Ndarja e përgjakshme mes Indisë dhe Pakistanit

Yasmin Khan

Louis Mountbatten qe nënmbreti i fundit i Indisë pas pothuajse 200 vitesh qeverisjeje britanike. Konti i 1-rë Mountbatten dhe bashkëshortja e tij Edwina arritën në Indi me 22 mars 1947 dhe u betuan dy ditë më pas me një ceremoni në Durbar Hall të Pallatit të nënmbretit në New Delhi. Stërnip i Mbretëreshës Victoria, Mountbatten i adhuronte ceremonitë madhështore, por në postin e ri mbante edhe një pushtet të konsiderueshëm: si shef i administratës britanike në Indi, ishte përgjegjësia e tij që të planifikonte shkëputjen e vendit nga Perandoria dhe t’i gjente një zgjidhje konfliktit të vështirë midis partive politike indiane. Ai që e dërgoi kishte qenë Kryeministri britanik Clement Attlee, që i kishte udhëzimin e saktë ta përfundonte transferimin e pushtetit sa më shpejt të ishte e mundur. Dy muaj nga ardhja, Mountbatten kishte hartuar tashmë një plan ndarjeje të nënkontinentit indian në dy shtete të pavarura: Pakistani, me shumicë myslimane dhe India, me mazhorancë hindù. Transferimi i pushtetit ndonjë një vit përpara se do ta kishte pritur çdo njeri. Edhe gruaja e tij Edwina luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar raporte personale me Jawaharal Nehru, udhëheqës i Kongresit Kombëtar Indian, partia që drejtonte lëvizjen për pavarësi. Çifti Mountbatten qëndroi në Indi edhe pas ndarjes, deri në qershorin e 1948 dhe Louis mbajti postin e Guvernatorit të parë të Përgjithshëm të Indisë së pavarur.
Kur negociatat për ndarjen arritën në një pikë ngërçi, Mahatma Gandhi dhe Louis Mountbatten u impenjuan në gjetjen e një rrugëdaljeje përpara një filxhani çaji në bahçen e Pallatit të Nënmbretit në New Delhi. Mountbatten dhe Gandhi folën gjatë për jetën e këtij të fundit në Afrikën e Jugut, por pika qëndrore e bisedës mbeti ngërçi i politikës indiane: Në çfarë mënyre Mountbatten mund të gjente një zgjidhje që të kënaqte kërkesat e ndryshme kushtetuese në momentin e pavarësisë? Po Kongresi mund të arrinte ndonjë lloj kompromisi me Lidhjen Myslimane? Takimi u zhvillua nën shenjën e përzemërsisë, por Mountbatten nuk i pëlqeu Gandhi të refuzonte çfarëdo propozimi ndarjeje për zgjidhjen e krizës (në një letër private të tij e quajti “trockist”) dhe vazhdonte të përkufizonte politikën britanike në termat e “divide et impera”. Në fund Kongresi e pranoi me ngurrim ndarjen, por Gandhi nuk e mbështeti kurrë, bile ditën e pavarësisë refuzoi që të marrë pjesë në festime dhe e kaloi ditën duke agjëruar dhe në falje të heshtur.
Me 3 qershor 1947 Abdul Rab Nishtar, Sardar Baldev Singh, Acharya Kriplani, Sardar Patel, Jawaharlal Nehru, Mohammed Ali Jinnah dhe Liaquat Ali Khan – përfaqësues të Lidhjes Myslimane, të partive sikhe dhe të Kongresit – u ulën në një tavolinë me Nënmbretin Lordin Mountbatten dhe me shefin e personelit e këtij të fundit, Lordin Ismay, dhe ranë dakord për ta zbatuar projektin e ndarjes. Projekti u shpall në Dhomën e Komuneve në Londër po atë mbrëmje, ndërsa në kohë reale Mountbatten dhe liderët e partive të ndryshme i shpjegonin në radio motivet e vendimit një popullsie india në pritje nervoze. Shumë mendonin se, duke pranuar një plan përfundimtar, do të mund të shmangej shpërthimi i dhunës midis komuniteteve hindù, myslimane dhe sikhe të vendit. “Plani mund të mos jetë i përsosur”, deklaroi Mountbatten, “por, siç ndodh gjithmonë, suksesi i tij do të varet nga vullneti i mirë me të cilin do të zbatohet”.
Mohammed Ali Jinnah, lideri i Lidhjes Myslimane, adhurohej si një hero nga shumë myslimanë të Indisë Jugore, kështu që e gjykoi të përshtatshme se ishte ai që duhej të drejtonte festimet për lindjen e shtetit të ri të Pakistanit në Karachi me 14 gusht të 1947. Jinnah, që kishte studiuar në Britaninë e Madhe, shpesh vishte kostume Savile Row, por atë ditë zgjodhi që të veshë një sherwani të bardhë (diçka e ngjashme me një pallto) dhe karakul, një kapele tipike e Veriut të Indisë. Përtej festimeve, shteti i ri ngjallte shumë preokupime, sidomos që rolin që do të kishte feja: vetë Jinnah ruajti një qëndrim ambivalent lidhur me territorin e caktuar Pakistanit, por pak më shumë se një vit më vonë vdiq, duke e privuar vendin nga një drejtues që do të kishte mundur të bashkonte grupet e shumta etnike në konflikt.
Trenat e stërmbushur me refugjatë, me pasagjerë të hipur mbi çatitë e vagonëve apo të kacavjerrë nëpër anët e tyre u bënë ikona e vërtetë e ndarjes. Të paktën 12 milionë persona u spostuan midis Indisë dhe Pakistanit: një sasi pakashumë e barabartë hindùshë dhe myslimanësh në kërkim të një shtëpie të re, përveçse të gjithë popullsisë sikhe. Shumë udhëtuan me tren, të tjerë udhëtuan në këmbë në kolona të gjata, të tjera akoma e kaluan kufirin me makinë apo me avion. Asnjëri nuk qe i gatshëm për një eksod me përmasa të tilla: si liderët britanikë, ashtu edhe ata aziatikë, u kapën në befasi. Pasoi një konfuzion i madh, në të cilin shumëve ju imponua që të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të qëndronin. Në ditët e para të shtatorit 1947 u bë e qartë se sistemi më i sigurtë për të kompletuar spostimet do të ishte që të liheshin të kalonin popullsitë nëpër rajonin e Punjab. Shpejt vendimi u zyrtarizua dhe u ngarkua ushtria që ta organizonte logjistikën. Kështu, shumica e refugjatëve arriti nga Punjab, por qindramijëra të tjerë u spostuan në të dyja kahjet nga pjesë të tjera të Indisë dhe të Pakistanit, përfshi Bengala, Bombay, Provincën e Kufirit Veri–Perëndimor, Sindh dhe Provincat e Bashkuara.
Ndarja qe një përvojë e tmerrshme për miliona njerëz, por ata që vuajtën më shumë qenë banorët e fshatrave më pak të kamura të Punjab. Fotografja amerikane Margaret Bourke-White u ndesh me refugjatët që e kalonin në kolonë kufirin e ri, ku fotografoi kufomat e braktisura nëpër shina dhe vizitoi spitalet e të sëmurëve me kolerë. “Pamjet e këtyre të varfërve të pambrojtur më mbushi me zëmërim”, shkroi në përmbledhjen e udhëtimit të saj me titull “Halfway to Freedom”. “Ishin fshatarë të pafajshëm. Disa qenë përzënë me forcë nga tokat e tyre, të tjerë kishin dëgjuar tam-tamet e sloganeve fetare dhe qenë nisur për të ndjekur një ëndërr”. Në Punjab përdhunimi u përdor si mjet spastrimi etnik dhe shumë gra qenë stigmatizuar nga vetë komunitetet ku jetonin pikërisht pse kishin qenë viktima të dhunës seksuale. Të tjeta u morën peng nga komuniteti “tjetër” dhe dhjetëramijëra u riatdhesuan me forcë në Indi ose në Pakistan. Nuk ka vërtet aspak për t’u mrekulluar që Gandhi i quajti gratë si “viktimat kryesore” të ndarjes. Një çerek milion refugjatë – shumë prej të cilëve myslimanë që po linin Indinë – kaloi nga New Delhi në verën e 1947. Pjesa më e madhe e tyre gjeti shtëpi më pas në Pakistan, por shumë humbën jetën gjatë rrugës, viktima të sëmundjeve apo të dhunës.

Momentet e ndarjes dhe vrasja e Gandit

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore
Në 1945 India doli nga Lufta e Dytë Botërore thellësisht e transformuar, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë ekonomik, dhe populli e kërkoi me zë të lartë pavarësinë nga qeveria britanike. Ishte edhe një vend shumë i përçarë: pjesa më e madhe e popullsisë (rreth 70%) ishte e besimit hindù, me një pakicë të konsiderueshme të përbërë nga myslimanë (çereku i totalit) dhe një pjesë e mbetur prej 5% e formuar nga kristianë, sikhë dhe grupe të tjera. Në vitet ‘40 fitoi shumë mbështetje Lidhja Myslimane, që luftonte për krijimin e shtetit të Pakistanit. Nga ana tjetër, liderët e Kongresit (Partia Nacionaliste), domethënë Mahatma Gandhi dhe Jawaharlal Nehru, theksonin se përfaqësonin totalitetin e Indisë Jugore, por luftonin në mënyrë konstante për ta mbajtur dhunën jashtë lëvizjes së tyre dhe kishin kaluar në burg pjesën më të madhe të viteve të luftës. Në 1946, Britania e Madhe vendosi ta lërë Indinë, por nuk arriti të gjejë një marrëveshje për Kushtetutën që t’i jepte shtetit të ri.

26 qershor 1946
“Misioni Kabinetit” dështon
Zgjedhjet që u mbajtën në fillimin e 1946 konfirmuan një mbështetje të gjerë ndaj Lidhjes Myslimane midis myslimanëve të jugut, ndërsa Kongresi monopolizoi votat e popullsisë jomyslimane. Po atë vit, më vonë, një delegacion i përbërë nga tri anëtarë të Kabinetit britanik, ia arriti për një sekondë ta mbajë Indinë e bashkuar. “Misioni i Kabinetit” arriti që të bëjë bashkë për një periudhë të shkurtër Kongresin dhe Lidhjen Myslimane për një plan federal që projektonte një Indi të bashkuar, por shumë më të decentralizuar. Për inaugurimin e qeverisë së re u fiksua data e 26 qershorit, por tensionet në rritje midis grupeve fetare indiane e bënë projektin që të dështojë.

16 gusht 1946
Përleshjet etnike shkaktojnë mbi 4000 viktima
Në gushtin e 1946 Lidhja Myslimane u bëri thirrje mbështetësve të saj që të bënin një ditë “Aksion Direkt” në Kalkutë, si demonstrim force përballë Kongresit që po procedonte për të formuar një qeveri ad interim pa të. Politikanët imagjinonin se do të kishte protesta dhe kortezhe, por në të vërtetë “Aksioni Direkt” degjeneroi në një tragjedi: Në pak ditë përleshjet e ashpra shkaktuan më shumë se 4000 viktima midis hindùve dhe myslimanëve. Qe episodi më i keq i dhunës etnike për 18 muajt e ardhshëm.

Muajt e fundit e 1946
Dhuna fshikullon Veriun dhe Lindjen e Indisë
Në muajt e fundit të 1946 dhuna etnike midis hindùve dhe myslimanëve shpërtheu më fort se kurrë në Indinë Veriore, në mënyrë të veçantë në rajonet Noakhali (shteti Bengalës), Bihar dhe në Provincat e Bashkuara. Situata ishte më e keqe se ato të mëparshmet, jo vetëm prej dimensioneve më të mëdha, por edhe pse gra e fëmijë u bënë gjithnjë e më shpesh objektiv vrasjesh e dhune seksuale. Gandhi i vizitoi rajonet e goditura me tentativën e paqtimit dhe kërcënoi se do të mbante grevë urie deri në vdekje në rast se dhuna nuk ndalej, ndërsa politikanë lokalë e agjitatorë të ardhur nga të gjitha komunitetet e përfshira punonin për të përhapur zëra që i rrisnin tensionet etnike.

20 shkurt 1947
Ndërhyn Clement Attlee
Kryeministri Clement Attlee kishte vendosur ta tërhiqte praninë britanike nga India sa më shpejt të ishte e mundur, përveçse ishte i preokupuar për përkeqësimin e besnikërisë ndaj Perandorisë nga ana e forcave të armatosura indiane dhe prej dhunës etnike gjithnjë e më intensive. Me 20 shkurt 1947, megjithëse pa arritur një marrëveshje me partitë indianë, njoftoi se Britania do ta linte Indinë brenda dhe jo përtej verës së vitit 1948, si dhe do ta zëvendësonte Archibald Wavell, Nënmbretin aktual, me Louis Mountbatten.

Mars 1947
Njerëzit marrin arratinë nga dhuna në Pakistan
Pas deklaratës së Kryeministrit Attlee, dhuna u rrit mjaft në Punjab. Në fillimet e marsit, i nënshtruar presioneve gjithnjë e në rritje, Khizr Tirwana, lideri i Partisë Unioniste, dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Punjab, në vijim të së cilës në Lahore – qytet me një popullsi mikse hindù, myslimanë dhe sikhë – shpërtheu një betejë e ashpër. Nga këtu e ka origjinën vala e parë e refugjatëve punxhabë, e formuar nga qytetarë shumë të kamur që zgjodhën për t’u spostuar në zona më pak të rrezikshme të vendit, duke marrë me vete të gjitha gjërat e tyre.

3 qershor 1947
Plani i ndarjes bëhet publik
Në takimet e 2 dhe 3 qershorit me liderët aziatikë, Mountbatten arriti konsensusin lidhur me planin e ndarjes që aq shumë e dëshironte. Plani, që u mundësonte banorëve të Bengalës dhe të Punjab të vendosnin nëse donin të ndanin provincat e tyre
– kufijtë e të cilave nuk qenë fiksuar akoma
– linte në një paqartësi të madhe njerëzit e thjeshtë, që nuk mund ta dinte se cilat pjesë të territorit do të bëheshin Indi dhe cilat Pakistan.
Veç kësaj, data e pavarësisë nga Perandoria Britanike do të shtyhej për një vit të tërë.

17 korrik 1947
Forca e Kufirit rezulton e kotë
Nga disa njësi të ushtrisë indiane u krijua një Forcë Kufiri e Punjab me qëllim rivendosjen e ligjit dhe rendit. Por ajo rezultoi aq joefikase sa të shkrihej vetëm pas 32 ditësh. Maksimumi arriti që mundi të menaxhojë 12 distriktet më problematike e Punjab dhe nuk pati kurrë më shumë se 25000 efektiva. Në territorin indian kishte akoma trupa britanike, por në vend që të impenjoheshin për të frenuar dhunën, ato u çmobilizuan me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

14 gusht 1947
Lindja në gjak e Pakistanit
Pakistani, që u bë i pavarur një ditë përpara Indisë, lindi i ndarë më dysh: Pakistani Lindor (që më pas do të bëhej Bangladesh) dhe Pakistani Perëndimor. Ato që i ndanin të dy territoret qenë më shumë se 1500 kilometrat e territorit indian. Por, teksa njerëzit festonin lindjen e shtetit të ri, në disa rajone të tij egërsohej dhuna etnike. Myslimanët derdheshin në Pakistan, kurse hindùtë dhe sikhët largoheshin: një banor në pesë i shtetit të ri ishte refugjat, një situatë që kërcënonte vetë ekzistencën e Pakistanit.

15 gusht 1947
Pavarësia e Indisë
India e festoi pavarësinë e saj 24 orë pas Pakistanit në kryeqytetin New Delhi, por teksa festimet ishin në zhvillim, kampet e refugjatëve vazhdonin që të mbusheshin dhe dhuna etnike nuk ndalej. Edhe shtetet e vjetra princërore u absorbuan në shtetin e ri dhe, kur nuk u arrit të vendosej nëse Kashmiri duhej t’i përkiste Indisë apo Pakistanit, shpërtheu lufta. Jawaharlal Nehru u bë Kryeministri i ri indian, por vendi pati një Kushtetutë të vërtetë vetëm dy vite më vonë dhe ju deshën 4 të tjera për zgjedhjet e para të përgjithshme.

17 gusht 1947
Kufijtë rrisin tensionin
Gjykatësi britanik Cyril Radcliffe u ngarkua që të heqë kufirin midis Indisë dhe Pakistanit. E bëri duke përdorur ndihmën e anëtarëve të Komisioneve për Kufijtë e Bengalës dhe të Punjab, që megjithatë, brenda një kohe shumë të shkurtër, u polarizuan në fronte fetare të kundërta. Radcliffe i vlerësoi mazhorancat dhe minorancat në popullsinë e distrikteve për t’u ndarë duke u bazuar në një censiment të vitit 1941, por mbajti parasysh edhe faktorë ekonomikë e kulturorë. U prit deri në ditën e pavarësisë për të shpallur pozicionin e kufijve, që pashmangshmërisht bëri të pakënaqur shumë njerëz.

Gusht tetor 1947
12 milionë njerëz në rrugë
Në ditët e para pas ndarjes shumë njerëz besonin akoma se si India, ashtu edhe Pakistani, do të vazhdonin që t’i mirëprisnin minorancat fetare me përmasa të mëdha dhe fillimisht politikanët u rekomanduan njerëzve që të mos i linin shtëpitë e tyre. Por shpejt ngjarjet filluan të rrjedhin në një drejtim krejtësisht tjetër: një numër i madh sikhësh nga Punjab, të gjetur si në kafaz midis dy shteteve të reja, filluan që të kërkojnë një vend të veçantë për veten dhe pak më vonë të dy shtetet organizuan një “shkëmbim popullsie” formal që spostoi 6 milionë njerëz në të dyja drejtimet.

30 janar 1948
Vrasja e Mahatma Gandhi trondit Indinë
Më 30 janar Nathuram Godse, një nacionalist hindù fuqimisht kundër propozimeve të Gandhi për një shtet laik e pluralist dhe tentativave të tij për të arritur paqen me Pakistanin, u paraqit në grumbullimin pranë Birla House në New Delhi dhe e qëlloi tri herë në gjoks Gandhin. Vdekja e liderit të madh e tronditi kombin indian dhe ndihmoi për t’u vënë një fre përleshjeve, që megjithatë nuk u shuan të gjitha. Për shumë vite me radhë nënkontinenti indian vazhdoi që të jetë pre e shpërthimeve të rastësishme të dhunës dhe të asistojë në kalimin e refugjatëve nëpërmjet kufijve të Bengalës dhe të Pakistanit Lindor.

Autori është Assistant Professor i Historisë Angleze në Oxford University)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKalifati i Spanjës/Toleranca spanjolle
Artikulli tjetërKush e sjell sot ndërmend emrin e Rugovës?