Mziu mban premtimin, ngjit Kamzën në Superligë

Kryebashkiaku i Kamzës premton rikonstruksionin e stadiumit në bashkëpunim me FSHF-në dhe blerjen e futbollistëve cilësorë

Konkretizohet projekti i Xhelal Mziut, ngjit Kamzën në Superligë. Në ndeshjen finale të Kategorisë së Parë, grupi A, Kamza barazoi me Besëlidhjen, duke siguruar ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Festa e sportdashësve ka shpërthyer në shkallët e stadiumit dhe në rrugët e qytetit, ku pas 5 vitesh ekipi i tyre i zemrës është rikthyer në Superiore. Ishte ky premtimi i kryebashkiakut Xhelal Mziu i bërë realitet pikërisht pas një pune shumë të madhe të futbollistëve dhe stafit të ekipit të Kamzës.
Bashkia e Kamzës i ka dhënë mbështetje maksimale ekipit dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu pati premtuar në merkaton e verës rikthimin e Kamzës në Superligë. Premtimi i bërë nga kryebashkiaku në zyrën e tij teksa qenë prezantuar tri blerje të reja të Kamzës, me synimin e vetëm ngjitjen në elitën e skuadrave më të mira të futbollit shqiptar. Kamza ka zhvilluar një kampionat bindës, ku ka kryesuar kampionatin që nga ndeshja e parë.
Kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, është shprehur në përfundim të ndeshjes me Besëlidhjen: “Ishte një fitore jo vetëm për mua personalisht, por edhe për ekipin, për të gjithë qytetarët e Kamzës. Nuk ishte rastësi dalja në krye të grupit, pasi kishim treguar gjatë gjithë kampionatit që kishim vërtet një ekip elitar, duke kryesuar që nga java e parë deri në atë të fundit. Sot nuk patëm më shumë fat për të shënuar, pse jo, edhe një gol tjetër, por në njëfarë mënyre edhe presioni i ndeshjes, i tifozëve, bëri që ndeshja të dilte barazim, por një rezultat që ishte në interes të ekipit të Kamzës dhe falënderoj djemtë për lojën e mirë. Me këtë rast dua të falënderoj edhe presidentin, edhe trajnerët, të cilët realisht kanë bërë një punë kolosale për të nxjerrë Kamzën në Superligë”. Kryebashkiaku Mziu beson se Kamza do të jetë kampione e Kategorisë e Parë, duke triumfuar edhe në ndeshjen me Lushnjën.
Për sa i përket stadiumit dhe ndërhyrjes në të, kryebashkiaku Mziu tha se së shpejti do të fillojnë punimet. “Është e vërtetë që fusha na ka penalizuar, por ishte e papranueshme që ne të fillonim ristrukturimin e fushës. Në kontaktet që kam pasur me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit kemi hartuar një projekt të përbashkët. Në këto ditë do të fillojë investimi për ndryshimin e tapetit apo rregullimet e infrastrukturës nëntokësore të drenazhimit dhe, pse jo, për të ndërhyrë edhe në pjesë të tjera të stadiumit, duke krijuar akoma më shumë vende apo standarde të cilat t’i përshtaten Superligës”. Me ngjitjen në Superligë kryebashkiaku Xhelal Mziu premtoi një ekip konkurrues dhe pohoi se do të bëhen 3-4 blerje të fuqishme.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKoncesion 1 muaj para zgjedhjeve, mirëmbajtja e anijeve tek privati