Mziu pret nëtakim senatorin italian Lucio Malan

Kryetari i Bashkisë së Kamzës e njohu senatorin italian me diskriminimin e bashkisë dhe banorëve nga qeverisja qendrore dhe kryeministri Rama në këto 4 vite

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka prit në një takim në zyrën e tij senatorin e Republikës së Italisë, z. Lucio Malan. Kryebashkiaku Mziu e njohu senatorin italian me gjendjen dhe zhvillimin e qytetit dhe të Bashkisë së Kamzës. Ai theksoi se Kamza bën 21 vjet si Bashki dhe është qyteti më i ri i Shqipërisë dhe i Evropës, duke paraqitur para senatorit Malan zhvillimin e tij në këto 21 vite. Mes të tjerash, z.Mziu nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera të Bashkisë Kamëz me institucionet ndërkombëtare, siç është Banka Botërore, USAID, UNDP, KfW e shumë organizma të tjerë, si dhe binjakëzimet e shumta me qytete të BE-së. Një vend të theksuar në fjalën e tij zuri diskriminimi i Kamzës, i Bashkisë dhe i qytetarëve të saj nga qeverisja qendrore dhe Kryeministri aktual në këto katër vite. Asnjë qindarkë nuk është akorduar nga qeveria për investime në Kamëz, ndërkohë që të gjitha projektet e realizuara në këto vite janë financuar vetëm nga buxheti i Bashkisë. Aktualisht, qytetarët e Bashkisë së Kamzës marrin 35.5 herë më pak për frymë financime sesa qytetarët e njësive të tjera vendore. Qytetarët e Tiranës marrin në ditët e sotme 103 herë më shumë investime sesa qytetarët e Kamzës. Veç të tjerash, z. Mziu e njohu senatorin italian me situatën politike në vend, me kauzën e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme, në një kohë kur droga, blerja e votave janë është rreziku i demokracisë. Gjithashtu, ai e njohu edhe me kërkesën e PD-së për qeveri teknike e jo zgjedhje të njëanshme, por që të jenë pluraliste dhe me pjesëmarrjen e opozitës. Senatori italian, z. Lucio Malan, e falënderoi kryebashkiakun Mziu për mikpritjen dhe e përgëzoi për arritjet e Bashkisë që drejton. Ai theksoi se ishte i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet Kamza, por edhe gjithë vendi. Z. Malan tha se ishte i sigurt që ka një situatë diskriminuese nga ana e qeverisë Rama, për të cilën shpreson se do të jetë e përkohshme. Në këtë aspekt ai shprehu mbështetjen e tij për Bashkinë Kamëz dhe qytetarët e saj. Në fund të takimit, kreu i Bashkisë i akordoi certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” senatorit Malan, si dhe e shoqëroi atë në vizitën që ai bëri në mjediset e Bashkisë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetër22 tonë mish pule nga Brazili me salmonelë në Portin e Durrësit