Napolin e favorizon kalendari

Nga shansi për të rihapur kampionatin, te rreziku konkret për të humbur edhe vendin e dytë. Kjo i ka ndodhur Romës, me garën në Serinë A italiane që duket e përqendruar pikërisht te fakti se cila skuadër do ta mbyllë sezonin pas Juventusit.
Humbja në derbin me Lazio-n mund t’i kushtojë shumë verdhekuqve. Skuadra e Spalletti-t mbetet në vendin e dytë, por tashmë diferenca nga Napoli ndjekës është vetëm 1 pikë. Roma ka avantazhin e ndeshjeve direkte, megjithatë “të kaltërit” ku luan edhe mbrojtësi Elseid Hysaj kanë kalendar më të favorshëm.
Vendimtare për Romën do të jenë dy sfidat e radhës: në “San Siro” kundër Milanit dhe në “Olimpico” përballë Juventusit. Me paraqitjen më të mirë të mundshme, nuk përjashtohet që verdhekuqtë të grumbullojnë gjashtë pikë, por derbi mund të ndikojnë në gjendjen psikologjike të ekipit. Fundi i sezonit është më i lehtë për kryeqytetasit, me ndeshjet në fushën e Chievo-s dhe sfidën ndaj Genoa-s.
Në anën tjetër, te Napoli mbizotëron entuziazmi pas suksesit në fushën e Interit. Skuadra e Sarrit është optimiste, edhe sepse bazuar në katër ndeshjet e mbetura ka shansin të grumbullojë nga 10 deri në 12 pikë me renditjen finale që mund të ndryshojë.
Fillimisht sfida me Cagliari-n që e ka siguruar mbijetesën, për të vijuar me trasfertën në fushën e Torinos dhe ndeshjen në shtëpi me Fiorentinën, që duket e painteresuar të luftojë për vendin e gjashtë dhe biletën e fundit në Europa League. Napoli e mbyll sezonin në fushën e Sampdorias për të shpresuar, që në fund të pozicionohet e dyta. Objektiv drejt të cilit ekipi i Sarrit ka kualitetin dhe forcën e duhur për ta synuar.

Artikulli paraprakJava e 34 në Serie A flet shqip
Artikulli tjetërAubamejang te Milani? Tifozët ëndërrojnë