë për turistët nga një autor shqiptar “Albania – Travel Guide”, guidë që njohu përmirësime, plotësime dhe u ribotua disa herë që prej atij viti. Publikimi i fundit i përket vitit 2014. Ndërkaq në lëmin e turizmit, ai pati edhe botime të tjera të gjitha në anglisht.
Po Agim Nezaj botoi edhe dy libra të tjerë për komunikimin, ndërkohë që jepte lëndët e marrëdhëniet me publikun dhe zyrën e shtypit në Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gazetarisë si dhe në disa universitete private të kryeqytetit.
Si rrallë ndonjë zyrtar i lartë i administratës publike, ai punoi për shumë vite në stafe të ndryshme politike si rezultat i profesionalizimit dhe integritetit të tij.
Gazetarët e viteve ’90 e njohin Agimin si themeluesin e institucionit të zëdhënësit në institucionet shtetërore. Ai punoi si zëdhënës dhe më pas këshilltar për mediat fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që u ndërruan 7 ministra, por jo zëdhënësi nga viti 1994 deri në vitin 2000.
Më pas punoi si këshilltar për mediat dhe komunikimin i Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, këshilltar dhe shef i kabinetit të Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Lalla, Këshilltar për mediat dhe komunikimin i ministrit të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministrit, Meta dhe më pas këshilltar për mediat i Kryetares së Parlamentit, Topalli deri në vitin 2012.
Agimi la në hidhërim te thelle dy vajzat e tij Ergian dhe Edonën, të shoqen Mira, prindërit Bajrami dhe Zoja, pjesëtarë të tjerë të familjes, të afërm dhe miqtë e shumtë të tij.

Artikulli paraprakGjykata e Tiranës, në 2015-ën u trefishua numri i falimenteve të bizneseve
Artikulli tjetërThirrje kundër qeverisë në shfaqjen e Teatrit në Elbasan