Balaj, Bekimi që vjen kur duhet

Një tjetër gol për Shqipërinë, një tjetër britmë çlirimi për Bekim Balajn. 23-vjeçari konfirmon formën e tij të shkëlqyer edhe ndaj Lihtenshtejnit duke “vulosur” fitoren që çon Shqipërinë në krye të grupit. Një gol me peshë, por për të arritur deri këtu edhe për Bekimin nuk ka qenë e lehtë, i është dashur të kalojë vështirësi e të pranojë vendime, për t’u gjendur gjithmonë gati atëherë kur thërritet në mision duke treguar vlerat e tij. Vlera që padyshim nuk diskutohen, është ai njeriu i mrekullisë së Aveiros, që i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Europianin francez.
Por pas atij goli në shtatorin e 2014-ës gjërat nuk shkuan si në vaj, gjatë eliminatoreve De Biasi preferoi Sokol Cikalleshin, për volumin që krijonte në sulm dhe kilometrat e përshkuar. Edhe në vigjilje të Euro 2016, nuk ishte momenti i tij, me Armando Sadikun që u ngjit në krye të hierarkisë të sulmit, duke justifikuar besimin me gola vendimtarë si ai që i dhuroi Shqipërisë fitoren historike ndaj Rumanisë, e para në një kompeticion madhor, ku Balaj u fut si zëvendësues në minutën e 59. Vetëm 30 minuta për të në Europian. Padyshim që do të kishte dashur të luante më shumë, por Balaj ka pranuar gjithmonë vendimet e trajnerit, si një profesionist i vërtetë, në pritje të momentit. Nëse punon një ditë do të vijë dhe për Balajn erdhi ndaj Maqedonisë, u fut sërish nga stoli në minutën e 60 duke zëvendësuar Abrashin dhe ishte pikërisht ai njeriu që zgjidhi gjërat me atë gol të artë në minutën e 89.
Ndoshta nuk është aq i bukur sa ai ndaj Portugalisë, por peshon shumë, për kombëtaren dhe kuotat e Balajt që me Sadikun e dëmtuar ndaj Lihtenshtejnit e nisi si titullar. Besim i shpërblyer sërish, me një gol “Made in Shkodra” me Hysajn që i dhuroi atë asist perfekt dhe Balajn që nuk fali me kokë. Feston gjithë Shqipëria, feston padyshim dhe Balaj, ky është momenti i tij.
Në përfundim të sfidës me Lihtenshtejnin, trajneri i kombëtares Gianni de Biasi tha se ishte një ndeshje e vështirë.
“Le të themi, që do të ishte ndeshje e vështirë, duhet ta luanin në mënyrë të zgjuar dhe me ritmin e duhur dhe besoj se ja dolëm mbanë dhe pse mund të kishim një tjetër rezultat. Duhet ta fitonim me çdo kusht këtë ndeshje dhe duhet të luanim me shumë forca sulmuese dhe besoj se e bëmë diçka të tillë. Ishim sulmues në shumë momente të kësaj sfide dhe shpeshherë u shfaqëm të rrezikshëm. Kur nuk luanim ndërkohë siç e kishim parashikuar ndeshjen, atëherë hasnim vështirësi. Gjithsesi jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë. Do të doja të kishte shënuar dhe Cikalleshi sepse një sulmues, goli e ndihmon gjithmonë. Sa i përket vendit të parë në grup para Spanjës e Italisë, ndihem si përpara ndeshjes dhe jam i kënaqur për faktin që jemi të parët sepse jo shpeshherë ka ndodhur që Shqipëria të jetë e para në eliminatore, por nga anët e mia thuhet që të vdekurit numërohen në fund të betejës”, deklaroi De Biasi.

Artikulli paraprakShqipëria, e vështirë
Artikulli tjetërNacho: Kujdes Shqipërinë!