Nani: Kundër Polonisë nuk është aspak e lehtë

Fitorja në kohën shtesë ndaj Kroacisë ka rritur moralin te Portugalia. Përfaqësuesja luzitane prej disa ditësh ka nisur përgatitjet për duelin ndaj Polonisë, një sfidë që do të përcaktojë skuadrën e parë gjysmëfinaliste të Euro 2016-të. Polonia e Robert Lewandowskit nuk është një skuadër e lehtë për t’u mposhtur, diçka të tillë e di shumë mirë Luis Nani që gjithsesi beson te fitorja e të tijëve ndaj polakëve.
“Polonia është një skuadër shumë e fortë. Të gjithë e panë ndeshjen që ata zhvilluan ndaj Gjermanisë. Ne i njohim polakët dhe e dimë që ata janë një ekip me shumë lojtarë me eksperiencë brenda. Do të jetë e vështirë ndaj tyre, por jemi të përqendruar maksimalisht. Kemi besim, jemi të ndërgjegjshëm që do të vuajmë, por në fund do të fitojmë dhe do të kualifikohemi për më tej”, u shpreh Nani.
Në vijim, Nani vlerësoi shpirtin luftarak të Portugalisë, duke shtuar se kjo kombëtare i ka të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund europianit francez. “Shpirti i këtij ekipi është me të vërtetë fantastik. Motivimi nuk na mungon dhe kemi shumë besim në aftësitë tona. Shanset tona për të arritur gjëra të mëdha në këtë Europian u rritën ndjeshëm pas fitores ndaj Kroacisë. Ai sukses ishte shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë ëndrrën tonë”, përfundoi Nani.

Artikulli paraprakKosovë, nuk do ketë as rritje taksash e as akcize
Artikulli tjetërBrexit mund të ndikojë mbi MSA-në për Kosovën