Nacho: Kujdes Shqipërinë!

Barazimi me Italinë është hedhur pas krahëve nga Spanja që tashmë është fokusuar maksimalisht te përballja kundër Shqipërisë të dielën në “Loro Boriçi”. Në prononcimin e tyre për faqen zyrtare të Federatës Spanjolle, mbrojtësi Nacho dhe sulmuesi Vitolo flasin për pritshmëritë që kanë nga sfida e Shkodrës. Lojtari madrilen paralajmëron shokët e skuadrës, duke theksuar se Shqipëria nuk ka emra të mëdhenj si Italia, por do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë. “Ata kanë një stil loje të rrezikshëm dhe mendoj se janë një skuadër e rrezikshme edhe pse nuk kanë në përbërje emra të mëdhenj. Gjithsesi ne do të kërkojmë me çdo kusht fitoren”, shprehet Nacho.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe sulmuesi i Sevillas, Vitolo. “E dimë shumë mirë se Shqipëria, ndryshe nga Italia nuk është një skuadër shumë e njohur, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse do të na i vështirësojë shumë punën. Është një kundërshtar i vështirë dhe ne duhet të jemi edhe më të motivuar se në ndeshjen me Italinë”, u shpreh Vitolo.
Po në faqen zyrtare të federatës spanjolle, bëhet me dije se, mesfushori i Atletico Madrid, Saul Nigez nuk do të jetë pjesë e skuadrës La Roja për sfidën e “Loro Boriçi”-t për shkak të një dëmimi. Ai është rikthyer në Madrid për të ndjekur fazën e rehabilitimit.

Artikulli paraprakBalaj, Bekimi që vjen kur duhet
Artikulli tjetërMemushaj e Kukeli gati për Spanjën