Ndahet nga jeta kampionia dhe rekordmenia e madhe e atletikës, Liri Dume

Është një moment i trishtuar për botën e sportit. Një talent i rrallë i atletikës është ndarë nga jeta pas një karriere të gjatë e të suksesshme. Liri Dume, e para atlete që kaloi kufirin e 5 metrave në kërcim së gjati është ndarë nga jeta të martën, më 24 dhjetor.

Liri (Dume) Nase ka Lindur në Tiranë, më 20 gusht 1942 dhe ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 24 dhjetor 2019, ora 11:37 minuta. Rekordmenia e mirënjohur ka kryer studimet në shkollën e fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë në vitin 1958, duke nisur kështu një karrierë të suksesshme në fushën e atletikës, të mbushur me rekorde të një pas njëshme.

Liri Dume ka qenë e para atlete që kaloi kufirin e 5 metrave në kërcim së gjati. Në disa gara zyrtare që u zhvilluan në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, Liri Dume, në atë kohë atlete e “17 Nëntorit”, kaloi rekordin kombëtar të kërcimit së gjati nga 4.97 m në 5.07 m, duke u kthyer kështu në të parën atlete femër në Shqipëri që kalon kufirin e 5 metërshit në kërcim së gjati.

Luftën për thyerjen e rekordit të kërcimit së gjati, atletja e filloi në vitin 1960, në stadiumin “Vojo Kushi”, Shkodër, ku më 17 prill zhvillohej një garë miqësore ndërmjet atletëve të “Partizanit”, “Vllaznisë” dhe “17 Nëntorit”.

Me një kërcim të jashtëzakonshëm, Liri Dume theu rekordin kombëtar nga 4.83 m në 4.95 m. U kuptua menjëherë se nuk ishte e largët dita kur ky rekord do të thyhej përsëri. Dhe me të vërtetë ashtu ngjau, pasi Dume do të mbahet mend për shumë kohë si një rekordmene që sfidonte vazhdimisht veten dhe konkurrentët e saj.

Kontributi i çmuar i Liri Dumes në botën e sportit nuk mbaron me kaq. Ajo ka punuar si mësuese e edukimit fizik në Tiranë, në shkollat “Sabaudin Gabrani”, “Petro Nini Luarasi”, “Skender Çaçi”, si dhe në shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan, duke i ushqyer brezat e rinj me të njëjtën dashuri për sportin.

Krahas punës, Liri Dume ka qenë pjesëtare e ekipit të atletikës në klubin “17 Nëntori” në Tiranë, ku ka arritur majat e karrierës. Ka qenë disa herë kampione dhe rekordmene kombëtare në garat e kërcim së gjati. Dume punoi si mësuese e edukimit fizik deri në kohën kur u largua për në Shtetet e Bashkuara në vitin 1993.

Në vitin 1967, Liri Dume u martua me Kristaq Nase. Nga kjo martesë lindën dy fëmijë, Kliti në vitin 1967 dhe Bledari në vitin 1973 të cilët i dhuruan nënës së tyre dy vajza, Alexis dhe Even, si dhe tre djem, Kristopher, Nickolas dhe 2-vjeçarin Vinsent.

Liri Dume u nda fatkeqësisht nga jeta më 24 dhejtor 2019, e rrethuar nga njerëzit e saj më të dashur. Kontributi i saj në fushën e atletikës, por edhe në atë të mësim-dhënies, nuk do të harrohet. Liri Dume do të mbahet mend si një figurë e shquar, një sportiste ambicioze që theu rekord pas rekordi duke synuar gjithmonë për më shumë.
5 374 503 662 89

Artikulli paraprakAlbin Kurti refuzon ftesën e Presidentit Thaçi
Artikulli tjetërSolskjaer e krahason Rashfordin me Ronaldon